1.6 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

MASAKRA/ Imami i një prej dy xhamive në Christchurch: si po na vret 11 Shtatori dhe shembulli i Jacinda Ardernit

Më të lexuarat

Gamal Fouda, imami i xhamisë Al Noor e cila u përball me sulmin terrorist muajin e kaluar në Zelandën e Re, ka ndërmarrë një tur në disa vende europiane, nga ku po përcjell mesazhet e asaj çfarë ndodhi në Christchurch atë të premte xhumaje, ku te xhamia e tij dhe një tjetër pak metra më tutje, u krye një masakër e vërtetë nga një njeri i vetëm.

Ai ishte në Konferencën e Forumit të Muslimanëve Evropianë në Hamburg të Gjermanisë, Fouda nën shoqërimin e Fondacionit për Hulumtime Ekonomike dhe Sociale (SETA) u takua me përfaqësues të disa partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile në Berlin.

Fouda do të vizitojë qytete të tjera në Evropë, si Paris dhe Bruksel, ku dhe do të zhvillojë takime me zyrtarë dhe organizata joqeveritare.

Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin gjerman, ai foli për AA, ku ofroi të dhëna të intersante të pos-masakrës, por dhe komente mbi atë që ndodhi.

“Të gjithë u tronditën në vendin ku njerëzit, qeveria dhe kryeministrja janë të mrekullueshëm. Ne e mendonim Zelandën e Re si vendi i fundit ku mund të ndodhnin sulme të tilla. Është një tragjedi e madhe që nuk do të fshihet nga memoriet për një kohë të gjatë”, tha Fouda duke bërë të ditur se ky sulm nuk është kryer vetëm kundër muslimanëve për edhe kundër Zelandës së Re.

“Populli i Zelandës së Re është solidarizuar me muslimanët, të cilët e ndjejnë veten si pjesë të atij vendi për shkak se ata jetojnë në një vend ku shohin drejtësi, respekt dhe mbështetje”, tha Fouda.

Ndërsa në lidhje me 17-vjeçarin Will Connolly i cili protestoi duke qëlluar me vezë senatorin e pavarur australian Fraser Anning për shkak të deklaratave tij që fajësonte muslimanët pas sulmit terrorist, imami Fouda thotë: “Shumica e australianëve janë njerëz shumë të sjellshëm. Vetëm disa politikanë bëjnë fjalime urrejtjeje. Duhet të largohet. Nuk duhet të ketë politikanë dhe liderë që flasin dhe përhapin urrejtjen. Për mua, vezët ishin një vezë e bekuar, e cila u dërgua nga Perëndia tek personi që fliste dhe përhapte të keqen. Një djal i ri i dha mësim një politikani për vlerat morale dhe njerëzore. I ka treguar atij se gjenerata e re nuk janë idiotë, bëjnë pyetje dhe kritika”.

Duke e cilësuar sulmin terrorist në Christchurch si “sulmin e dytë të 11 shtatorit”, Fouda thekson se “sulmi do të jetë një pikë kthese për të ndryshuar botën. Pas 11 shtatorit filloi racizmi dhe gjuha e urrejtjes kundër muslimanëve. Ata u vunë në shënjestër dhe u vendosën në të njëjtën shportë. Bota nuk e kuptoi se në të vërtetë kjo ishte ajo që dëshiruan terroristët dhe njerëzit e këqinj. Njerëzit e këqinj e shfrytëzuan këtë. Ata që kryen sulmin e 11 shtatorit kishin axhendën e tyre politike. Nuk kishin axhendë për Islamin dhe muslimanët. Ne duhet të ndalemi dhe të mendojmë. Terrorizmi nuk ka fe, besim, gjuhë, ngjyrë, racë, zot. Pra, në të vërtetë ne duhet të ndalemi dhe të mendojmë. Mizori duhet të etiketohet si mizor, vrasës pavarësisht se çfarë feje, race dhe ngjyre i përket”.

Disa media ndërkombëtare nuk e kanë përcaktuar si “terrorist” autorin e sulmit në Christchurch, ka kritikuar më tej Fouda duke bërë vlerësimin e tij se “akoma urrejtja dhe racizmi vazhdojnë kundër muslimanëve. Nëse këtë do ta kishte bërë një musliman, të gjithë muslimanët do ta emëronin autorin si një terrorist. Por, kur e bën një jomusliman, disa njerëz nga politika kanë tendencën për të mos i thënë terroristit terrorist. Por, ne e dimë se në zemrat e tyre ata e shohin këtë si një sulm terrorist”.

Fouda tha se kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, e cila fitoi vlerësimin e botës me deklaratat dhe sjelljet pas sulmit terrorist, e ka telefonuar atë tre orë pas sulmit dhe e ka pyetur se çfarë nevojash ka për komunitetin musliman dhe se një ditë më vonë ajo i dërgoi të gjitha institucionet publike, përfshirë administratën e emigracionit për të plotësuar nevojat.

“Ardern u bë një shembull i mirë i asaj se si duhet të jetë një udhëheqës. Drejtuesit mund t’i çojnë njerëzit drejt drejtësisë, lumturisë dhe dashurisë më shumë sesa libri i shenjtë. Sepse bën një shembull të mirë. Jacinda Ardern është nëna e botës, e paqes, e dashurisë, e njerëzimit, e mirësisë dhe e dhembshurisë. Një shembull i mirë se si drejtohet një komb dhe si dërgohet një vend drejt paqes”, tha Fouda duke cilësuar se Ardern i ka dhënë botës mësim për dashuri.

Ndër të tjera Fouda ka shpjeguar se pas sulmit ka patur vështirësi të ecë në rrugë me veshjen e imamit sepse njerëzit e përqafonin dhe i thonin “jemi me ju”. Po ashtu ai thotë se njerëzit kanë lënë në xhami çelësat e makinave, portofole dhe kartelat bankare për plotësimin e nevojave.

Pasi tha se në Evropë ka ardhur si i ftuar i Forumit të Muslimanëve Evropianë, Fouda ka përfunduar fjalën e tij duke theksuar se “Islamofobia në botë është e vërtetë dhe vret. Muslimanët janë përdorur nga disa liderë politikë dhe disa media për 20 vitet e fundit. Duke vënë të gjithë muslimanët në të njëjtën shportë me një terrorist, ju përkrahni terroristët. Mediat dhe rrjetet sociale nuk duhet të jenë një mjet për të nxitur dhunën dhe urrejtjen, por një mjet që sjellë dashuri për botën dhe i bashkon njerëzit. Kjo është më e mira për të gjithë ne. Muslimanët duhet të mësojnë gjuhën, kulturën dhe traditat e shoqërisë në të cilën jetojnë. Ata duhet të jetojnë bashkë me axhendën e vërtetë dhe shoqërinë në të cilën jetojnë”.

Në sulmet terroriste më 15 mars në xhamitë Al-Noor dhe Linëood në Christchurch të Zelandës së Re, u vranë të paktën 50 persona, në mesin e të cilëve kishte gra dhe fëmijë, si dhe 50 të tjerë u plagosën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit