0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Maqedonia bëhet vendi i 14-të europian që legalizon kanabisin

Më të lexuarat

Ka përfunduar debati publik dhe tani propozim ligji për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore është në procedurë qeveritare që nënkupton se nëse shkohet në rrugë të rregullt i njëjti pritet të marrë dritë të gjelbër kah fundi i shkurtit dhe të votohet në Parlament, me çka dhe zyrtarisht ky preparat do të futet në tregun farmaceutik.

Agjencia për Barëra e Republikës së Maqedonisë në arsyetimin për nevojën e legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore thotë se nëpërmjet ndryshimeve në ligjin për Mjete Narkotike përcjellin trendin zhvillimor në Bashkimin Evropian (BE) ku deri në fund të tetorit, 13 shtete të saj kanë legalizuar përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore.

Ligji parasheh që në treg të gjenden tre lloje të prodhimeve. Vaj që në vete përmban jo më shumë se 0.2 për qind THC, vaj që do të ketë mbi 0.2 për qind THC dhe grupi i tretë janë preparate të cilat tani më janë të regjistruar me bazë konopi dhe gjenden në tregun evropian.

Siç rrëfen për (AA) drejtoresha e Agjencisë shtetërore për barëra, Marija Darkovska –Serafimovska, legalizimi ngërthen segmentin human sepse ndihmon pacientët të cilët kërkojnë mënyrë natyrore të shërimit si dhe u mundëson atyre që në rrugë legale të furnizohen me vajin e kanabisit por vetëm për qëllime mjekësore me çka do të garantohet përbërje kualitative dhe kuantitative.

“Ka sasi të madhe të vajit të kanabisit në tregun e zi ku çmimi është shumë i lartë por dhe lind rreziku për pacientët sepse ata nuk dinë për cilësinë e vajit të cilin e konsumojnë. Nuk dihet përmbajtja, nuk dihet se në çfarë kushte është kultivuar kanabisi siç nuk dihet sasia e metaleve të rënda dhe pesticideve në të. Gjithë kjo mund të shkaktojë përkeqësim të gjendjes shëndetësore të pacientëve në vend se ta përmirësojë”, deklaroi Serafimovska.

Sipas saj, legalizimi mundëson çmime të favorshme sepse me propozim ligjin është paraparë mundësia e importimit të vajit të kanabisit edhe nga shtëpitë farmaceutike jashtë Maqedonisë. Ajo thotë se pacientët do të mund të marrin vajin nëpër barnatoret por vetëm me recetë nga mjeku specialist.

Profesori universitar, i specializuar për kriminalistikë, Bashkim Selmani përshëndet trajtimin human të kësaj çështjeje, por kërkon syçeltësi për sa i përket mundësive të keqpërdorimit sepse siç thotë e kaluara ka qenë dëshmitare e manipulimeve të mjekëve me recetat dhe vërtetimet për pushimet mjekësore. Sipas tij, ligji është pozitiv, por sa do të jetë i mbrojtur do të varet nga legjislacioni. Ai vlerëson se Maqedonia nuk ka kuadër të profilizuar për kultivim dhe përpunim laboratorik të kanabisit.

“Mendoj se më mirë është të përpunohet jashtë dhe të sillet si produkt i gatshëm sepse në këtë mënyrë do të jetë e kufizuar hapësira e keqpërdorimit. Nëse kultivohet këtu askush nuk do të mund të garantojë se vallë numri i fijeve të kanabisit është dhjetë mijë, 100 mijë apo dyqind mijë”, thotë Selmani.

Ndërsa organizata që merret me promovimin dhe avancimin e sistemit shëndetësor në vend, HOPS, mirëpret nismën për legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor por ankohet se shoqata e tyre nuk ka qenë e përfshirë në procesin e hartimit.

Vllatko Dekov nga kjo organizatë për Anadolu Agency tha se vërejtjet e tyre kanë të bëjnë me trajtimin ligjor që i bëhet kanabisit.

“Neni i ri parashikon kriminalizimin e kanabisit për përdorim personal që është në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Maqedonisë. Sipas së drejtës Penale, posedimi për përdorim personal nuk është krim por sipas këtij ligji, posedimi i kanabisit është kriminalizuar”, tha Dekov i cili kërkon nga autoritetet të përfshijnë OJQ-të në debat për të përmirësuar propozim ligjin para se të miratohet.

Besnik Hamiti mjek në Klinikën Universitare, njëherësh magjistrant në sferën e shëndetin publik, duke folur për cilësitë shëruese të vajit të kanabisit, thotë se shkencëtarët kanë bërë një investim të madh në hulumtimin e efekteve të tij.  Sipas Hamitit “American Cancer Society” ka dhënë rezultate më konkrete rreth efektit të kanabisit në trajtimin e disa sëmundjeve dhe ajo që është më konkrete është aprovimi i ilaçeve nga agjencia amerikane për ushqim dhe ilaçe që për bazë e kanë vetë kanabisin.

“Ky efekt ka një lidhshmëri të ngushtë me vet përmbajtjen e kanabisit. Ai në vete ka substanca të ndryshme të cilat përmbajnë vitaminë B1, B2, B6, vitaminën C dhe substanca të tjera që ndikojnë dhe kanë efekt pozitiv në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme dhe kanë ndikim në zvogëlimin e tumorit”, shprehet Hamiti i cili përcjellë mendimin e shkencëtarëve se vaji i kanabisit është shumë më i mire se sa trajtimi me hemoterapi.

Deri më tani janë organizuar dy debate publike ku ishin të përfshirë përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore, sektori civil dhe ekspertët e shëndetësisë të cilët kanë dhënë propozimet e tyre lidhur me propozim ligjin, disa prej të cilëve janë pranuar.

Për sa i përket vendeve të rajonit, nga vjeshta e kaluar me një vendim qeveritar është bërë legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore në Kroaci, ndërsa më herët edhe në Slloveni. Përkundër paralajmërimeve se legalizimi do të bëhet edhe në Serbi, ky shtet akoma nuk ka miratuar një vendim të tillë ndërkohë që edhe në Shqipëri po zhvillohet debat i hapur rreth kësaj çështjeje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit