0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

“Marshimi i Kthimit”, shpresa e palestinezëve për liri

Më të lexuarat

Dhjetëra-mijëra palestinezë që prej 30 marsit e deri tani janë duke vazhduar në pesë pika të ndryshme në kufirin Gaza-Izrael protesta paqësore me kërkesë heqjen e bllokadës jo legjitime të zbatuar ndaj Rripit të Gazës dhe lejimin e rikthimit të më shumë se 5 milionë palestinezëve, të cilët janë dëbuar nga territoret e tyre.

Data e 30 marsit është zgjedhur si datë e fillimit të protestave paqësore “Marshimi i Kthimit të Madh“, për arsyen se më 30 mars 1976 izraelitët konfiskuan dhjetëra-mijëra dynymë tokë në territoret e palestinezëve që jetonin në rajonin Xhelile si dhe për arsyen se është përvjetori i ngjarjes e cila është shpallur nga palestinezët “Dita e Tokës“.

Mijëra palestinezë zhvillojnë protesta paqësore në pesë zona të ndryshme, të cilat janë pjesa veriore e Gazës, qyteti i Gazës, në Gazën e mesme, Han Junus dhe Refah, që ndodhen në kufirin prej 65 km Izrael-Gaza.

Palestinezët protestat e tyre planifikojnë që t’i vazhdojnë deri më 15 maj e cila është edhe data e themelimit të Izraelit, ngjarje që palestinezët i referohen si “Nakba” ose “Fatkeqësia e Madhe“.

Ndërsa një shkak tjetër për vazhdimin e protestave deri në mesin e muajit maj është për të treguar një reagim ndaj planit të ShBA-ve për transferimin e ambasadës së saj nga Tel-Avivi në Jerusalem më 14 maj.

– Palestinezët kanë dy kërkesa

Kërkesa e parë e palestinezëve që marrin pjesë në protestat “Marshimi i Kthimit të Madh” është heqja e bllokadës jo-legjitime, të cilën Izraeli zbaton ndaj Rripit të Gazës dhe e cila vazhdon që prej vitit 2006, pas fitores së zgjedhjeve nga Hamasi.

Rreth 2 milionë njerëz që jetojnë në Gaza po përpiqen të mbijetojnë në rrethana të vështira, për shkak të bllokadës çnjerëzore që Izraeli zbaton nga ajri, toka dhe deti.

Për shkak të bllokadës, ekonomia e Gazës po kalon ditë të vështira. Në Gaza, ku papunësia ka arritur 44 për qind, më shumë se gjysma e popullsisë është e varfër. Vetëm një të katërtën e ditës mund të jepet energji elektrike. Ndërkohë që disa nga fabrikat janë mbyllur për shkak të krizës energjetike, ndërsa disa fabrika prodhojnë shumë më poshtë kapacitetit të tyre.

Një tjetër kërkesë nga protestuesit është lejimi i rikthimit të më shumë se 5 milionë palestinezëve, të cilët janë dëbuar nga territoret e tyre që nga themelimi i Izraelit më 1948 e deri tani.

Që nga viti 1948, qeveria izraelite ka detyruar miliona palestinezë të largohen jashtë territoreve të tyre. Sot, ka më shumë se 5 milionë refugjatë palestinezë, ku më shumë se gjysma e tyre ndodhen jashtë vendit. Rreth 1.3 milionë e këtyre refugjatëve jetojnë në Gaza dhe rreth 800 mijë në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa pjesa e mbetur e refugjatëve palestinezë ndodhen në vendet fqinje si në Siri, Liban dhe Jordani.

Refugjatët palestinezë nuk mund të kthehen në territoret e tyre të cilët shumë vite më parë u detyruan të mërgonin për shkak të pushtimit izraelit.

– Për liri kanë marrë parasysh edhe vdekjen

Pavarësisht nga përdorimi disproporcional i forcës nga ushtarët izraelitë, duke përfshirë të shtënat me plumbat e vërtetë kundër protestuesve, ata nuk heqin dorë nga protestat e tyre paqësore, të cilat kanë nisur me shpresën për të fituar lirinë e mijëra palestineze dhe për të bërë të mundur që zëri i tyre të dëgjohet në botë.

Fakti se edhe vdekja për liri nuk i tremb protestuesit ka shkaktuar që ushtarët izraelitë të jenë edhe më agresivë.

Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, në protestat që vazhdojnë që prej 30 marsit e deri më tani janë martirizuar 46 palestinezë nga të cilët në mesin e tyre ndodhen 2 gazetarë dhe 5 persona nën moshën 18 vjeç.

Ndërkohë që si pasojë e përdorimit disproporcional të forcës nga ushtarët izraelitë janë plagosur edhe mbi 6.000 palestinezë të tjerë, nga të cilët 1.700 prej tyre kanë qenë objektiv i plumbave të vërtetë të ushtarëve izraelitë.

Sipas të dhënave të marra nga spitalet në Gaza mësohet se 17 personave u janë prerë këmba ose krahu pasi janë qëlluar me plumba të vërtetë nga ushtarët izraelitë.

Qeveria e Tel-Avivit, e cila pretendon se protestat “përbëjnë kërcënim për sigurinë e Izraelit”, pretendon gjithashtu se plumbat e vërtetë janë përdorur kundrejt palestinezëve që i janë afruar kufirit, me qëllimin për të “vendosur sigurinë” e izraelitëve që jetojnë përballë Rripit të Gazës.

Por pala palestineze shprehet se disa palestinezë që janë qëlluar nga ushtarët izraelitë gjatë protestave, pavarësisht se ata kanë qenë shumë më larg nga distanca e kufirit që Izraeli ka përcaktuar, janë qëlluar nga snaiperët izraelitë. (Anadolu Agency – AA)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit