2.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Lutjet që nuk refuzohen

Më të lexuarat

1. Lutja e besimtarit për vëllanë e tij musliman në mospraninë e tij:

Nga Ebu Derdaja r.a, transmetohet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk ka musliman që e lut Allahun për vëllanë e tij, në mospraninë e tij, e që meleku i cili është i caktuar për të, të mos e bëj të njëjtën lutje për atë që lutet.” (Shënon Muslimi)

2. Lutja e atij që i është bërë padrejtësi:

“Kur i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, vendosi ta dërgonte Muadhin në Jemen, e këshilloi me fjalët: “Ruaju lutjes së atij që i është bërë padrejtësi, sepse me të vërtetë ndërmjet lutjes së tij dhe Allahut nuk ka kurrfarë perdeje (pengese).” (Shënon Buhariu)

3. Lutja e udhëtarit:

Nga Ebu Hurejra, r.a, transmetohet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “ Tri lutje nuk kthehen mbrapa dhe për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi: lutja e atij që i është bërë padrejtësi, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindit për fëmijën e tij.” (Shënon Tirmidhiu)

4. Lutja e agjëruesit në kohën e iftarit dhe lutja e prijësit-imamit të drejtë:

Sipas hadithit që transmeton Ebu Hurejre, tre personave nuk ju kthehet lutja mbrapa: “Agjëruesit derisa të hyjë koha e iftarit, imamit të drejtë dhe atij që i është bërë padrejtësi”. (Shënon Tirmidhiu)

5. Lutja e fëmijës së mirë:

Nga Ebu Hurejra r.a, mësohet se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kur vdes njeriu ndërpritet veprat e tij, përveç në tri raste: Nëse mbas vete len sadaka të vazhdueshme (nga e cila përfitojnë nevojtarët), dituri të dobishme dhe fëmijë të mirë, i cili lutet për të.”(Shënon Muslimi)

6. Lutja e atij që është në vështirësi:

Sipas ajetit Kur’anor: “A është Ai që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen e juve ju bën mbizotërues të tokës…”(Neml, 62)

7. Ai që e kalon natën i pastër (me abdest) duke e përmendur Allahun:

Nga Muadh ibn Xhebeli transmetohet se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk ka besimtarë që e kalon natën me abdest dhe duke e përmendur Allahun pastaj të lutet për mirë në këtë dhe botën tjetër, e kjo lutje të mos i pranohet.” (Shënon Ebu Davudi dhe Ahmedi).

8. Lutja që e bëri Junusi a.s:

”Nga Sa’d ibn Ebi Vekasi, r.a, transmetohet se i Dërguari i Allahut, ka thënë: “Ai që e bën lutjen që e ka bërë Junusi a.s, në barkun e peshkut: ’Nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejtësi vetës.’, lutja do ti pranohet.” (Shënon Tirmidhiu dhe të tjerët).

9. Lutja e atij që zgjohet nga gjumi:

Nga Ubade ibn Samiti, r.a, transmetohet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: Kush zgjohet nga gjumi dhe thotë: S’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut Një dhe i pashoq, Atij i takon Sundimi dhe Lavdërimi dhe Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send. I Madhëruar qoftë Allahu, Falënderimi i takon Allahut, s’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Allahu është më i Madhi, s’ka ndryshim e as fuqi pa ndihmën e Allahut të Lartmadhëruar, -pastaj lutet dhe thotë: “O Zoti im, më fal”, lutja do t’i pranohet. Nëse pastaj fal namaz, do t’i pranohet te Allahu. (Shënon Buhariu dhe të tjerët).

10. Lutja e fëmijës së sinqertë për prindërit e tij:

Nga Ebu Hurejra r.a, transmetohet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:”Vërtet, Allahu do ta ngritë në pozitë të lartë në xhenet robin e Tij të sinqertë, e ai do të thotë: ’Zoti im prej nga më erdhën mua gjithë këto të mira? Do t’i thuhet: ”Ky është rezultat i lutjes së fëmijëve tu.”(Shënon Ahmedi, Ibn Kethiri e cilëson sahih).

11. Lutja e haxhiut dhe atij që e kryen umren, si dhe lutja luftëtarit në rrugë të Allahut:

Ibn Omeri shënon se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:”Luftëtari në rrugë të Allahut, haxhiu dhe ai që kryen umren, i përmalluar për Zotin e tij, lutjet e tyre janë të pranuara dhe ajo që e kërkojnë do t’u jepet.”(Shënon Ibn Maxhe, Albani e cilëson hasen).

12. Luta e atij që e përmend Allahun shumë:

Nga Ebu Hurejra r.a, transmetohet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Tre personave lutja nuk ju refuzohet: Atij që e përmend Allahun shpesh, atij që i është bërë padrejtësi dhe lutja e prijësit të drejtë.”(Shënojnë Bejhakiu dhe Taberaniu, Albani e cilëson hasen).

13. Duaja e atij që e do dhe e ka mëshiruar Allahu:

Nga Ebu Hurejra r.a, transmetohet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: Allahu i Lartësuar ka thënë: “Do t’i shpall luftë atij që tregon armiqësi ndaj robit Tim! Robi Im nuk më afrohet në mënyrë tjetër, përveç duke i kryer farzet (obligimet e domosdoshme). Ai vazhdon të më afrohet edhe më tepër me anë të veprave vullnetare, që e shton edhe më tepër dashurinë Time ndaj tij, e kështu Unë filloj ta dua atë, e kur e dua, atëherë bëhem veshi me të cilin dëgjon, syri me të cilin sheh, dora me të cilën bie, dhe këmba e tij me të cilën ecë. Nëse ky rob kërkon diçka prej meje, Unë me siguri do t’ia jap, nëse kërkon strehimin Tim, vërtet Unë do ta strehoj atë.” (Shënon Buhariu).

Përktheu: Arsim SYLA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit