Në Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet presidenciale mbahen më 21 prill, ndërkohë që po ngriten shqetësime për lajmet e rreme në fushatë. Portalet në internet shpesh kanë mbështetjen e politikës. Nga ana tjetër, gjuha e urrejtjes në median “online” nuk ka gjetur ndëshkimin e autoriteteve gjyqësore deri tani në këtë vend.
Lajmet e rreme në internet nuk e anashkalojnë Maqedoninë e Veriut, e cila u bë e njohur sidomos gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2016-s në Amerikë, kur qindra tekste nga persona në qytetin e Velesit shpërndaheshin në mënyrë globale në rrjetet sociale dhe në faqet e internetit.
Aktualisht në Maqedoninë e Veriut po mbahet fushata presidenciale për zgjedhjet e 21 prillit dhe portale të shumta, veprimtaria e të cilave nuk është rregulluar me ligj, shpërndajnë lajme të rreme, ndërsa në raste, nuk mungon as gjuha e urrejtjes, raporton VOA.
Media online jo rrallë e keqpërdor lirinë e shprehjes duke bërë që në situata dhe me qëllime të caktuara ajo të kalojë në gjuhë të urrejtjes.
Analistët theksojnë domosdoshmërinë e miratimit të ligjit apo akteve për rregullimin e punës së medias në internet.
Gazetari Seladin Xhezairi vlerëson se gati të gjithë faktorët politikë në vend kanë nga një portal të tyre.
“Gjykoj se çështja e portaleve, jo vetëm në Republikën e Maqedonisë Veriore duhet zgjidhur o me ligj o me ndonjë akt tjetër, për shkak se lajmet e rrejshme, shpifjet e etiketimet dominojnë në portalet, unë do të thoja në shtypin e verdhë, dhe as fushata presidenciale këtu nuk bën përjashtim. Të gjitha grupet e interesit, ato politike, kanë ndonjë portal, kushtimisht, të vetin dhe në këtë mënyrë kur nuk dihet se kush qëndron prapa tyre, e hedhin gurin dhe e fshehin dorën”, shprehet Xhezairi.
Deri tash asnjë portal, apo individ nuk është ndëshkuar nga organet e drejtësisë për gjuhën e urrejtjes. Analisti Sefer Tahiri thotë se autoritetet dhe organet e drejtësisë duhet të marrin masa ndëshkuese për ata të cilët nxisin këtë dukuri.
“Ka një keqkuptim të madh në Maqedoninë e Veriut. Thirrjet për kufizimin apo pengimin e gjuhës së urrejtjes komentohen si thirrje kundër lirisë së shprehjes. Nuk mund të jenë mbështetës të lirisë së shprehjes pikërisht ata që janë armiq të kësaj lirie dhe ata që promovojnë gjuhën e urrejtjes janë kundërshtarët më të mëdhenj të lirisë së shprehjes. Vlerësoj që në këtë vend duhet të ketë sanksionime më të mëdha ndaj gjuhës së urrejtjes që mund të çojë drejt jotolerancës, dhunës dhe formave të tjera të nënçmimit të pjesëtarëve të bashkësive me përkatësi të ndryshme etnike”, thotë Tahiri.
Ndërkohë, Seladin Xhezairi thotë se në këtë periudhë kur po rrjedh fushata presidenciale nuk është aq e pranishme gjuha e urrejtjes sa që ka qenë gjatë cikleve të kaluara zgjedhore.
“Mendoj se është hera e parë prej se mbahen zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut që nuk kemi aq gjuhë të urrejtjes të shprehur nëpër fushata dhe meritën për këtë mendoj se më së shumti e kanë tre kandidatët për postin e presidentit dhe gjithë kjo falë faktit se që të tre i përkasin botës akademike”, thotë Xhezairi.
Nga ana tjetër, pronarët e këtyre portaleve dhe një pjesë e gazetarëve u janë kundërvënë përpjekjeve për një kontroll të shtuar ndaj kësaj lloj medie në veçanti në periudha zgjedhjesh, ndërsa kanë cilësuar synimet si përpjekje për censurim dhe ushtrim të trysnisë ndaj shprehjes së lirë. Por, nga ana tjetër, kufiri i hollë që e bën atë të kalojë në gjuhë të urrejtjes padyshim që shkakton dëme në një shoqëri të brishtë siç është kjo në Maqedoninë e Veriut.