Para disa qindra viteve në Medine jetonte një lypës. Ishte i moshuar dhe i verbër, por gjithmonë këndonte ilahi derisa lypte. Një herë një kalimtar rasti e pyeti: “O njeri, ti je i verbër dhe i moshuar, por gjithmonë je i gëzuar dhe i buzëqeshur!?”
Plaku iu përgjigj: “Kur isha i ri, kështu sikurse ti, kam bërë zullume dhe padrejtësi. Kam dashur atë që është e ndaluar në fe, e çka është më e keqja, me vëllanë tim nuk kisha marrëdhënie të mira.
Ai ishte në atë kohë më i varfër se unë dhe vinte tek unë për të lypur dhe kërkonte hallallin edhe pse nuk ishte fajtor për asgjë. Unë çdoherë e refuzoja dhe njerëzve iu thosha se ai nuk ishte vëllai im, nuk e pranoj si gjak timin.
Kaluan disa vite, derisa një ditë vendosa që ta falë, gjegjësisht të kërkoj falje nga ai. Kur arrita te dera e shtëpisë së tij, gruaja dhe fëmija e tij ishin të përlotur, kisha shkuar pikërisht në ditën kur vëllai im kishte ndërruar jetë. Ishte njeri bujar edhe pse nuk kishte edhe shumë për të ngrënë, e ndante edhe me të tjerët. Më thanë se kishte ëndërruar për ditën kur unë do të pajtohesha me të.
Dita kur dëgjova për vdekjen e vëllait ishte dita më e vështirë në jetën time. Nuk e dija se a të pendohem së pari apo ta kritikoj veten dhe të pendohem. Pas varrimit të vëllait u ndjeva i dëshpëruar dhe humba dëshirën për gjithçka që më gëzonte.
Vendosa ta shes gjithë pasurinë (pronën) që posedoja dhe t’ua shpërndaj të varfërve, ndërsa për vete ta lë pjesën më të vogël, në mënyrë që të shpëtoj nga dënimi i Zotit. Me kalimin e kohës edhe ajo pjesë e vogël e pasurisë m’u harxhua. Por, në shpirt më mbeti hapësira dhe ndjenja e mëkatit të madh që e mbart me vete. Kështu që, vendosa t’i drejtohem me lutje Allahut të Lartësuar dhe edhe njëherë të kërkoj faljen e Tij nga zemra.
Thashë: ”O Allahu im i dashur, më fal për mëkatin që bëra ndaj tim vëlla edhe nëse kjo falje më kushton me të parit tim.” Pas disa ditëve u zgjova i verbër! Të gjithë habiteshin se si e humba të parit kur unë isha i shëndoshë, mirëpo unë e dija arsyen. Tash këndoj ilahi derisa lypi dhe ndihem më i lumtur se kurrë më parë, sepse më është falur ky mëkat, insha-Allah.”
Përktheu: Arsim SYLA
Burimi: sebil.eu