Një grup i qytetarëve sot në mesditë u mblodhën para xhamisë Murat Pasha në Çarshinë e Vjetër të Shkupit nga ku filluan Marshin e Paqes për Srebrenicën, për të kujtuar vuajtjet e viktimave të pafajshme të gjenocidit në Srebrenicë që ndodhi 22 vjet më parë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kolona shkoi deri në qendër të qytetit, nga ku dërgoi mesazhin e se bashkëndjenë me familjet e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe me të gjithë boshnjakët, dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë.
Kryetari i Bashkësisë Kulturore të Boshnjakëve të Maqedonisë, Xhemil Bektoviç, në fjalimin e tij tha se ky gjenocid është dhimbja më e madhe e tyre e cila siç tha, dashtë Zoti askujt mos ti ndodhë.
“Dëshirojmë që edhe popujt e tjerë të nxjerrin mësim nga kjo dhe të kuptojnë dhimbjen tonë, sidomos ata që kanë bërë krimin, ata që ishin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të krimit, duke njohur gjenocidin të jetojnë të lirë nga barra e krimit të kryer ndaj boshnjakëve”, tha Bektoviç, për të shtuar se të pranishëm në eventin e sotëm janë edhe përfaqësues të komuniteteve tjera.
Emir Hasanoviç, pjesëmarrës në Marshit për Srebrenicën, tha se boshnjakët sot përkujtojnë shehidët e masakrës së Srebrenicës dhe gjithë viktimat tjera të pafajshme në Bosnjë e Hercegovinë.
“Lotët dhe pikëllimin e nënave të Srebrenicës i ndjejmë edhe ne, prandaj jemi këtu sot që të ripërsërisim se kurrë nuk do të harrojmë Srebrenicën, njollën e errët të njerëzimit”, tha Bellma Ibroviç, e cila lexoi mesazhin në emër të Bashkësisë Kulturore të Boshnjakëve të Maqedonisë.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, më 4 shkurt të vitit 2010, mbështeti Rezolutën e Parlamentit Evropian për Srebrenicën, të miratuar më 15 shkurt të vitit 2009 dhe u obligua që në mënyrë adekuate të shënojë 11 korrikun.
Ndryshe, në ceremoninë përkujtimore në Potoçari, më 11 korrik të këtij viti do të bëhet varrimi i 71 mbetjeve mortore të gjenocidit të Srebrenicës, identiteti i të cilëve sapo është zbuluar, në mesin e të cilëve janë edhe shtatë të mitur.