2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Maqedonia përgatitet për një fushatë të pistë zgjedhore

Më të lexuarat

Pavarësisht se partitë kanë nënshkruar një kod që i detyron ato të sillen në mënyrë korrekte, vëzhguesit thonë se Maqedonia është gati për një tjetër betejë elektorale ku me shumë gjasa do të përfshihen kanosje, gënjeshtra dhe thirrje të hapura anti-etnike.

Nga Semra Musai, BIRN

Nikola Gruevski, ish-kryeministri i Maqedonisë dhe kryetari i partisë në pushtet VMRO DPMNE, i ka bërë thirrje votuesve të sigurohen që partia e tij të fitojë të paktën gjysmën e 123 vendeve në parlament në zgjedhjet e dhjetorit.

Nëse ata nuk e bëjnë këtë, paralajmëron ai, Social Demokratët e opozitës, partia SDSM, do të vazhdojë para me planet e saj për ta bërë shqipen një gjuhë zyrtare në të gjithë vendin.

Në të njëjtën kohë, në takimin e ditës së diel të partisë së vogël shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, kandidati për deputet Artan Grubi, brohoritën sloganin inflamator: “UÇK! UÇK!” duke iu referuar forcës guerile shqiptare që doli kundër forcave maqedonase të sigurisë në një kryengritje të armatosur në vitin 2001.

Nikola Dujovski, një analist politik, tha për BIRN se të dy ngjarjet të kujtojnë se votuesit në zgjedhjet e dhjetorit duhet “të presin që politikanët të luajnë kartën nacionaliste”.

Në vend që t’i ofrojnë votuesve politika konkrete dhe pragmatike, ai paralajmëroi, “ata do të përqendrohen në çështje absurde që janë mbyllur shumë kohë më parë”.

Xhabir Deralla, kryetar i Qendrës për Liri – Civil, një OJQ që po monitoron zgjedhjet e ardhshme, pranoi se çështje të ndjeshme etnike do të përdoren më shymë në politikë në javët e ardhshme – siç ndodh në çdo zgjedhje në Maqedoni.

“Tensionet apo incidentet ndëretnike nuk duhet të përjashtohen, prandaj duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm,” tha ai.

Megjithatë, Deralla mendon gjithashtu se votuesit po e pranojnë gjithnjë e më shumë karakterin multi-etnik të Maqedonisë, një vend me rreth 2,1 milionë banorë, rreth një e katërta e të cilëve janë shqiptarë etnikë.

“Gjatë dy viteve të fundit, grupe etnike janë bërë më pak të manipulueshëm dhe nuk u përgjigjen më provokimeve të një karakteri etnik që vijne nga qendrat e pushtetit politik dhe oartitë në pushtet. Skenaret e tyre që bazohen në rritjen e tensioneve midis komuniteteve po dështojnë,”shtoi Deralla.

Dujovski thotë se përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe s’është më një problem shumë i madh për shumicën e qytetarëve – gjë e cila nuk i ndalon liderët e VMRO DPMNE të përpiqen ta përdorin atë për të trembur maqedonasit etnikë në të djathtë.

“Bilingualizmi nuk është një problem dhe nuk duhet të jetë për një shoqëri moderne. Qytetarët janë të vetëdijshëm për shoqërinë ku ata jetojnë,” tha ai.

“Ne kemi probleme më serioze sesa bilingualizmi. Përkundrazi kjo është një çështje që duhet të na çojë drejt një komunikimi dhe bashkëpunimi më të madh ndëretnik,” shtoi ai.

Zgjedhjet më 11 dhjetor konsiderohen si një nga datat më të rëndësishme në historinë e kohëve të fundit të vendit.

Shpresa është se ato më në fund do t’i japin fund krizës së gjatë politike që shpërtheu në fillim të vitit 2015, kur opozita filloi të publikonte biseda të përgjuara në mënyrë të paligjshme të mijëra njerëzve, me sa duket të ndërmarra nga qeveria e udhëhequr nga VMRO DPMNE.

Liderët politikë të Maqedonisë të dielën nënshkruan një kod që i detyron ata të kryejnë një fushatë të drejtë dhe demokratike, por shumë njerëz dyshojnë se ata do ta respektojnë atë.

“Ne presim shkelje të kodit zgjedhor, si edhe të kodit që ata nënshkruan në çdo hap dhe në nivel të tij,” tha Deralla.

“Ditën e zgjedhjeve ose gjatë fushatës, çdo lloj manipulimi është i mundur,” tha Zemri Elezi, profesor në Universitetin e Evropës Juglindore nga Tetova.

“Ne jemi të vetëdijshëm për parregullsitë me listën zgjedhore. Pavarësisht përpjekjeve për të pastruar listën, në të ka ende votues fiktive,” shtoi ai.

Elezi pret gjithashtu që palët të bëjnë çdo gjë për të siguruar vota, madje edhe t’i blejnë ato duke premtuar lloje të ndryshme ndihme.

“Partitë në pushtet do të përdorin çdo lloj presioni, kërcënimi dhe madje edhe shantazhi për të detyruar nëpunësit civilë të votojnë për ta,” shtoi ai.

Dujovski tha se VMRO DPMNE dhe BDI kanë keqpërdorur burimet shtetërore për qëllime partiake-politike gjatë të gjithë dekadës që kanë qenë në pushtet.

“Nëpunësit civilë po thirren madje edhe gjatë orëve të punës që të marrin pjesë në takime dhe aktivitete partiake,” deklaroi Dujovski.

Ai pohoi gjithashtu se palët po keqpërdornin kompanitë publike. “Kompanitë e transportit i japin autobusët e tyre partisë në pushtet që ajo t’i përdorë ata për aktivitetet e tyre,” shtoi ai duke iu referuar tubimin e BDI-së, ku autobisë të kompanisë së transportit publik u panë të transportonin simpatizantë.

Ndërkohë Deralla shprehu shqetësim për abuzimet e mundshme në shkolla, me mësuesuti dhe nxënësit gjatë fushatës.

Gjatë javës së kaluar, mediat kanë raportuar se partia qeverisëse VMRO DPMNE ka dërguar imeile nëpër shkolla në Shkup duke u bërë thirrje drejtorëve të organizojnë propagandë kundër futjes supozuar të bilingualizmit në të gjithë Maqedoninë.

Sipas Telma TV, drejtorët e shkollave dyshohet se janë udhëzuar të mbledhin të gjithë mësuesit që janë punësuar falë partisë dhe i kanë udhëzuar ata të fillojnë bisedat me prindërit në lidhje me pasojat shqetësuese të bilingualizmit.

Zv/ministri i administratës në qeverinë e përkohshme të Maqedonisë, Aleksandar Kiracovski, i cili vjen nga LSDM-ja, të enjten i dorëzoi dosje ministrit të brendshëm, të cilat ai tha se përmbanin prova se partitë në pushtet po i vinin punonjësit shtetërorë nën një presion të panevojshëm.

“Këto dokumente përfshijnë indikacione serioze se personat në pozita udhëheqëse në institucionet shtetërore kanë shkelur pozitat e tyre zyrtare dhe kanë vënë nën presionin punonjësit e tyre që të votojnë për partinë në pushtet dhe të marrin pjesë në takimet e tyre,” tha Kiracovski.

Ministri, Oliver Spasovski, tha se ai do të hetojë akuzat dhe do të përgjigjet si duhet.

Problemi i kanosjes së votuesve dhe mos ndarja e aktiviteteve të shtetit nga ato të partisë janë theksuar shumë herë nga Bashkimi Europian.

Në një deklaratë, shefi i Misionit të BE-së në Shkup të premten i bëri thirrje partive politike të bëjnë një fushatë pa kanosje dhe dhunë, si edhe i bëri thirrje atyre të mos rrisin tensionet politike dhe etnike dhe të thellojnë polarizimin. Gjithashtu bëri thirrje për një ndarje të qartë midis aktiviteteve shtetërore nga ato partiake para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.

“Vetëm një fushatë zgjedhore e drejtë dhe e besueshme, e certifikuar si e tillë nga vëzhguesit ndërkombëtarë, do t’i japë qeverisë së re dhe parlamentit një mandat të fortë,” theksoi deklarata e BE-së.

Parlamenti i Maqedonisë e shtyu dy herë datën e zgjedhjeve të parakohshme këtë vit para se të binin dakord për 11 dhjetorin si datë zgjedhjes, si pjesë “marrëveshje së rinovuar të krizës” të mbështetur nga BE-ja dhe të nënshkruar nga të gjitha partitë në korrik.

Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ishte vendimtare për paqen Maqedonisë, prosperitetin dhe për rrugën e saj europiane dhe atlantike, tha Brukseli.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit