Zbatimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e sigurisë, nënshkruar ndërmjet Tiranës dhe Ankarasë në vitin 2015, mund të sjellë fundin e organizatës terroriste guleniste (FETO) në Shqipëri…
Zbatimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e sigurisë, nënshkruar ndërmjet Tiranës dhe Ankarasë në vitin 2015, mund të sjellë fundin e organizatës terroriste guleniste (FETO) në Shqipëri, bën të ditur Agjencia Anadolli (AA).
Sipas informacioneve të siguruara nga një korrespondent i AA-së, mes qeverive të Shqipërisë dhe Turqisë në vitin 2015 është nënshkruar një marrëveshje me qëllim bashkëpunimin bilateral në çështjet e sigurisë.
Sipas marrëveshjes të publikuar më 9 korrik 2015 në Fletoren Zyrtare të Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe nëpërmjet autoriteteve të tyre kompetente, palët angazhohen që të bashkëpunojnë në fushën e parandalimit të kërcënimeve ndaj rendit dhe sigurisë publike, të japin ndihmë të ndërsjellë në parandalimin dhe zbulimin e krimeve, si dhe në kërkimin e personave të inkriminuar.
Mes të tjerash, marrëveshja përcakton gjithashtu fushat e bashkëpunimit mes dy vendeve, konkretisht kundër personave shkelës të të drejtave themelore të njeriut si për jetën, shëndetin dhe liritë, kundër organizatave të krimit të organizuar, terrorizmit dhe financimit të tij, hyrjeve ilegale dhe trafikimit të qenieve njerëzore, kundër krimeve si veprat penale, të cilat mund të kryhen nga investitorë të huaj apo pastrimit të parave, si dhe në gjetjen e njerëzve të humbur apo të atyre në kërkim.
Një ndër pikat e tjera të marrëveshjes është edhe emërimi i personave përgjegjës në ambasada me qëllim rritjen e bashkëpunimit mes dy palëve në kuadër të marrëveshjes, me qëllim forcimin e mëtejshëm të koordinimit.
Theksohet se rrjetit të FETO-s, organizatë terroriste kjo që ka një prani të madhe në Shqipëri, mund t’i jepet fund me vendosjen në zbatim të asaj pike të marrëveshjes në fjalë, ku thuhet se “palët do të bashkëpunojnë për identifikimin, zbulimin, sekuestrimin me qëllim konfiskimin dhe rikuperimin e produkteve të krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, terrorizmit dhe pastrimit të parave”.
Strukturimi i FETO-s në Shqipëri
Në Shqipëri ndodhen 12 shkolla të lidhura me FETO-n. Organizata, e cila e ka nisur veprimtarinë e saj në Shqipëri përmes një shoqate të themeluar në vitin 1993 dhe që njihet për afërsinë ideologjike me kreun e FETO-s, Fethullah Gulen, ka institucione të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm në kryeqytetin Tiranë, në qytetin e Shkodrës dhe në Durrës.
Po ashtu dihet që në Shqipëri ka edhe dy universitete, të cilat njihen për afërsinë me organizatën.
FETO-ja, e cila nëpërmjet një shoqate të themeluar në vitin 1994 në Shqipëri ka marrë nën kontroll edhe arsimin fetar, administron edhe medresetë në Kavajë, Korçë, Berat, Elbasan e Tiranë, ku, duke privatizuar këto shkolla, që ofronin arsim falas, ka hapur kështu një biznes të ri fitimprurës në llogari të saj.
Organizata kontrollon gjithashtu Komunitetin Musliman të Shqipërisë (KMSH), pasi ajo ka vendosur në këtë institucion studentët shqiptarë, që janë kthyer në vend pas arsimimit në Turqi dhe që janë të afërt me FETO-n.
Kjo organizatë, e cila në Tiranë ofron shërbime në shumë fusha, nga kurset e gjuhëve të huaja e deri tek kurset parapërgatitore, operon edhe në fushën e shoqërisë civile. Një shoqatë e afërt me organizatën mbledh para nga shqiptarët nën emërtimin “pjesë vjetore”, “para për kurban” dhe “donacion”. Ndër të tjera, pretendohet se FETO-ja, nëpërmjet një dhome tregtare të rëndësishme, e cila njihet për afërsinë me organizatën në vend, merr mbështetje financiare edhe nga shumë kompani, të cilat vijnë nga Turqia në Shqipëri për të bërë biznes.
Shumë efektive edhe në media, FETO-ja përpiqet të mbajë nën kontroll këtë fushë me elementët e saj të infiltruar në institucionet mediatike në Shqipëri. Duke shtrirë ndikimin e saj edhe në degët e gazetarisë në disa universiteteve shtetërore, kjo organizatë synon që të jetë mbizotëruese në media duke punësuar në universitetet e saj private disa nga njerëzit me ndikim të gjerë.