Intervista: Sistemi rus i sigurisë dështoi, tani Putin do të përpiqet të hakmerret
Nga Gabriele Carrer, Huffington Post Italia
“Ishte një sulm i planifikuar prej shumë kohësh, si në rastin e sulmit në sallën e koncerteve Bataclan në Paris në vitin 2015”, thotë Marco Di Liddo, drejtor i Qendrës së Studimeve Ndërkombëtare me qendër në Itali, duke komentuar sulmin terrorist ndaj sallës së koncerteve, Crocus Hall, në periferinë veriperëndimore të Moskës.
I pasuar nga një zjarr i madh, ai i të premtes në mbrëmje ishte sulmi terrorist më i rëndë që ka ndodhur ndonjëherë në Rusi 20 vitet e fundit. “Nga viti 2015 e në vazhdim ne e kemi identifikuar si një kërcënim sistematike terrorizmin e ‘ujqërve të vetmuar’, duke menduar se terrorizmi i organizuar ishte në një fazë rënieje. Por ky sulm provon se kjo nuk është e vërtetë”- shton ai, duke vënë në dukje se prej dy vitesh prioriteti i shërbimeve sekrete ruse është pushtimi i Ukrainës, dhe rreziku i një rebelimi të brendshëm nga opozita.
Cilat janë arsyet e sulmit të ISIS-K kundër Rusisë së Vladimir Putinit?
Ka një sfond historik. Rusia është një vend që i trajton në një mënyrë shumë armiqësore myslimanët, dhe kjo edhe shumë kohë përpara ngjarjeve të rënda të vitit 2011. Për këtë mjafton të kujtojmë pushtimin sovjetik të Afganistanit apo edhe luftërat e shekujve XVIII dhe XIX në Kaukaz, rajon që në kulturës islamike zë një rol shumë të rëndësishëm. Pastaj kemi luftërat në Çeçeni, mbështetjen e Rusisë për regjimin e Assadit në Siri, dhe praktikat diskriminuese mbi baza etniko-fetare.
A mund të përjashtojmë hipotezën e një ngjarjeje të inskenuar nga vetë Kremlini, për të justifikuar mobilizimin ushtarak në shkallë të gjerë?
Problemi i mobilizimi në një shkallë të gjerë, ishte zgjidhur me një lloj mobilizimi-hije. Për më tepër, nëse sulmi ishte i realizuar nga ISIS-K që është një organizatë dhe jo një shtet, atëherë për çfarë do të ndihmonte mobilizimi? Për të pushtuar Afganistanin? Por nëse flasim për Ukrainën, arsyet për një mobilizim të ri ekzistonin tashmë.
Mjafton të kujtojmë sulmin që i mori jetën Daria Dugina-s, vajzës së një filozofi të njohur rus, propagandist i regjimit në fuqi. Sigurisht, situata nuk është si në vitin 1999, kur Rusia ishte një vend shkatërruar dhe kur Putinit i duhej një narrativë për ta bashkuar rreth vetes shoqërinë ruse.
Më 7 mars, Shtetet e Bashkuara paralajmëruan mbi sulmet e mundshme terroriste në Rusi, dhe me shumë gjasa kanë ndarë me Moskën të gjitha të dhënat që kishin. Por Putin i cilësoi këto paralajmërime si një “shantazh të hapur” që “synon të frikësojë dhe destabilizojë shoqërinë tonë”.
Dhe kjo e rëndon përgjegjësinë që kanë autoritetet ruse?
Po, patjetër. Ato e shpërfillën faktin që kur flitet për terrorizmin, SHBA-ja nuk bën shaka. Kjo edhe për shkak të pranisë së fortë amerikane në Rusi. Për Shtetet e Bashkuara është një çështje parimore: lufta ndaj terrorizmit, është ndoshta mburoja e fundit ideologjike e Amerikës.
Çfarë pret tani populli rus?
Vladimir Putin duhet të japë një përgjigje emocionale, pasi ai duhet të përballet me një dinamikë të sigurisë së brendshme. Pas shumë vitesh, popullsia ka zbuluar se këto grupime radikale mund të godasin ende. Dhe e vuri re këtë pikërisht në një periudhë të karakterizuar nga konflikti në Ukrainë. Në këto kushte, nuk do të mjaftonte një përgjigje racionale.
Atëherë çfarë pritet të ndodhë?
Udhëheqja politike ka nevojë t’i japë një përgjigjeje emocionale një popullate të frikësuar, e cila ka nevoje për diçka të fortë, hakmarrëse. Por ekziston rreziku që FSB, që me këtë sulm terrorist ka bërë një figurë shumë të keqe, të krijojë kushtet me narrativat dhe lidhjet e sforcuara me Ukrainën për një përshkallëzim të mëtejshëm të sulmeve ndaj objektivave ukrainase civile, duke e rehabilituar kësisoj veten dhe të gjithë sistemin.
A është ky moment edhe një test për udhëheqjen, dhe mbi aftësinë e tij për të menaxhuar ekuilibrat e pushtetit?
Në mënyrë të pashmangshme, dikush duhet të paguajë për këtë sulm. Problemi është se kreu aktual i FSB-së është një njeri besnik i Putinit. Për më tepër, në Rusi spastrime të tilla nuk ndodhin menjëherë, por pas njëfarë kohe. Në situatën aktuale, udhëheqja ruse nuk mund të dërgojë sinjalet që komprometojnë aftësitë e organizatës.
Në fakt sot kërcënimi kryesor për FSB-nw janë përplasjet e brendshme dhe jo terrorizmi. Për këtë arsye, ka më shumë gjasa që koston për këtë dështim të madh ta paguajë një figurë më e lehtë për t’u sakrifikuar, siç është shefi i departamentit kundër terrorizmit. /tesheshi.com/