7.3 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

MARTIRI NURUDIN ZENKI

Më të lexuarat

“Unë e kam studiuar historinë e mbretërve të mëparshëm që sunduan para Islamit dhe gjatë islamit e deri më sot dhe nuk kam parë pas kalifëve të drejtë dhe pas Umer ibën Abdulazizit një mbret me biografi më të mirë se e mbretit të drejtë Nurudin Zenki.” (Ibën Ethiri)

Ai ishte zambaku i tokave të Levantit dhe mësuesi i Salahudin Ejubit. Disa historianë e quajtën “i gjashti i kalifëve të drejtë” për drejtësinë, fenë dhe politikën e tij të mirë. Ky njeri të cilin shumë prej nesh nuk e njohin ishte projektuesi i vërtetë i fitores së betejës së Hitinit.
Po flasim për një dritë me të cilën Zoti e ndriçoi fenë në kohërat më kritike dhe më të errëta të botës islame. Po flasim për Nurudin Mahmud Zenkin, i njohur ndryshe si Nurudin Martiri!
Ç’është e vërteta, biografia e Nurudin Zenkit është shumë e ngjashme me biografinë e kalifëve të drejtë, sepse përmes këtij mbreti zeshkan turk, Allahu ringjalli umetin islam në shekullin e gjashtë hixhri, i cili gjendej në agoninë e vdekjes. Nurudin Zenki u shfaq në një kohë kur shiitët kishin marrë kontrollin e pjesës më të madhe të botës islame. Kështu, dinastia buvejhito-shiite kishte mposhtur kalifatin në Bagdad ndërsa dinastia ubejdito-shiite kishte marrë sundimin e Egjiptit dhe Marokut. Në këtë mënyrë, shiitët u hapën rrugën kryqtarëve për të pushtuar Jeruzalemin. Dhe kjo është pikërisht koha kur kolosët e botës islame dalin në dritë. Dhe pikërisht në këtë kohë doli në dritë Nurudin Zenki, i cili ndriçoi udhën për muslimanët dhe bashkoi radhët e tyre. Brenda pak vitesh, dinastia e tij shtrihej nga Persia në lindje e gjer në Libi në perëndim dhe nga rrafshnalta e Anadollit në veri e deri te malet e Jemenit në jug. Kësisoj, fitorja kundër kryqtarëve nuk ishte më veçse çështje kohe.

Megjëthese Nurudini nuk arriti ta shihte me sytë e tij fitoren e betejës së Hitinit, por ai besonte fuqishëm se një ditë ajo do të vinte dhe për këtë ai ndërtoi një minber që do të vendosej në xhaminë el-Aksa pas çlirimit të saj. Por, duke qenë se ai vdiq para kësaj dite dhe nuk qe e destinuar ta sillte vetë në Jerusalem, kështu që atë e solli nxënësi i tij Salahudini, i cili vazhdoi rrugën e mësuesit të tij në luftimin e kryqtarëve. Mimberi i njohur si mimberi i Salahudinit është ai të cilin e ndërtoi fillimisht Nurudin Zenki. Ky mimber ka ekzistuar në Xhaminë el-Aksa deri më 21 gusht të vitit 1969 kur u dogj nga një terrorist sionist me emrin Majkëll Rohan!

Megjithë pozitën e lartë të mbretit Nurudin Zenki dhe pushtetin e tij madhështor dhe sundimin e tij që shtrihej në vise të largëta, ai i përgjërohej Zotit para çdo beteje me përuljen e një besimtari të thjeshtë. Një natë, Nurudini doli në terrin e natës në një hapësirë të shkretë ndërsa ishte përgatitur me ushtrinë e tij të vogël për të luftuar ushtrinë e madhe kryqtare, e cila kishte rrethuar qytetin egjiptian të Dimjatit. Ai u shtri përmbys me duart drejt qiellit dhe pasi e përleu kokën me baltë,nisi të lutej duke qarë me përulje: O Allah, nëse na ndihmon, ke ndihmuar fenë Tënde! Mos na privo nga fitorja nëse Mahmudi nuk e meriton atë! O Allah, jepja fitoren fesë Tënde, jo Mahmudit! E kush është Muhmud qeni që t’i jepet fitorja!

Sakaq, një hoxhë i madh i muslimanëve pa në ëndërr të Dërguarin e Zotit (paqja qoftë mbi të!) që i tha: “Njoftoje Nurudinin se francezët u larguan gjatë kësaj nate nga Dimjati!” Hoxha i tha: “O i Dërguari i Zotit, ndoshta nuk më beson, andaj më jep një shenjë që ai e di!” Profeti(paqja qoftë mbi të!) i tha: “Thuaji se shenja është që ti ke bërë sexhde në Tel Harim dhe ke thënë: “O Allah, jepja fitoren fesë Tënde, jo Mahmudit! E kush është Mahmud qeni që t’i jepet fitorja!” Hoxha nxitoi menjëherë për te xhamia ku falej natën Nurudin Zenki dhe i tregoi për ëndrrën dhe shenjën, por ai ai nuk ia përmendi fjalën “qeni” kështu që Nurudini i tha: “Ma cito shenjën të plotë!” Hoxhës i erdhi turp që ta përmendte fjalën “qeni” por me këmbënguljen e Nurudinit, ai ia citoi shenjën ashtu siç e kishte parë në ëndërr.

Atëherë Nurudini e pohoi shenjën dhe duke qarë tha se kjo ishte nata e disfatës së kryqtarëve dhe largimit të tyre nga qyteti i Dimjatit.

Zoti e mëshiroftë Nurudin Zenkin, dhe Zoti e mëshiroftë nxënësin e tij Salahudin Ejubin për atë që i dhanë Islamit dhe muslimanëve. Njëri prej tyre ishte turk ndërsa tjetri ishte kurd.Sa i mrekullueshëm është islami, të cilin Allahu e ndihmoi përmes një turku dhe një kurdi! Islami nuk ka ngadhënjyer nëpërmjet arabizmit apo klanizmit as nëpërmjet kurdëve apo turqëve por triumfoi nëpërmjet muslimanëve!

(Shkëputur nga libri 100 kolosët e botës islame)
Përktheu: Rexhep Milaqi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit