Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut mbrëmë votuan për qeverinë e re, që do të udhëhiqet nga Hristijan Mickoski, ndërsa do ta përbëjnë koalicioni i OBRM-PDUKM-së “Maqedonia jote”, koalicioni shqiptar “VLEN” dhe partia “ZNAM”.
Për zgjedhjen e qeverisë së re, votuan 77 deputetë, 22 ishin kundër ndërsa nuk pati asnjë abstenim.
Në një deklaratë solemne, pas votimit të qeverisë, kryeministri i ri Hristijan Mickoski, e përdori emrin kushtetues të vendit “Maqedonia e Veriut”, ndërsa tha se këtë detyrë do ta kryejë me përgjegjësi.
“Funksionin e kryeministrit do ta kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi dhe do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha kryeministri i ri, Hristijan Mickoski.
Qeveria e re, në vend të 16 ministrive, siç kishte qeveria e kaluar, do të ketë 20 ministri. Tre ministra do të jenë pa portofol, ndërsa kryeministri do të ketë pesë zëvendës.
Në Qeverinë e Hristijan Mickoskit janë 20 meshkuj dhe tri femra, mosha mesatare e anëtarëve të Qeverisë është 47 vjet – më i moshuari është 66 vjeç, ndërsa më i riu 33 vjeç.
Në kabinetin qeveritar 15 anëtarë janë nga koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga OBRM-PDUKM, gjashtë nga koalicioni i partive shqiptare “VLEN” dhe dy nga lëvizja “ZNAM” e udhëhequr nga kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski.
OBRM-PDUKM zgjodhi Vlado Misajlovskin për Ministër të Mbrojtjes, Pançe Toshkovskin për Punë të Brendshme, Timço Mucunskin për Punë të Jashtme, Gordana Dimitrieska-Koçoskën për Financa, Sanja Bozhinovska për ministre të Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, ndërsa i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave është Cvetan Tripunovski.
Ministër i Transportit është Aleksandar Nikolovski, për Vetëqeverisje Lokale Zllatko Perinski, për Arsim dhe Shkencë Vesna Janevska, për Kulturë dhe Turizëm Zoran Ljutkov, për Transformim Digjital Stefan Andonovski dhe Ministër i Sportit është Borko Ristovski.
Ministrat shqiptarë nga radhët e koalicionit “VLEN” janë ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani, ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani, ministri i Planifikimi Hapësinor dhe Mjedisit Izet Mexhiti dhe ministri pa portofol Arben Fetai.
Dy ministrat nga partneri më i vogël i koalicionit qeveritar të partisë “ZNAM” janë ministri i Drejtësisë Igor Filkov dhe ai i Administratës Publike Goran Minçev.
Shumica parlamentare, e cila përfshin koalicionin e OBRM-PDUKM-së, “VLEN-in” dhe “ZNAM-in” ka gjithsej 78 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Në përbërjen e re të Kuvendit, në opozitë janë koalicioni “Fronti evropian” i udhëhequr nga Bashkimit Demokratik Shqiptar për Integrim (BDI), koalicioni “Për një të ardhme evropiane” i udhëhequr nga LSDM dhe partia politike “E Majta”./Telegrafi/