0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

LUTJA DHE VETËDIJA E IHSANIT TE PROFETI A.S.

Më të lexuarat

Në hadithin e njohur me emrin “Hadithi i Xhibrilit a.s.”, Profeti ynë, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, pasi ka shprehur shtyllat e besimit dhe të Islamit, pyetet në lidhje me një term të quajtur ihsan, që përkthyer nga arabishtja do të thotë mirësi. Ç’është ihsani? – e pyet engjëlli, i dërguar enkas për t’i bërë Profetit a.s. disa pyetje në publik, në mënyrë që njerëzit të mësonin më tepër për sistemin fetar të cilin besonin. Dhe Muhamedi a.s. i jep këtë përgjigje: “Ta adhurosh Zotin/të jetosh me vetëdijen se je një rob i Zotit, sikurse e sheh Atë. Sepse megjithëse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty.”

Në fakt, kjo fjalë profetike po tregonte etapat prej të cilave kalon gjithkush që beson Fenë Islame. Në krye, në zemrën e njeriut ndizet shkëndija e besimit. Në momentin që ky besim tashmë ka zënë vend në zemrën e tij, kalohet në etapën e dytë, ku njeriu nis të jetojë ashtu siç udhëzon besimi i tij. Kështu nis të kompletojë mozaikun e adhurimeve me në krye fjalën e dëshmisë dhe namazin, e pastaj me adhurimet e tjera si agjërimi, lëmosha, haxhi, etj. Një besimtar që jeton duke plotësuar të gjitha këto dimensione të besimit, dalëngadalë arrin në një etapë të tretë, pra ihsanin, i cili është edhe një qëllim i lartë për çdo njeri.

Ihsani është një gradë e lartë dhe, logjikisht, çdo besimtar duhet ta ketë pasuruar jetën e tij me këtë dimension të besimit. Por ja që në fakt, nuk është pikërisht kështu. Arritja e ihsan-it mbetet një sfidë për çdo besimtar.

Si në çdo çështje tjetër, edhe në vetëdijen e të qenit krijesë e Allahut të Madhëruar, shembulli më i lartë është Profeti ynë a.s. Me jetën e tij, ai na ka orientuar edhe në çështjen e ihsanit. Në këtë aspekt, lutja në jetën e të Dërguarit a.s. është një dinamikë e rëndësishme për të arritur vetëdijen, që Zoti vazhdimisht na sheh, pavarësisht se ne nuk e shohim dot Atë. Një person, i cili kur ngihen në mëngjes e nis ditën me falënderim, kur ha mëngjesin e nis me emrin e Allahut, kur del nga shtëpia i lutet Allahut që dita t’i kalojë mirë dhe që çdo gjë të shkojë sipas kënaqësisë së Tij, që çdo punë e nis me Bismil’lahirr Rrahmanir Rrahim, do të jetë gjithnjë i vetëdijshëm se Zoti atë e vështron. Ky person edhe kur të gabojë, do të jetë i vetëdijshëm që ka gabuar përpara Zotit dhe do të pendohet me sinqeritet.

Por një njeri, në jetën e të cilit nuk gjendet lutja, është më e vështirë që të jetë vigjilent ndaj veprave të tij. Shpeshherë ai harron që gjendet përpara audiencës hyjnore dhe, si rezultat, shumë vepra nuk korrespondojnë me kënaqësinë e Allahut të Madhëruar.

Jo më kot Allahu shprehet kështu në suren Furkan: Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj (Furkan 25/77), e na sugjeron: Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! (Gafir, 40/60). Sepse lutja formon një relacion të fortë mes robit e Zotit.

Çdo veprim i Profetit a.s. ishte i mbështetur në një dua. Ai nuk dilte në udhë pa iu mbështetur të Plotfuqishmit. Në librat e hadithit vërejmë lutjet e tij në namaz, para gjumit, kur hynte në shtrat, kur ngrihej për tehexhud, kur zgjohej në mëngjes, kur bëhej darkë, kur nis ushqimin e kur e përfundon atë, madje edhe kur hyn e del nga banja për të kryer nevojat e tij personale. Të përmendim disa shembuj rreth lutjeve të tij kuptimplota:

Sapo zgjohej në mëngjes thoshte: “Zoti im, u gdhiva duke pohuar se: Ti je Allahu, nuk ka zot tjetër veç Teje dhe se Muhamedi është robi Yt e Profeti Yt dhe për këtë të mbaj Ty dëshmitar dhe mbaj dëshmitarë të gjithë banorët e gjithësisë, gjithë engjëjt e gjithë krijesat”.

Kur bëhej darkë: “Zoti im! U ngrysa duke dëshmuar e duke mbajtur dëshmitarë të gjithë ata që mbajnë kupën e qiejve, engjëjt e gjithë krijesat, se nuk ka zot tjetër veç teje, se nuk ke shok e as ortak dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari Yt”.

Pas ushqimit: “Falënderimi i takon Allahut, që na shuajti urinë dhe etjen, dhe na bëri besimtarë”.

Kur vishte rrobat: “Falënderimi i takon Allahut, që më veshi këtë rrobë dhe ma dhuroi, pa përpjekjen dhe fuqinë time”.

Kur hynte në xhami: “Me emër të Allahut, paqja e bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Tij a.s. O Zoti im! M’i fal mëkatet dhe m’i hap dyert e mëshirës”.

Kur dilte nga xhamia:“Me emër të Allahut, paqja e bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Tij a.s. O Zoti im! Të kërkoj nga mirësia Jote! Zoti im! Më mbro nga shejtani i mallkuar!”

Kur ngrihej nga një kuvend: “Zoti im! Ti je larg çdo të mete. Falënderimet dhe lëvdatat janë vetëm për Ty. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Teje. Kërkoj faljen Tënde dhe tek Ti pendohem”.

Pasi pinte ujë: “Falënderimi i takon Allahut, që me mëshirën e Tij, na shuajti etjen me ujë të freskët e të ëmbël dhe që nuk e bëri atë të kripur e të papijshëm”.

Kur shihej në pasqyrë: “Falënderimi i takon Allahut. Zoti im! Ma zbukuro moralin, ashtu siç më ke krijuar të bukur”.

Kur hipte në një mjet transporti: “Larg çdo të mete është Allahu, që na ka dhënë në shërbim këtë mjet, sepse ne vetë (pa ndihmën dhe krijimin e Tij) nuk mund t’ia arrinim dot kësaj. Pa dyshim që kthimi ynë është tek Allahu”.

Kur hynte në shtëpi: “Zoti im! Të kërkoj mirësi në hyrjen dhe daljen time. Me emrin e Allahut hymë, me emrin e Tij dolëm dhe tek Allahu mbështetemi”.

Kur dilte nga shtëpia: “Me emrin e Allahut. Mbështetem tek Allahu. Çdo lloj ndihme vjen vetëm me fuqinë e Allahut të Madhërishëm”.

Përpara se të flinte: “Vdes dhe ngjallem (fle dhe zgjohem), duke përmendur emrin Tënd”.

Shembujt që përmendëm deri këtu janë disa nga fragmentet e një jete e përkushtuar Allahut, Krijuesit të gjithësisë. Ai është shembulli më i madh për ne si në të gjitha këndvështrimet e jetës ndër të cilat është edhe adhurimi.

Kush e kalon ditën e tij duke shprehur vazhdimisht këto lutje, patjetër që do të ecë drejt vetëdijes së përsosur, ihsanit. Zot na bëj prej atyre, që ndjekin udhën e ndritur të Profetit a.s.!

 

Elton Karaj

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit