5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Martesa

Më të lexuarat

PËRKUFIZIMI

Martesë quhet kontrata e cila ua lejon burrit dhe gruas që e lidhin këtë kontratë kënaqjen me njëri-tjetrin.

NXITJA PËR MARTESË

Ibën Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton se i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

“O ju të rinj, kushdo prej jush që ka mundësi martese le të martohet, kjo do ta ndihmojë atë në uljen e shikimit dhe në ruajtjen e organit gjenital. Ndërsa, ai që nuk ka mundësi martese le të agjërojë, sepse kjo është tredhje1 për të.”2

Nga Se’ijd ibën Xhubejri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcillet të ketë thënë: “Më pyeti Ibën Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “U martove?” I thashë: “Jo.” Më tha: “Martohu, sepse njeriu më i mirë i këtij umeti ka pasur më së shumti gra.”3

Nga Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet të ketë thënë: “Erdhën tre persona te shtëpia e grave të Pejgamberit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, për të pyetur për ibadetin që e bënte i Dërguari i Allahut. Kur i treguan, sikur iu duk i pakët ibadeti i tyre, kështu që thanë: “E ku jemi ne në krahasim me të Dërguarin e Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të?! Allahu ia ka falur atij të gjitha gjynahet.” Atëherë, njëri prej tyre tha: “Sa më përket mua, unë do të falem gjithmonë tërë natën.” Tjetri tha: “Unë do të agjëroj për çdo ditë pandërprerë.” Kurse i treti tha: “Unë do të largohem nga gratë, kurrë nuk do të martohem.” Kur erdhi i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, tha: “Ju jeni ata të cilët kanë thënë kështu? Pasha Allahun, unë më së shumti i frikësohem Allahut dhe jam më i devotshmi ndër ju, por agjëroj dhe ha, falem dhe fle dhe po ashtu martohem me gra. Andaj, kushdo që largohet nga suneti im, nuk është prej meje.”4

Amër ibën Asi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tregon se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kjo botë është kënaqësi, ndërsa kënaqësia më e madhe në të është gruaja e mirë.”5

 

DISA URTËSI TË MARTESËS

Allahu i Lartësuar e ligjëroi martesën për shumë urtësi të mëdha, prej tyre më kryesoret janë:

1. Ruajta e organeve gjenitale. Allahu i Madhërishëm krijoi njeriun dhe mbolli në qenien e tij dëshirën seksuale, andaj e bëri të ligjshme martesën për të ngopur këtë dëshirë në mënyrë të lejuar.

2. Gjetja e prehjes dhe e qetësisë ndërmjet bashkëshortëve. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë.” (Er-Rrum: 21).

3. Ruajtja e gjenealogjisë dhe e lidhjeve farefisnore.

4. Vazhdimi i lozes njerëzore dhe shtimi i numrit të muslimanëve që të përhapet Feja e Allahut.

5. Ruajtja e moralit nga rënia në amoralitet dhe duke u ruajtur nga lidhjet e ndaluara.

 

VENDIMI I SHERIATIT MBI MARTESËN

Vendimi i sheriatit për martesën ndryshon varësisht nga personi.

Së pari: Martesa është vaxhib (detyrë) për atë që ka frikë nga rënia në amoralitet dhe ka mundësi martese.

Së dyti: Martesa është e pëlqyer dhe sunet për atë që ka epsh dhe ka mundësi martese, por nuk ka frikë se do të bjerë në amoralitet.

Së treti: Martesa është e urryer për atë që nuk ka epsh seksual.

Përgatiti: Jusuf Kastrati – Shembulli.com


1Domethënë pakësim i dëshirës seksuale.
2Buhariu (5065), Muslimi (1400).
3Buhariu (5069).
4Buhariu (5063), Muslimi (1401).
5Muslimi (1467).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit