Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, është njeriu më i pasur në botë, sipas listës së miliarderëve të Forbes të 2019. Me një pasuri prej 131 miliardë dollarë, ai është njeriu më i pasur në historinë moderne.
Por ai nuk është njeriu më i pasur i të gjitha kohërave.
Ky titull i takon Mansa Musa, sundimtarit të Afrikës Perëndimore të shekullit të 14-të.
“Llogaritë bashkëkohore të pasurisë së Musait janë aq të paparashikuara saqë është pothuajse e pamundur të kuptohet sa i pasur dhe i fuqishëm ishte ai me të vërtetë”, thotë Rudolph Butch Ware, profesor i asociuar i historisë në Universitetin e Kalifornisë për BBC.
Mansa Musa ishte “më i pasur se çdokush do të mund ta përshkruante”, Jacob Davidson shkroi për mbretin e Afrikës për Money.com në vitin 2015.
Ndërsa në vitin 2012, faqja e internetit e SHBA-së, Celebrity Net Worth vlerësoi pasurinë e tij në 400 miliardë dollarë, historianët ekonomikë pajtohen se pasuria e tij është e pamundur të përcaktohet në një numër.
Mbreti i artë
Mansa Musa lindi në vitin 1280 në një familje sundimtarësh. Vëllai i tij, Mansa Abu Bakr, vendosi perandorinë deri në vitin 1312, kur abdikoi për të shkuar në një ekspeditë.
Sipas historianit sirian të shekullit të 14-të, Shibab al-Umari, Abu Bakr ishte i fiksuar me Oqeanin Atlantik dhe atë çfarë qëndronte përtej tij.
Ai bëhet e ditur se filloi një ekspeditë me një flotë prej 2000 anijesh dhe mijëra burra, gra dhe skllevër. Ata lundruan dhe kurrë nuk u kthyen më.
Disa, si historiani i vonë amerikan Ivan Van Sertima, jep idenë se ata arritën në Amerikën e Jugut. Por nuk ka prova për këtë.
Në cilëndo rrethanë, Mansa Musa trashëgoi mbretërinë që la ai pas.
Kështu nën sundimin e tij, mbretëria e Malit u rrit ndjeshëm. Ai i aneksoi 24 qytete, duke përfshirë Timbuktun.
Mbretëria shtrihej për rreth 2.000 milje nga Oqeani Atlantik deri në Nigerin e sotëm, duke marrë pjesë në pjesët ku sot gjenden vende si Senegali, Mauritania, Mali, Burkina Faso, Nigeri, Gambia, Guinea-Bissau, Guinea dhe Bregu i Fildishtë.
Dhe me një masë kaq të madhe në tokë, erdhën edhe burime të mëdha si ari dhe kripa.
Gjatë sundimit të Mansa Musa, perandoria e Malit përbënte gati gjysmën e arit të Botës së Vjetër, sipas Muzeut Britanik. Dhe të gjitha i përkisnin mbretit.
“Si drejtues, Mansa Musa pati qasje pothuajse të pakufizuar në burimin më të çmuar të pasurisë në botën mesjetare”, tha për BBC, Kathleen Bickford Berzock, e specializuar në artin afrikan.
“Qendrat kryesore tregtare që tregtonin ari dhe mallra të tjera ishin gjithashtu në territorin e tij, dhe ai mblodhi pasuri nga kjo tregti”, shtoi ajo, shkruan BBC..
Udhëtimi në Mekë
Ndonëse perandoria e Malit ishte një vend me shumë ari, vetë mbretëria nuk ishte e mirënjohur.
Kjo ndryshoi kur Mansa Musa, një mysliman i devotshëm, vendosi të shkonte në një pelegrinazh në Mekë, duke kaluar nëpër shkretëtirën Sahara dhe Egjipt.
Mbreti njoftohet se u nis nga Mali me një karvan prej 60,000 burrash.
Ai mori të gjithë gjykatën e tij mbretërore dhe zyrtarët, ushtarët, tregtarët, ngasësit e deveve dhe 12.000 skllevër, si dhe një varg të gjatë dhish dhe delesh për ushqim.
Ishte një “qytet i tërë” që po kalonte nëpër shkretëtirë. Një qytet banorët e të cilit, deri në skllevër, u veshën me brokadë ari dhe mëndafshin më të mirë persian. Njëqind deve, nga të cilat secila në vete mbante qindra kilogramë ari të pastër.
Ishin pamje për të mos u humbur.
Dhe pamja u bë edhe më e pasur kur karvani arriti në Kajro, ku ata vërtet mund të shfaqnin pasurinë e tyre.
Përplasja e arit në Kajro
Mansa Musa ka lënë një përshtypje të paharrueshme në Kajro, sa al-Umari, i cili vizitoi qytetin 12 vjet pas mbretit malian, tregoi se sa shumë njerëz të Kajros flisnin për të.
Pra, me bujarinë e tij, ai i “dhuroi” arin në Kajro, ku si pasojë e qëndrimit të tij tre mujor, çmimi i arit ra në rajon për 10 vjet, madje duke ndikuar fuqishëm negativisht në ekonominë vendase.
Kështu, kompania teknologjike amerikane SmartAsset.com vlerëson se për shkak të zhvlerësimit të arit, pelegrinazhi i Mansa Musa çoi në rreth 1.5 miliard dollarë humbje ekonomike në të gjithë Lindjen e Mesme.
Kur u kthye në shtëpi, Mansa Musa kaloi përsëri përmes Egjiptit, dhe sipas disave, u përpoq të ndihmonte ekonominë e vendit duke hequr disa prej arit nga qarkullimi.
Edukimi në zemër
Nuk ka dyshim se Mansa Musa harxhoi, ose humbi, shumë ari gjatë pelegrinazhit të tij. Por ishte kjo bujari e tepruar që kapi edhe sytë e botës.
Mansa Musa e kishte “vendosur” Malin në hartë. Në një hartë të një Atlasi Katalonez nga viti 1375, shihet një vizatim i një mbreti afrikan që ulet në një fron të artë në majë Timbuktu, duke mbajtur një copë ari në dorë.
Timbuktu u bë një El Dorado afrikan dhe njerëzit erdhën nga afër për ta parë.
Mansa Musa u kthye nga Meka me disa dijetarë islamikë, duke përfshirë edhe pasardhësit e drejtpërdrejtë të profetit Muhamed dhe një poet dhe arkitekt andaluzian me emrin Abu Es Haq es Saheli, i cili është kredituar gjerësisht në dizajnimin e xhamisë së famshme të Djinguereber.
Mbreti njoftohet se e pagoi poetin 200 kilogramë në ar, të cilat në paratë e sotme do të ishin 8.2 milionë dollarë.
Përveç inkurajimit të artit dhe arkitekturës, ai gjithashtu financoi literaturë dhe ndërtoi shkolla, biblioteka dhe xhami.
Timbuktu shpejt u bë një qendër e arsimit dhe njerëzit udhëtuan nga e gjithë bota për të studiuar në atë që do të bëhej Universiteti Sankore.
Mbreti i pasur shpesh kreditohet me fillimin e traditës së arsimit në Afrikën Perëndimore, edhe pse historia e perandorisë së tij mbetet kryesisht pak e njohur jashtë Afrikës Perëndimore.
Pasi Mansa Musa vdiq në vitin 1337, 57 vjeç, perandoria u trashëgua nga bijtë e tij, të cilët nuk mundën të mbanin perandorinë të bashkuar. Shtetet më të vogla u shpërndanë dhe perandoria u shkatërrua.
Ardhja e mëvonshme e evropianëve në rajon ishte “gozhda përfundimtare në arkivolin e perandorisë”.
“Historia e periudhës mesjetare ende shihet kryesisht si një histori perëndimore”, thotë Lisa Corrin Graziose, duke shpjeguar pse historia e Mansa Musa nuk është e njohur gjerësisht.
“Sikur evropianët të vinin në numër të konsiderueshëm në kohën e Musës, me Malin në kulmin e fuqisë së saj ushtarake dhe ekonomike në vend të disa qindra vjetëve më vonë, gjërat pothuajse me siguri do të ishin ndryshe”, thotë Rudolph Butch Ware.