Fushata e re në Francë me shënjestër veshjen muslimane
Nxënëset në Francë nuk do të mund të kalojnë nëpër portat e shkollës nëse paraqiten në shkollë me abaja, tha presidenti Emmanuel Macron, duke thënë se autoritetet do të jenë “të pamëshirshme” në zbatimin e ndalimit të ri për veshjen tradicionale myslimane, raporton AP.
Macron bëri komentin e tij të parë publik mbi kodin e ri të veshjes pasi vizitoi një shkollë në Francën jugore, sipas agjencive.
“Ne e dimë se do të ketë raste kur nxënëset do të përpiqen të ‘provojnë rregullin’”, tha lideri francez.
Duke folur për mënyrën sesi do të zbatohej masa e re, Macron tha se “stafi special” do të vendoset në shkollat ”të ndjeshme” për të ndihmuar drejtorët dhe mësuesit dhe për të dialoguar me nxënëset dhe familjet e tyre, nëse është e nevojshme.
Ndalimet e mëparshme
Vendimi për ndalimin e veshjes së abajas u prezantua javën e kaluar nga ministri i Arsimit i Francës, Gabriel Attal.
“Kemi vendosur që nuk do të mund të vish me abaja në shkolla. Kur hyni në një klasë, nuk duhet të jeni në gjendje të dalloni se cilës fe i përket një nxënëse vetëm duke parë njërën prej tyre”, tha Attal.
Ai më parë tha se 14,000 staf arsimor në pozita udhëheqëse do të trajnohen deri në fund të këtij viti për t’u marrë me zbatimin dhe çështje të tjera në ruajtjen e sekularizmit, dhe 300,000 staf do të trajnohen deri në vitin 2025.
Në Francë, mbajtja e shamive në shkolla u ndalua në vitin 2004, ndërsa në vitin 2010 u vendos ndalimi i mbajtjes së mbulesës në publik, gjë që çoi në pakënaqësi në mesin e komunitetit pesë milionë muslimanë në Francë. /tesheshi.com/