Teshtima, dhimbje fyti, kollë, dhimbje koke. Kaq mjafton për t’u gjendur në një udhëkryq zgjedhjesh për të marrë një medikament që do të ofrojë qetësimin e të gjitha simptomave të një ftohjeje të zakonshme. Dilema nis që në shtëpi pa shkuar ende në farmaci, pasi kohët e fundit ekranet e televizioneve janë “zaptuar” nga bumi i reklamave për barnat pa recetë. Kryesisht në këtë periudhë të vitit reklamohen ato që quhen barna për ftohje të zakonshme të cilat jepen pa recetë të mjekut. Edhe pse në thelb të gjitha këto medikamente kanë të njëjtën lëndë aktive, pra të njëjtin funksion, konsumatori përsëri është i çorientuar në atë që duhet të zgjedhë. Sipas listës së miratuar të barnave pa recetë që mund të reklamohen në Shqipëri, e cila përmban më shumë se 700 emra tregtarë, 85 prej këtyre medikamenteve kanë si lëndë aktive paracetamolin.
Kështu përfaqësues të ndryshëm tregtarë, “bërtasin” përmes ekraneve se “paracetamoli” i tyre është më i mirë, ka efekt të menjëhershëm dhe shëron dhimbjen për të cilën ti po ankohesh. Çfarë mund të zgjedhë një individ në fluksin e madh të informacionit që vijnë mes reklamës nga televizionet për largimin e kollës në moment që të mos humbasësh takimin e shumëdëshiruar, apo joshjes me një pinguin që e ka gjetur zgjidhjen për dhimbjen e fytit dhe të kokës? Një sërë medikamentesh që reklamojnë një sërë efektesh lehtësuese për ftohjen kanë si lëndë aktive paracetamolin, pra, kanë të njëjtin funksion.
Në rastin konkret jemi duke folur për medikamente të cilat ndryshojnë pak nga njëri-tjetri nga doza që ato kanë. Por nga mënyra si reklamohen, çdokush bie në grackën e një “zgjidhje” më të mirë për dhimbjen e momentit. Sa i përket barnave që reklamohen për ftohje të zakonshme kanë të njëjtën lëndë vepruese, pra thelbësisht janë të njëjta produkte, por që kanë emra të ndryshëm tregtarë dhe mund të kenë pak ndryshim në varësi të dozës. Cila nga kompanitë ka më shumë mundësi për të përballuar reklamat, i ka ato më të shpeshta në ekrane. Në këto momente në vendin tonë reklamimi është legal referuar nenit 55 për publicitetin e medikamenteve pa recetë.
Grosistët mes marzhit të fitimit dhe reklamimit
Reklamat në televizione janë të shtrenjta. Mund të flasim për çmime që variojnë nga 400 lekë sekonda në 44 mijë lekë/sekondë. Sipas grosistëve ka televizione të cilat kërkojnë shuma në vlerën e 30 mijë eurove në muaj për reklamimin e një bari. Nëse flasim për tarifa të kripura reklamimi, është e çuditshme që në një treg të vogël siç është ai shqiptar për tregtimin e barnave, reklamat sa vijnë dhe shtohen. Sipas ligjit shqiptar përcaktohen qartë marzhet e fitimit si për importuesit ose grosistët ashtu edhe për farmacitë. Për të parët ligji parashikon një marzh fitimi në 11% mbi çmimin CIF (Cost-Insurance-Freight), por për barnat që janë në listën e rimbursimit ky marzh llogaritet në 8%, pasi barnat në listën e rimbursimit kanë më shumë qarkullim. Sa i përket farmacive, marzhi i fitimit me ligj është deri më 25 % mbi çmimin me të cilin e ka blerë nga importuesi, ndërsa për ato barna që janë në listën e rimbursimit bie në 19%-22%.
Referuar marzheve të fitimit që parashikon ligji, rënies së çmimit të barnave dhe tarifave të reklamimit sipas përfaqësueses së një kompanie farmaceutike, Kornelia Verria, përballimi i një reklame është pothuajse i pamundur edhe pse ne shohim një shtim të tyre kohet e fundit në televizione.
“Në kushtet aktuale, më të prirura që të bëjnë reklama në media për medikamente të caktuara janë ato kompani që subvencionohen nga jashtë, pra nga kompanitë mëma”. Më tej Verria shpjegon se janë edhe dy raste të tjera kur kompanitë janë të prirura që të bëjnë reklamë. “Në rastin e parë kompania mund të ketë një stok të madh barnash. Duke qenë përpara faktit se mund t’i skadojnë është e prirur që të bëjë reklamë për të siguruar paratë që ka shpenzuar për blerjen e tyre. Por kemi edhe food supplement (shtesat ushqimore) dhe pajisjet mjekësore që i japin mundësinë kompanisë që t’i reklamojë, pasi shteti nuk të përcakton normën e fitimit“, thotë Kornelia Verria.
“Këtu mund të luash me një normë fitimi 15% deri në 20% por jo më shumë, kështu mund të nxjerrësh shpenzimet si dhe reklamimet”. Sa i përket buxhetit që një kompani përdor për reklamimin, ai nuk është më i madh se 5-10% të xhiros mujore, sipas Verrias. Referuar kritereve të reklamimit të një bari, Verria shprehet se nuk është në dijeni që të ketë të tilla. “I vetmi kusht është paraqitja e një kërkese tek Agjencia e Barnave. Kjo e fundit nëse jep miratimin për një reklamë, edhe e kontrollon atë para se të transmetohet”.
Pro reklamave korrekte për barnat! Kundër reklamimit të aktivitetit mjekësor!
Tregu farmaceutik funksionon me tre nivele, importuesit, depot sekondare dhe farmacitë. Importuesit ose grosistët kanë kontrata ekskluzive ose jo për të importuar barna nga jashtë dhe merren dhe me promocionin e produkteve. Depot sekondare i shpërndajnë barnat tek farmacitë, ndërkohë që ka një trend të anashkalimit të kësaj hallke. Produktet që qarkullojnë më shpesh në tregun farmaceutik janë barnat dhe norma e fitimit për to përcaktohet me ligj nga shteti. Por pavarësisht kësaj ka një trend në rritje të reklamave për barna në media. Reklama në ekran e barnave lejohet për barnat që janë pa recetë ndërsa për barnat me recetë reklamimi është i ndaluar në mënyrë kategorike, shprehet për revistën “Scan“ farmakologu Leonard Deda. Barnat që mund të jepen pa recetë ose OTC janë të ngjashme, por jo identike. Kriteri i vetëm në Shqipëri për reklamimin e barnave është që të jenë pjesë e listës që e lejon reklamimin e tyre, e miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Agjencia e Barnave.
“Lista hartohet nga një komision teknik që është në harmoni me principet europiane, pasi në Amerikë janë më liberalë për barnat pa recetë. Bari duhet të jetë i përshtatshëm për të trajtuar gjendje shëndetësore të cilat vetë pacienti mund t’i “diagnostikojë”, si dhimbje akute kalimtare koke, dhëmballe, këmbe apo të muskujve, gjendje virale për të cilën vetë individi ka përvojë që të përcaktojë se çfarë ka”, shprehet farmakologu Deda. Në këndvështrimin e tij Leonard Deda, nuk e sheh negativisht reklamimin e barnave.
“Nuk kemi një rregullore të specifikuar në Shqipëri për reklamën, por neni 55 saktëson se reklamimi kërkon aprovim nga Agjencia Kombëtare e Barnave. Kështu çdo media serioze duhet që të paktën të ketë lejimin për reklamim të një bari. Barnat janë mallra, por janë në një regjim të veçantë tregtimi. Reklamimi bëhet në vijim të qëllimit që reklama shet mallin, në këtë aspekt nuk kemi pse të ndajmë barnat nga mallrat e tjerë. Një kompani që sjell një bar në Shqipëri ka të gjithë të drejtën që ta reklamojë atë, por në mënyrë korrekte duke e informuar publikun për të vërtetën që mbart ai medikament”, nënvizon farmakologu.
Por Deda nuk ndan të njëjtin mendim sa i përket reklamimit që u bëhet klinikave të ndryshme apo mjekëve të ndryshëm në ekranet televizive. Pyetja se a duhet të lejohet reklamimi i aktivitetit të një mjeku apo një klinike i ka “turbulluar” shumë herë mendimet.
“Kjo është një pyetje që ia kam bërë disa herë vetes. Nuk është mirë që bëhet reklamimi i tyre do të ishte më mirë që të përdoreshin mënyra të tjera të reklamimit për këtë aspekt. Nuk jam pro reklamimit të aktivitetit mjekësor të mjekëve të ndryshëm,” thotë ai.
Kriteret për listën e barnave që reklamohen
Nga rreth 6000 barna që qarkullojnë në Shqipëri, rreth 700 emra tregtarë janë në listën që u lejohet që të reklamohen në media. Numri i lëndëve vepruese që këto 700 emra tregtarë përmbajnë është i reduktuar, mund të jenë rreth 100 me të gjitha kombinimet. Për të përcaktuar nëse një bar do të jetë pjesë e listës së barnave që lejohen të reklamohen, tre janë kriteret që analizohen: Paketimi, pra përcaktimi i formës, doza dhe lënda vepruese. Ndërkohë që paketimi përcakton nëse është bar që mund të jepet pa recetë apo jo. Sa i përket rrezikut të përdorimit të medikamenteve për të gjitha kategoritë ka rrezik, pasi duhet të përdoren në masën dhe sasinë e duhur. Për këtë arsye zgjidhen kandidatë për t’u përfshirë në listë ato barna të cilat kanë një rrezik të vogël dhe sido që të vijë puna edhe nëse përdoret gjithë paketimi të mos ketë rrezik.
Reklamat të flasin edhe për efektet e mundshme anësore!
Pas një vëzhgimi në kohë të shkurtër, të reklamave të realizuara në ekranet shqiptare për medikamentet, rezulton se ato nuk flasin asnjëherë për efekte anësore të tyre. Nëse bëjmë një krahasim me reklamat të cilat transmetohen në vendet e tjera si Greqi, Gjermani apo Itali, në fund të një reklame gjithmonë lexohet me zë si dhe është e shkruar se bari mund të ketë efekte anësore dhe për këtë duhet që të konsultohesh me mjekun. Madje nëse i referohesh një antigripi, i cili reklamohet edhe në vendi tonë duke përdorur të njëjtën formulë si kompania mëmë, pinguinin, në vendin tonë nuk paralajmërohet në fund apo të këshillohet konsulta me mjekun.
Ndërkohë që në po të njëjtën reklamë, për të njëjtin produkt, por të trasmetuar në Gjermani, në fund të reklamës këshillohet konsultimi me mjekun para konsumimit. Legjislacioni në vendin tonë sa i përket reklamimit të barnave është i mangët dhe duhet të përmirësohet sipas farmakologut Gëzim Bocari.
“Reklama, më saktë media i edukon njerëzit, nëse reklama e barnave nuk është e kontrolluar dhe e standartizuar siç duhet më shumë e dëmton pacientin. Kështu që legjislacioni duhet të përmirësohet, konkretisht reklama për barnat para se të shfaqet në televizor duhet që të marrë një miratim nga mjekët specialistë farmakologë që i kemi. Këtë funksion konkretisht e kryen Agjencia, por nuk ka njerëz të specializuar në farmakologjinë klinike, ky është një defekt që duhet të rregullohet,” thotë ai.
Gjatë reklamimit të një bari në vendin tonë abuzohet sa i përket raportit të indikacioneve, pra të efekteve pozitive që janë të pritshme dhe mundësive për efekte të padëshiruara, sipas Bocarit.
“Duhet që përqindjen më të madhe të rreshtave dhe të fjalëve që përdoren në një reklamë, të jenë për efektet e padëshiruara që mund të japë një medikament. Kjo pasi qytetari nuk ka ku t’i mësojë. Një gjë e tillë duhet të jetë me imponim dhe këtë mund ta bëjnë farmakologët. Por shteti me ligj këtë të drejtë ia ka dhënë Agjencisë së Barnave, që nuk i ka kapacitetet për ta bërë një gjë të tillë,”shprehet ai.
Sipas tij një tjetër problematikë është edhe reklamimi i barnave në rrjetet sociale, prej të cilave janë viktima pjesa më e madhe e qytetarëve.
Duhet të përmirësohet legjislacioni për reklamimin e barnave
Sa i përket legjislacionit në fuqi për publicitetin dhe reklamimin e barnave në media, specialistët e farmakovigjilencës, grosistët, por edhe farmacistët janë të një mendimi se ai duhet të përmirësohet. Juristja Emilja Kane interpreton ligjin për reklamimin e barnave për revistën “SCAN“.
Në ligjin e ri “Për Barnat” është përcaktuar se rregullat për publicitetin e barnave miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, në përputhje me hollësitë e paraqitura në përmbledhjen e karakteristikave të produktit.
Miratimi i publicitetit të barnave kryhet nga Agjencia.
Publiciteti për barnat, në mënyrë të veçantë, përfshin publicitetin për barnat pa përshkrim, drejtuar publikut të gjerë, sipas listës së miratuar të barnave OTC. Ligji parashikon edhe masa ndëshkimore duke filluar nga masat me gjobë në masën e 500 mijë lekëve dhe në rast përsëritjeje, me heqje të licencës.
Sipas juristes Kane, rregullat për komunikimin e një reklame në ligj janë të mirëpërcaktuara duke ndaluar mënyrat joshëse si dhe sugjestionuese. Komunikimet me natyrë tregtare në transmetimet audiovizive për produktet farmaceutike apo produktet dhe trajtimet mjekësore, që jepen vetëm me recetën e mjekut, janë të ndaluara. Ndërkohë mjafton të shikosh një reklamë në televizion dhe ajo duket aq joshëse sa kushdo nga ne mund të tundohet për të blerë një “zgjidhës problemi shëndetësor”, shton më tej Emilja Kane.
“Pavarësisht dispozitave ligjore, sanksioneve të ashpra, kjo situatë kërkon me domosdoshmëri një rregullim më specifik. Do të ishte me vend që në të ardhmen të miratohej një ligj më i detajuar, ku të përcaktohen rregullat e publicitetit të barnave, mënyrën si duhen bërë, si dhe ndëshkimet në rast moszbatimi,” rekomandon Kane.
Një nga problemet me të cilat hasen farmacitë, sipas Kanes është edhe mosfreskimi i listës së barnave OTC. Sipas saj kjo listë ka një kohë të gjatë që nuk është rishikuar, duke bërë që shumë medikamente të cilat kanë hyrë në vend të mos figurojnë në këtë listë. Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë raportohet se kjo listë rishikohet një herë në vit dhe se është një grup teknikësh profesionistë që merren me hartimin e saj. Ndërkohë që sipas juristes një tjetër problematikë është reklamimi i barnave në ambientet e vetë farmacive për barnat që jepen vetëm me recetë të mjekut.
“Asnjë ambient që tregton barna farmaceutike nuk mund të reklamojë në muret e farmacisë apo depos barna që jepen vetëm me recetën e mjekut. Ata duhet të tregohen të kujdesshëm që të mos i bëjnë atraktive për kërkuesit produktet e tyre si dhe të ruajnë një kod etik tepër të lartë duke ruajtur një raport të drejtë fitimi dhe interesi shëndetësor për klientin,” thotë ajo.
Në këtë këndvështrim, ajo sugjeron që të monitorohet nga inspektorët në çdo rreth mënyra si bëhet publiciteti i barnave në ambientet e ndryshme duke përcaktuar edhe hapësirën që duhet të zërë publikimi i tyre./SCAN Magazine