0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

MARKETINGU NGA NJË QASJE HYJNORE

Më të lexuarat

Autor: Mrs. Skender Mustafi

Që nga studimet e para në vitin 2005, më sfiduesja deri më tani më është situata e përballjes mes ambientit islam në marketing ose ndoshta edhe duhet thënë marketingut në ambientin islam. Kjo përballje është sfida ime më e madhe në fushën e marketingut për shkak të shumë faktorëve e një ndër të cilët është edhe mungesa e studimeve serioze islame në këtë fushë. Tragjike është që dije profesionale në këtë fushë, përveç disa studimeve të pakta, mungon në gjithë botën islame. Marketingu, edhe pse një element shumë i rëndësishëm dhe jetësorë në jetën e muslimanit, është lënë anash si tërësi për tu tjerrë në detaje. Kuptohet që elemente të marketingut janë marrë parasysh gjatë gjithë kohës për të mbështetur shtjellime e sqarime të çështjeve të ndryshme në të drejtën islame.

Mrs. Nurhafihz Noor është njëri nga profesionistët në fushën e marketingut i cili ka realizuar studime frytdhënëse të cilat sjellin dritë mbi marketingun islam. Trajtimi i tij i bërë katër ajeteve të kaptinës Bekare[1] është një shembull i përshtatshëm për të vërtetuar dhe ndritur rëndësinë e Kur’anit si burim dije në të kuptuarit të marketingut dhe një bazë e mirë për trajtim të mëtejshëm. Këto ajete do t’i trajtoj edhe më tej që të hedhë ca dritë mbi përmbajtjen e tyre rreth njohurive të marketingut.

Le të sjellim fillimisht ajetet 30-34 të kaptinës Bekare[2] që më pas t’i elaborojmë:

  1. (Përkujto Muhammed) Kur Zoti ytu tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!” Ata thanë: “A do të vëshë në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini!”
  2. E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat(e sendeve), pastaj ato ua prezantoi engjëjve dhe u tha: “Më tregoni për emrat e këtyre (sendeve të emërtuara), nëse jeni të drejtë (çka mendoni)?”
  3. (Engjëjt) Thanë: “Ti je i pa të meta,ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na e mësove Ti. Vërtetë, Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti!”
  4. (Zoti) Tha: “O Adem, njoftojë ata (engjëjt) me emrat e atyre (sendeve)!” E kur u rrëfeu atyre për emrat e tyre, (Zoti) tha: “A nuk ju kam thënë juve se Unë më së miri e di fshehtësinë e qiejve e të tokës dhe më së miri e di atë, që ju e publikoni dhe atë që e mbani fshehtë”.
  5. E kur u thamë engjëjve:përuluni (bini në sexhde) Ademit, ata menjëherë iu përulën, me përjashtim të iblisit (djallit). Ai refuzoi dhe u mbajt në të madh dhe u bë pabesimtar. 

Në këto ajete Kur’anore All-llahu i përkujton njerëzit mbi krijimin e Ademit (paqja qoftë mbi të) dhe mbi diskutimin mes Tij dhe Engjëjve. Duke trajtuar ajetet e mësipërme, mund pa dyshim të themi që me qartësi shtjellohet një strategji e implementimit të elementeve të marketingut të cilat radhiten në mënyrë të caktuar, mënyrë e cila sjell sukses dhe secili element shfaqet në kohë përkatëse.

 Bekare 30, All-llahu njofton engjëjt për marrjen e vendimit për krijimin e „produktit“ dhe në fund po të njëjtit ajet përmes qëndrimit të Tij vë në dije që ky „produkt“ krijohet me vlera të caktuara. Në marketingun modern, studiuesit janë të një mendimi që produkti/shërbimi zhvillohet/ofrohet me një qëllim të vetëm, edhe atë për të ofruar vlerë për pjesëmarrësit dhe ndërmarrjen që zhvillon ose ofron atë.

 Bekare 31, flitet mbi karakteristikat e „produktit“, pra „produkti“ ka aftësi që të mbaj mend emra dhe më pas t’i shpalos ato. Më pas vihet në provë„produkti“ para engjëjve, ku engjëjt mund të dëshmojnë vlerat e „produktit“. Ky veprim është një përputhje e plotë me llojin direkt të marketingut ku ndërmarrjet, përfaqësues të tyre, njoftojnë konsumatorët mbi produktin/shërbimin e tyre duke u sqaruar dhe demonstruar drejtpërdrejtë atyre.

 Bekare 32, paraqitet ndërlidhja mes All-llahut dhe engjëjve. Nga pikëpamja e marketingut All-llahu përmes dy akteve paraprake jo vetëm që paraqet vlerat e „produktit“, por edhe vlerat e Veta. Në këtë mënyrë, përmes paraqitjes së produktit dhe përmbushjes së premtimit të Tij, „Unë di atë që ju nuk e dini!“, arrihet bindja e engjëjve dhe „dorëzimi“ i tyre kundrejt vlerave si të „produktit“ ashtu edhe të Krijuesit. Konsumatori është arsyeja e vetme e zhvillimit të produktit ose/edhe ofrimit të shërbimit. Ndërlidhja afatgjate e ndërmarrjeve me konsumatorët është pika më e rëndësishme e strategjive të tyre. Mënyra e vetme e realizimit të një lidhjeje të suksesshme afatgjate mes ndërmarrjes dhe konsumatorëve është emri dhe vlerat e mira të ndërmarrjes dhe vlerat e produktit.

 Bekare 33, All-llahu përsëritë qëndrimin e Tij në mënyrë që të përkujtohen engjëjt për premtimin dhe realizimin e tij. Në këtë ajet, mënyrë të qartë përforcohet akti i promovimit duke iu vënë theks të lartë vlerës së premtuar dhe asaj të realizuar dhe duke u realizuar një lidhje e drejtpërdrejtë mes ofruesit të vlerës dhe konsumuesve të saj.

 Bekare 34, All-llahu përmbyll aktin e marketingut duke kërkuar që „produkti“ të pranohet si i tillë, pra si tërësi përplotë vlera, si premtim i realizuar. Akti i pranimi të „produktit“ vije pasi që engjëjt pranojnë vlerat e tij. Në këtë hap kemi një mësim shumë të rëndësishëm ku jo të gjithë engjëjt pranojnë „produktin“ përkundër të qenit të një mendimi mbi vlerat e tij dhe vlerat e Krijuesit të tij. Me rëndësi është që të theksohet se që djalli, si i tillë, njihet si një ngërthim i karakteristikave që shpalosin injorancë, mendjemadhësi, arrogancë e mospranim të pa kompromis. I gjithë mësimi përmbyllet me aktin e dorëzimit të produktit ku theks të veçantë i vihet tregut dhe laramanisë së tij. Këtu kemi fjalën për një produkt të realizuar me sukses dhe reagimet e konsumatorëve të cilët mund të jenë pranues ose refuzues të tij. Kështu që, e gjithë drita në këtë pikë i hidhet këmbënguljes së ofruesit të produktit/shërbimit i cili duhet të jetë i pa lëvizshëm përkundër qëndrimit mospranues të një numri të konsumatorëve.

All-llahu është Krijuesi dhe Sunduesi im. Unë jam rob i Tij. Ai është I pa të meta, përderisa unë jam mëkatarë dhe me shumë të meta. Dija e Tij është e pastër dhe e pa fund, dija ime është e pakët dhe me të meta. Nëse ia kam qëlluar, është sepse Ai ashtu ka dashur, nëse kam gabuar, është e metë e imja. Kërkoj falje nga All-llahu që të më shtohet dituria dhe të më falë mëkatet për gabimet e bëra. E lus All-llahun që ky shtjellim të sjellë vetëm të mira ndër lexues.

Referencat

[1] http://islamicmarketing.org/strategy/marketing-reflections-from-the-creation-of-prophet-adam-as/
[2] Ajetet e kopjuara nga http://kuranifisnik.net/ ku është i përmbledhur përkthi i Kur’anit nga Hfz. Sherif Ahmeti
[3] Foto e marrë nga www.monash.edu.au

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit