Ashtu siç ishte paralajmëruar, sot nga ora 17:00 në të gjitha qytetet e Maqedonisë, po ndodhin protestat më të mëdha të inicuara nga shoqata “Për Maqedoni të Bashkuar” kundër platformës shqiptare, si dhe në mbështetje të vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov, i cili refuzoi të mandatojë liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, për të formuar qeverinë e re, shkruan Almakos.
Një ndër kërkesat kryesore të organizatorëve është refuzimi i Ligjit të dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonisë, sepse sipas tyre, përdorimi i gjuhës shqipe në tërë territorin e vendit do të çojë Maqedoninë drejt ridefinimit të saj si dhe do të dëmtojë sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit.
Edhe pse organizatorët vazhdimisht apelojnë që në protestë të mos shfaqen simbole etnike apo kombëtare, nuk mungojnë brohoritjet dhe simbolet nacioanaliste ndaj popullit shqiptar si “dhoma gazi për shqiptarët”, dhe “Maqedoni e pastërt”.
Marshi protestues për momentin po zhvillohet në mënyrë paqësore në gjitha qytetet.
Ndryshe kujtojmë se kriza politike në Maqedoni dhe qëndrimet nacionaliste të presidentit Ivanov dhe kreut të VMRO-së, Nikolla Gruevski ndaj shqiptarëve kanë reflektuar në nxitjen e konflikteve ndëretnike te qytetarët.
Sipas MPB-së brenda kësaj jave janë shënuar dy raste të përleshjeve ndërmjet grupacioneve të ndryshme, që supozohet të jenë ndëretnike.
Jo rastësisht liderët shqiptarë të partive politike në çdo dalje publike apelojnë për gjakftohtësi te qytetarët.
Nga ana tjetër, nëse referohemi në shkrimet e portaleve maqedonase, thuhet që nuk përjashtohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.
Ndryshe LSDM dhe BDI gjatë ditës së sotme së bashku me deputetët e Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët kanë dashur ta konstituojnë parlamentin dhe të caktojnë zgjedhjet lokale.
Mirëpo VMRO janë kërcënuar se nëse ndodh një gjë e tillë, do të vijojnë protesta gjithë popullore./Almakos