2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Maqedoni e V.:Fushatat mediale të qeverisë, rrezik për ndikim në media

Më të lexuarat

Fushatat që planifikon të nisë Qeveria e Maqedonisë së Veriut për ndërgjegjësimin e popullatës për vaksinim kundër sëmundjes COVID-19, kanë ngritur dyshimet e shoqatës së gazetarëve, nëse me këtë fushatë do të ndikohet në pavarësinë e mediave. Nga kjo shoqatë, thonë se qeveria po vepron kundër zotimit të saj për heqjen e reklamave. Por, Xhelal Neziri nga Qendra për Gazetari Hulumtuese, thotë se nuk ka asgjë të keqe nga fushatat e tilla, nëse ato janë transparente. Ai thotë e fushata të tilla po bëhen në gjithë botën, e cila po përballet me pasoja të rënda nga pandemia e koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë, disa herë ka paralajmëruar fushata në media për ndërgjegjësimin e popullatës mbi nevojën e vaksinimit, por ato ende janë në fazën e përgatitjes, ndërkohë që në opinion ka mendime të ndryshme, nëse me këto fushata ndikohet në punën dhe pavarësinë e mediave.

Këtë muaj, qeveria shpalli tri tenderë për realizimin e fushatave të vaksinimit dhe për parandalimin e korrupsionit. Për këtë qëllim janë paraparë të ndahen 600 mijë euro.

Reklamimi i qeverisë në media është ndaluar me ligj tash e disa vjet. Por, qeveria e LSDM-së që drejtohet nga kryeministri, Zoran Zaev që bëri ndalimin e tyre, tani insiston në ndryshime ligjore, për të mundësuar reklamimin e fushatave me interes publik.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut (SHGM), është kundër reklamave të tilla në media, meqë vlerëson se paraqesin tendencë që përmes financimit të mediave, të vihet kontroll mbi politikat e tyre redaktoriale.

Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv në SHGM, thotë për Radion Evropa e Lira se qeveria nuk po e mban premtimin e dhënë dhe po shkel ligjin që parasheh ndalimin e reklamave shtetërore në media.

“Së pari, është një problem politik, pasi qeveria derisa negocion me mediat nëse do të ketë apo jo fushata publike, ajo shpall tenderë për reklama, të cilat në thelb mund të kontestohen me faktin se para se të vinte kjo qeveri në pushtet, një nga premtimet më të mëdha kishte shfuqizimin e praktikës së fushatave publike në media private”, thotë Sekulovski.

Por, Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për Gazetari Hulumtuese, thotë se fushatat e tilla nuk duhet të shihen si negative, nëse realizohen duke u bazuar në qëllimin parësor.

“Në përgjithësi, unë nuk shoh problem në financimin e fushatave që parësore kanë interesin publik, por problem mund të jetë keqpërdorimi i atyre mjeteve dhe i atyre fushatave. Ajo që ndodhi gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, kishte të bënte me keqpërdorimin e atyre mjeteve. Pra, nëse ato fushata dhe reklamime në media, kanë një qëllim që përputhet me interesin publik dhe menaxhohen mirë, duke marrë parasysh jo preferencat partiake ndaj mediave të caktuara, atëherë unë mendoj se nuk janë aspak problem ato fushata apo reklama në media”, tha Neziri.

Drejtoresha e organizatës “Transparency Internacional”, Slagjana Taseva, thotë se nuk është e qartë se çfarë dëshiron të inkurajojë qeveria me këtë fushatë në media.

“Nuk e di cila është ideja e tyre. Në ligjin për punën e Komisionit anti-korrupsion, thuhet se ky institucion duhet të organizojë fushata për të rritur ndërgjegjësimin e publikut, se si qytetarët duhet të përfshihen në luftën kundër korrupsionit dhe çfarë duhet të bëjnë. Tani, çfarë mendon qeveria për të bërë me një fushatë kaq të shtrenjtë, vërtetë nuk mund ta kuptoj, nuk di se çfarë tenton të arrijë”, thotë Taseva.

Ndërkohë, Xhelal Neziri nga Qendra për Gazetari Hulumtuese, thotë se kur e gjithë bota po përballet me pandeminë dhe pritjet për kthim në gjendje normale, nuk do të ishte gabim të ketë fushatë për ndërgjegjësimin e popullatës mbi nevojën për vaksinim, apo edhe për luftimin e dukurive tjera.

“Do t’i duhet qeverisë që të ndërmarrë një fushatë më agresive, me qëllim për të bindur popullsinë dhe për të bindur qytetarin, se vetëm nëpërmjet vaksinimit, mund t’i vihet pikë kësaj pandemie, andaj nuk shoh unë ndonjë rrugë tjetër përveç fushatave të menaxhuara mirë, me qëllim që të arrihet te qëllimi i përbashkët, që është në kuadër të atij interesi publik. Mund të ketë edhe fushata të tjera, për rritjen e vetëdijes ndaj korrupsionit si fenomen negativ. Ne kemi një kulturë korrupsioni, e cila në fakt prodhon apo lejon në një formë aktivitete korruptive të funksionarëve të lartë, që nuk i dënon, por i aprovon”, thotë në fund Neziri.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit