“Franca me partnerët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të marrë iniciativë që OKB-ja të dënojë gjenocidin në vazhdim dhe spastrimin etnik”, deklaroi presidenti Macron
PARIS (AA) – Presidenti francez Emmanuel Macron, i përshkroi si “gjenocid në vazhdim” sulmet ndaj Rohingyave (muslimanëve të Arakanit), transmeton Anadolu Agency (AA).
I ndodhur në New York për takimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Macron në një deklaratë për kanalin televiziv francez TMC tha se duhet të dënohet spastrimi etnik që po kryhet kundër muslimanëve të Arakanit në Mianmar dhe se në lidhje me këtë çështje duhet të kalohet në veprim.
Ai tha se duhet të bëhet thirrje për ndalimin e dhunës dhe të kërkohet dërgimi i ndihmave humanitare në rajon. Macron thekson se është e rëndësishme që çështja të diskutohet në kuadër të OKB-së.
“Franca me partnerët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të marrë iniciativë që OKB-ja të dënojë gjenocidin në vazhdim dhe spastrimin etnik”, deklaroi presidenti Macron.
Macron ditën e djeshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ku mbajti fjalim për herë të parë që nga ardhja e tij në detyrë i kishte cilësuar si “spastrim etnik” masakrat e kryera ndaj muslimanëve të Arakanit.
Pas sulmeve ndaj muslimanëve të Arakanit në Mianmar kanë humbur jetën mijëra persona si dhe parashikohet se mbi 400 mijë të tjerë janë shpërngulur duke kaluar në vendin fqinj në Bangladesh.