3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Marsh protestues në Kashmirin e administruar nga Pakistani

Më të lexuarat

Mijëra persona protestuan në kryeqytetin Muzaffarabad të Kashmirit të administruar nga Pakistani kundër tërheqjes së të drejtave të veçanta të rajonit Xhamu dhe Kashmirit të administruar nga India përmes një dekreti presidencial të javës së kaluar.

Marshi protestues i të hënës përkoi me festën muslimane të Kurban Bajramit, e cila festohet në të gjithë Pakistanin, Indinë, Bangladeshin dhe Nepalin.

Ministri i Punëve të Jashtme i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi, kreu i opozitës dhe shefi i Partisë Popullore të Pakistanit (PPP), Bilawal Bhuto Zardari, si dhe shumë të tjerë iu bashkuan marshimit, që u mbajt pas namazit të Kurban Bajramit.

Pamjet e transmetuara në mediat lokale treguan mijëra duke marshuar në rrugët e qytetit. Marshi përfundoi në sheshin e qytetit të Kashmirit, ku fjalime po ashtu mbajtën edhe kryeministri Azad Kashmir dhe kryediplomati Qureshi.

“Lufta për lirinë e Kashmirit do të vazhdojë, pavarësisht mizorive indiane. Bota ka parë fytyrën e vërtetë të Indisë”, tha Qureshi në fjalimin e tij.

“Ne jemi në Kashmir. Kashmiri rrjedh në gjakun tonë. Nuk ka asnjë ndryshim për këtë çështje në Pakistan”, shtoi kryediplomati pakistanez, duke theksuar se Pakistani do të vazhdojë të mbështesë luftën e Kashmirit.

Përveç se në kryeqytetin Muzaffarabad, tubime të ngjashme u mbajtën edhe në zona tjera, përfshirë në Bagh, Kotrli, Rawlakot dhe Mirpur.

Tensionet midis Islamabadit dhe New Delhit u përshkallëzuan më tej pas lëvizjes së Indisë për të revokuar statusin e veçantë të rajonit Xhamu dhe Kashmir, i cili lejonte banorët të miratojnë ligjet e tyre dhe pengonte të huajt të vendosen dhe të zotërojnë tokën në këtë territor.

Liderët e Kashmirit shprehën frikë se ky hap synon ndryshimin e karakterit demografik të rajonit.

Në një seri ndëshkimesh, Pakistani pezulloi tregtinë dhe dëboi të dërguarin indian.

Rajoni i Himalajeve, ku ndodhet Xhamu dhe Kashmir, mbahet në pjesë nga India dhe Pakistani, por pretendohet në tërësi nga të dy vendet.

Që kur u ndanë në vitin 1947, India dhe Pakistani zhvilluan tre luftëra, në vitin 1948, 1965 dhe 1971, dy prej të cilave ishin mbi Kashmirin.

Sipas disa organizatave të të drejtave të njeriut, që nga viti 1989 mijëra persona janë vrarë në konfliktin në rajon./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit