1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Malcolm: Bashkimi Shqipëri – Kosovë, komplet legjitim

Më të lexuarat

Jeta e tij duket e mërzitshme. Çdo ditë i njëjti itinerar. Izolim në Oxford, nëpër biblioteka dhe arkiva, më pas punë në zyrë dhe kaq. Por, ai nuk është një njeri i zakonshëm. Sir Noel Malcolm, akademik, kërkues shkencor, historian, e më herët gazetar.

Në rininë e hershme gjithçka ka qenë ndryshe. Ai ka prekur shumë realitete, ka lindur eksplorues, ka pasur një kuriozitet të veçantë për Ballkanin dhe gjuhët e tij.

“Fillova të udhëtoj shumë qëkur isha student. Ndërsa sa i përket shqipes, është pak e vështirë në disa pjesë dhe më e thjeshtë në të tjera. Por, më pëlqen ndjesia e kësaj gjuhe, ka fraza dhe idioma të bukura. Kam udhëtuar në disa pjesë të Shqipërisë, përfshi veriun, Thethin, Valbonën e disa të tjera. Pra, ka një kombinim i një interesi të zakonshëm njerëzor me atë akademik dhe historik. Të shkosh në vende të ndryshme dhe gjithmonë të mësosh më shumë rreth tyre”, thotë Malcolm për TopChannel.

Por, emri i tij është lidhur në mënyrë të veçantë me Kosovën.

“Karriera ime nisi në Universitetin e Kembrixhit. Aty bëra doktoraturën time dhe isha profesor për 7 vjet, por e gjeta pak frustruese mësimdhënien dhe administratën. Kështu që e lashë punën akademike dhe u bëra gazetar. Shkruaja komente dhe analiza politike, gjithashtu edhe për çështjen e jashtme për revistën “Spectator”. Isha redaktor i punëve të jashtme. Dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën e fillimit të luftës së Ballkanit. Lufta e Millosheviqit në Jugosllavi. Dhe për hir të faktit që unë kam një interes të veçantë për Ballkanin dhe gjuhët. U bëra shumë aktiv në të. Dhe fillova të publikoja artikuj dhe të përfshija disa polemika kundër lobit serb në Londër. Nga kjo nisi ideja e procesit të të shkruarit fillimisht për historinë e Bosnjës dhe më pas historinë e Kosovës. Por, ndërkohë isha vazhdimisht duke u thelluar në punën time akademike dhe të shkruaja libra historiko-filozofikë, që janë edhe kërkimet e mia më origjinale akademike.
Pas kësaj u ktheva në Universitetin e Oksfordit dhe kjo është puna ime aktuale, hulumtimet pedagogjike në Oksford”, tregon Malcolm.

Historianët thonë se me kërkimet e tyre duhet t’i shërbejnë kohës, së ardhmes dhe kombeve. Historia e kombit tonë ka ndryshuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Tashmë kemi dy shtete shqiptare në Ballkan. Por, ç’mendon Sir Noel Malcolm për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën?

“Nuk jam një ekspert i së ardhmes, por mendoj që nëse ekziston dëshira e fortë e të dyja shteteve, është komplet legjitime. Megjithatë, shoh edhe një sërë problemesh ekstreme në këtë ide. Ekziston një ide në vende të tjera që kjo mund të jetë e rrezikshme dhe destabilizuese për Ballkanin. Personalisht, nuk e shikoj një çështje problematike, por shoh që një fushatë e tillë mund të irritojë fuqitë perëndimore. Mund të ishte një gabim taktik”, përgjigjet Malcolm.

Ballkanasit etiketohen shpesh si njerëz shpërthyes, gjaknxehtë dhe me emocione të larta. Por, si jemi në fakt në syrin e zhveshur emocionalisht të një anglezi të ftohtë?

“Nuk mund të përgjithësoj, por në një përgjithësim të madh mund të them që shqiptarët janë mesdhetarë dhe në rast se ne kemi disa stereotipe si për italianët apo mesdhetarët e tjerë, disa prej tyre mund të jenë edhe për shqiptarët. Por, shqiptarët janë edhe ballkanas dhe si të tillë kanë kushte të vështira fizike ndonjëherë, veçanërisht në vendet malore, ku ju zhvilloni sjellje apo psikologji të tilla si të kujdeseni për veten dhe kjo mund të tingëllojë e çuditshme për dikë tjetër, që jeton në një fshat bregdetar dhe shkon për peshkim çdo ditë. Pra, nuk mund të bëj përcaktime apo përgjithësime psikologjike, por unë mendoj se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Disa karakteristika më bëjnë të ndiej se është një vend i ri. Që lëviz dhe avancon shumë shpejt. Por, gjithashtu e pëlqej sepse më jep një ndjesi të traditave të forta, që ne i kemi humbur në pjesën më të madhe të Evropës”, deklaron Malcolm.

Noel Malcom e ndien veten me fat, pavarësisht se bën një jetë të thjeshtë akademiku. Kjo është puna që i pëlqen, të ketë luksin e qetësisë në studimet e veta. Dhe kur dikush e do atë që bën, e ka të pamundur të ankohet: “E quaj veten me fat sepse puna ime në Oksford është e një rangu të veçantë, që jo shumë të tjerë e kanë. 100% kërkime. Nuk kam përgjegjësi për studentët. Kam disa studentë të doktoraturës herë pas here, por zyrtarisht puna ime është 100% kërkim. Ky është një privilegj fantastik për një historian. Nëse je vërtet i motivuar të shkosh në bibliotekë apo arkiva. Këtë bëj dhe nuk ankohem. Ka shumë pak punë të tilla në sistemin akademik. Por, në një shikim të jashtëm, jeta ime është shumë e mërzitshme, jam thjesht një akademik”.

Interesi i kërkimit i përket dy fushave. Fokusi special ka qenë filozofi Thomas Hobs dhe marrëdhëniet midis Evropës Perëndimore dhe botës islamiko-otomane. Përtej kësaj, interesi i tij në kërkime janë idetë. Por, a ka një qëllim përfundimtar puna e një historiani dhe kërkuesi?

“Nuk dua ta ekzagjeroj, por mendoj se kur fillova punën për Thomas Hobs, isha duke parë për një moment kyç në zhvillimin e mentalitetit modern, për shumë gjëra. Fenë, shkencën, politikën. Pra, kjo është shumë e rëndësishmë në sens historik dhe një pikë kthese në historinë e qytetërimit perëndimor. Për Ballkanin unë thjesht ndoqa interesin tim të veçantë dhe do shoh se ku do më çojë. Historia nuk mund të shkruhet për një qëllim politik, por thjesht për dokumentim. Por, nga ana tjetër është e vërtetë që unë e shkruajta historinë e Bosnjës sepse aty kishte një luftë dhe unë doja ta ndihmoja Bosnjën. Shkruajta historinë për Kosovën sepse kishte një luftë, jo ende, por pritej shumë shpejt, çdokush mund ta kuptonte dhe unë doja ta ndihmoja Kosovën”, shpjegon Malcolm.

Ai nuk lodhet kur flet për shqiptarët. Sir Noel Malcolm është anglezi tipik, strikt, me humor të hollë, vetëpërmbajtje dhe shumë i thjeshtë. Por, Sir Noel Malcolm kishte një thjeshtësi prej akademiku.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit