Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj ka njoftuar partnerët ndërkombëtarë të Malit të Zi, përfshirë ShBA-në, se qeveria e re malazeze po i diskriminon në mënyrë aktive shqiptarët.
“Qeveria po i diskriminon shqiptarët dhe nuk bashkëpunon me komunën e Tuzit. Arsyet janë të ndryshme, por kryesisht është për shkak të urrejtjes që ata kanë për banorët që jetojnë në këtë zonë”,- ka thënë Gjeloshaj.
“Unë i kam njoftuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë, deri në Departamentin e Shtetit të ShBA. Gjithashtu jemi në komunikim të drejtpërdrejtë me lobistët tanë në SHBA dhe organizatat shqiptaro-amerikane”,- ka shtuar ai.
Gjeloshaj reagoi në fillim të këtij muaji se buxheti i shtetit i këtij viti nuk përfshinte asnjë investim në Tuz, duke theksuar se kjo do të ngadalësojnë projektet infrastrukturore në Komunë.
“E paralajmëruam Qeverinë se kjo do të ngadalësojë projektet tona lokale, por fatkeqësisht nuk morëm asnjë përgjigje. Kjo dëshmon se kjo Qeveri po punon në mënyrë të organizuar në shembjen e komunës së Tuzit si qëllimin përfundimtar”,- ka theksuar Gjeloshaj .
Deputeti shqiptar Genci Nimanbegu dënon brohoritjet e tifozëve kundër shqiptarëve
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, Genci Nimanbegu, ka reaguar ashpër gjatë një diskutimi në Parlament, duke i dënuar brohoritjet e tifozëve të klubit të futbollit “Buduqnost” në ndeshjen me Deçiqin për Kupën e Malit të Zi.
Lidhur me ketë ngjarje Nimanbegu tha: “Shpreh dënimin tim të madh njerëzor si deputet para komunitetit shqiptar në Mal të Zi, para shqiptarëve në Mal të Zi, për ngjarjet në stadiumin në Goricë. Ndeshja është dashur të ishte një festë futbolli, kur dy skuadra luajnë finalen e Kupës së Shtetit midis “Buduqnostit” dhe “Deçiqit”, klube fqinje, klube miqësore. Tifozllëku i tifozëve “Varvari”, duke përdorur fjalë që të gjithë i njohim me sinonimin “shiptar”. Sinonimi “shiptar” nuk është sinonim për shqiptarët, është një nga fjalët më fyese që qytetarët në këtë zonë kanë ndaj dikujt tjetër, veçanarisht ndaj nesh, dhe kjo duhet të dënohet. Dua të theksoj pakënaqësinë e madhe të shqiptarëve në Mal të Zi me atë që ndodhi dhe u bëj thirrje të gjitha institucioneve, partive politike, qytetarëve, intelektualëve që ta dënojnë këtë. Tifozët e Buduqnostit janë fëmijët e dikujt, djemtë e dikujt, vëllezërit, fqinjët. Sipas mendimit tim, ai titull i Kupës do të duhej t’i hiqet “Buduqnostit”, edhe pse ata e fituan me meritë në fushën e gjelbërt, si një mësim për “Buduqnostin” që një mënyrë e tillë e mbështetjes nuk duhet t’u përsëritet më tifozëve. Një tifozllëk ka gjithashtu një kundërtifozllëk. Më duhet të lavdëroj kolegun tim Nik Gjeloshaj, i cili me reagimin e tij ndaloi kundërtifozllëkun, gjë që mund të kishte ndodhur në stadiumin e Buduqnostit. Falënderoj të gjithë ata që do t’i përgjigjen këtij apelit tim për këtë ngjarje. Gjithashtu falënderoj edhe Kryetarin e shtetit që ka reaguar i pari, pastaj Partinë Liberale dhe SDP-në që kanë reaguar dhe i ftoj të gjithë të reagojnë. Ky incident nuk duhet të nënvlerësohet, nëse ka ndodhur në të kaluarën, ai në të ardhmen e shkatërron Malin e Zi qytetar”,- ka shtuar Nimanbegu.
Shënon rënie numri i të infektuarve me koronavirus në Mal të Zi
Në Mal të Zi një person e ka humbur jetën, kurse janë regjistruar 29 raste të reja të infektimit me Covid-19. Në Mal të Zi gjatë 24 orëve të fundit 1 person e ka humbur jetën, kurse janë regjistruar 29 raste të reja të infektimit, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik i Malit të Zi.
Numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjeve si pasojë e infektimit me Covid-19 në Mal të Zi prej fillimit të pandemisë ka shkuar në 1.585 persona. Deri sot në ora 15.00 është konfirmuar edhe shërimi i 75 pacientëve. Në Qendrën Klinike të Malit të Zi jetën e kanë në rrezik 11 pacientë të infektuar me virusin korona (Covid-19). Siç bëhet me dije në këtë institucion shëndetësor janë të hospitalizuar 33 pacientë me infeksionin Covid-19. Duke marrë parasysh të gjitha rastet e fundit të infektimit, si dhe numrin e të shëruarve, numri i përgjithshëm i rasteve aktive me koronavirus në Mal të Zi është 832. Prej fillimit të pandemisë në mars të vitit të kaluar, numri i përgjithshëm i rasteve të infektimit me koronavirus në Malin e Zi është 99 mijë e 623 persona.
Mali i Zi disponon numër të mjaftueshëm të vaksinave
Sistemi shëndetësor i Malit të Zi disponon numër të mjaftueshëm të vaksinave kundër koronavirusit, kështu që paraqitja për vaksinim është e domosdoshme vetëm në rast të vizitës së ekipit të patronazhit. Personat e caktuar, të cilët për shkak të gjendjes së përgjithshme shëndetësore nuk janë në gjendje të vijnë në pikën e vaksinimit, prej sot mund të thërrasin në numrin e telefonit 1717 në mënyrë që tek shtëpia t’i arrijë ekipi i patronazhit, është kumtuar nga Qeveria.
Për të gjithë qytetarët e tjerë procesi i imunizimit kryhet çdo ditë prej orës 08.00 deri në orën 20.00, në më shumë se 140 pika vaksinimi në Mal të Zi. Të rikujtojmë se deri më sot dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19 e kanë marrë 133 mijë e 828 persona, kurse të dytën 84 mijë e 478 persona.
Mali i Zi lehtëson masat kundër koronavirusit
Restorantet dhe kafenetë mund të punojnë një orë më gjatë, deri në mesnatë, kurse muzika live në tarraca lejohet prej orës 20.00 deri në orën 23.00. Sipas masave të reja lejohet edhe puna e parqeve zbavitëse dhe ngjashëm, ka kumtuar Borko Bajiq, sekretar shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në Mal të Zi po ashtu do të lejohen edhe tubimet private dhe publike në vendet e hapura me praninë të deri 50 personave dhe duke respektuar rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik. Në vazhdim do të lejohet edhe prania e publikut në manifestimet sportive me kusht që kapacitetet të jenë të plotësuara deri në 10 për qind dhe të jetë së paku 1 vend i zbrazët midis spektatorëve. Lejohen edhe stërvitjet në vendet e hapura, gjithashtu deri në 50 njerëz.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi organizoi trajnim për liderët e rinj
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi organizoi trajnimin për të rinj me temë “Rëndësia e pjesëmarrjes së të rinjve shqiptarë në Mal të Zi në jetën publike e politike”.
Ky trajnim u organizua në kuadër të Planit të Veprimit për implementimin e Strategjisë për pakicat kombëtare 2019-2023, për periudhën 2021-2022. Në këtë Trajnim morën pjesë të rinj shqiptar nga Plava, Gucia, Tuzi-Malësia, Tivari e Ulqini, të moshës nga 16 deri në 25 vjeç, të cilët kanë prirje dhe e përcjellin me vëmendje jetën publike dhe politike në Mal të Zi.
Ligjërues të këtij Trajnimi ishin profesorë dhe gazetarë të njohur nga trevat shqiptare, Adri Nurellari, Alban Dudushi, Ermal Hasimja, Arbër Hitaj, Ardian Lama, Benjamin Kolenoviq, Ilir Kalemaj, Neratin Sejamini.
Në këtë Trajnim u trajtuan një sërë seancash mësimore të kombinuara të teorisë dhe praktikës. Pjesë e trajnimit ishte edhe një seancë intensive gjysmëditore, përgatitje mediatike e të rinjve pjesëmarrës për të mësuar se si të paraqiten sa më mirë në mediat audio-vizive (Tv-Radio etj.).
Në fund të trajnimit, kryetari i KKSH-së, Faik Nika për pjesëmarrësit ndau certifikata për njohuritë e fituara.