Më 15 dhjetor 1923 u nënshkrua Traktati i Miqësisë midis Shqipërisë dhe Türkiyes, i cili shënon edhe aktin formal të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve
Bashkë me 100-vjetorin e themelimit të Republikës Turke, këtë vit shënohet edhe 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Türkiyes, raporton Anadolu.
Një shekull marrëdhënie mes dy vendeve është shoqëruar me një proces të gjatë bashkëpunimi, partneriteti dhe të nënshkrimit të marrëveshjeve të ndryshme, duke kulmuar me zyrtarizmin e partneritet strategjik në vitin 2021.
Marrëdhëniet shqiptaro-turke në fushën politike apo edhe në sfera të tjera, konsiderohen nga autoritetet e të dyja vendeve si të shkëlqyera, duke u vlerësuar se këto marrëdhënie e kanë bazën e tyre në miqësinë tradicionale dhe bashkëjetesën qindra vjeçare midis dy popujve e kombeve.
– Sfondi historik
Më 15 dhjetor 1923 u nënshkrua Traktati i Miqësisë midis Shqipërisë dhe Türkiyes, i cili shënon edhe aktin formal të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, ndërkohë traktati hyri në fuqi më 15 qershor 1925.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ), duke publikuar në uebfaqen e saj një përmbledhje informacionesh mbi marrëdhëniet Shqipëri-Türkiye, thekson se në nenin 2 të këtij traktati thuhej “Dy Anët e Nalta Kontraktuese janë dakord për të vendosur marrëdhënie diplomatike midis dy shteteve në konformitet me parimet e të drejtave të njerëzve”.
Po sipas MEPJ, më 13 prill 1926, në Ankara paraqiti letrat kredenciale përfaqësuesi i parë shqiptar në Türkiye, Rauf Fico, në rangun e ministrit (ambasadorit) të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë. Po në vitin 1926 paraqiti letrat kredenciale edhe ministri (ambasadori) i parë fuqiplotë i Türkiyes në Tiranë, Tahir Lutfi Beu.
Pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria e re e komuniste nuk i njihte marrëdhëniet me jashtë të qeverive të mëparshme dhe traktatet e nënshkruara prej tyre dhe për pasojë edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Türkiyes përjetuan një periudhë ndërprerjeje gjatë regjimit komunist. Marrëdhëniet mes dy vendeve u rivendosën më vitin 1959, dhe vazhduan edhe gjatë regjimit komunist, ku midis vendeve u nënshkruan edhe marrëveshje në fusha të ndryshme.
– Partneriteti strategjik
Pas rënies së komunizmit në Shqipëri në vitin 1991, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Türkiyes u ridimensionuan dhe u intensifikuan në gjitha fushat.
Në vitin 2013 në pushtet erdhi Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ndërkohë në programin e ri qeverisës u përcaktua se qeveria e re do të mbështesë marrëdhëniet e konsoliduara dhe strategjike me Türkiyen.
Në këtë kuadër, marrëdhëniet mes dy vendeve u intensifikuan në shumë fusha si në mbrojtje, shëndetësi, arsim dhe kulturë, ndërsa deri në zyrtarizmin e partneritetit strategjik vazhduan vizitat e nivelit të lartë mes dy vendeve.
Një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet Shqipëri-Türkiye është zyrtarizmi i partneritetit strategjik mes dy vendeve në janar të vitit 2021, gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Ankara.
Kryeministri Rama dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, nënshkruan më 6 janar 2021 deklaratën e përbashkët për Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, duke ngritur marrëdhëniet mes dy vendeve zyrtarisht edhe në nivelin e partneritetit strategjik.
Ndërkohë, në dhjetor 2022 në Tiranë u nënshkrua kontrata për blerjen nga Shqipëria të flotës së mjeteve ajrore pa pilot (UAV) Bayraktar, sipas autoriteteve shqiptare, produkt i Partneritetit Strategjik Shqipëri-Türkiye dhe në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare si anëtare të NATO-s.
Me zgjerimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike, u rritën edhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, ndërkohë aktualisht në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 600 kompani turke, duke punësuar mijëra persona.
– Ndihma dhe solidariteti i Türkiyes për Shqipërinë
Në 30 vitet e fundit, Türkiye ka ofruar ndihmë të ndryshme ndaj Shqipërisë në shumë sektorë, si dhe për përballimin e fatkeqësive natyrore.
Pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, institucionet e ndryshme turke ofruan ndihmë ndaj Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit, ndërsa presidenti Recep Tayyip Erdoğan, premtoi ndërtimin nga shteti turk të qindra njësive të banimit.
Ndërtesat e projektit të financuar nga Türkiye i cili përfshinte 522 apartamente, por edhe njësi tregtare, në qytetin e Laçit të Bashkisë Kurbin, u dorëzuan me një ceremoni me pjesëmarrjen edhe të vetë presidentit Erdoğan.
Një sektor tjetër i rëndësishëm ku Türkiye ka ofruar mbështetje është edhe shëndetësia, duke ndërtuar spital, rinovuar qendra shëndetësore, ndihmë për pandeminë COVID-19, trajnimin e stafeve mjekësore dhe kurimin e shtetasve shqiptarë në Türkiye.
Spitali Rajonal Memorial në Fier i ndërtuar me mbështetjen financiare të Türkiyes, dhe i hapur për shërbim ndaj qytetarëve shqiptarë në fund të majit të vitit 2021 është konsideruar nga autoritetet shqiptare si një model suksesi.
Një nga institucionet turke që ka mbështetur vazhdimisht zhvillimin e sektorit të shëndetësisë në Shqipëri është Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), duke filluar nga dhurimi i autoambulancave, e deri tek rinovimi i qendrave shëndetësore në vend.
TIKA ka ofruar ndihma edhe në shumë sektorë të tjerë, si në bujqësi, arsim, dhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, me anë të qindra projekteve, ku një ndër projektet e saj të rëndësishme në vitet e fundit ishte edhe restaurimi i disa objekteve të trashëgimisë kulturore të periudhës osmane.
Ndërkohë, kompania e parë kombëtare e fluturimeve e Republikës së Shqipërisë, Air Albania, filloi operimin me mbështetjen e institucioneve turke, duke u krijuar në partneritet me Türk Hava Yolları (THY).
Gjithashtu, ndërtimi i Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, më e madhja në Ballkan, me mbështetjen e Kryesisë së Çështjeve Fetare të Türkiyes dhe Fondacionit të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Türkiyes, bëri realitet ëndrrën e muslimanëve shqiptarë për të pasur një objekt të tillë kulti në Shqipëri.
Türkiye ka ofruar mbështetje të vazhdueshme edhe për Forcat e Armatosur të Shqipërisë, me automjete, pajisje dhe në ofrimin e trajnimit të ushtarakëve.
Një element tjetër që ka ndikuar në zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve janë edhe mijëra studentë shqiptarë që kanë kryer studimet në Türkiye në degë të ndryshme, ndërkohë sot studentët e diplomuar në shtetin e turk kontribuojnë në sektorë të ndryshëm në Shqipëri.
Gjithashtu, një nga faktorët kryesor që e ka forcuar miqësinë mes dy vendeve gjatë një shekulli të marrëdhënieve është prania e një numri të madh qytetarësh turq me origjinë shqiptare, të cilët jetojnë pothuajse në të gjithë Türkiye, dhe të cilët janë angazhuar në të kaluarën, por edhe aktualisht në jetën politike, ekonomike, kulturore dhe sociale të shtetit turk.