16.6 C
Pristina
Sunday, October 27, 2024

Luftë për mbijetesë e muslimanëve të Arakanit në kufirin Mianmar-Bangladesh

Më të lexuarat

“Në Arakan bëhet fjalë për arrestime arbitrare të muslimanëve. Ushtria e Mianmarit ka në objektiv të rinjtë dhe të arsimuarit nga muslimanët e Arakanit”, tha Kyaw

ANKARA (AA) – Dildar Baykan

Muslimanët e Arakanit luftojnë për mbijetesë në të dyja anët e kufirit midis Mianmarit dhe Bangladeshit teksa vazhdojnë edhe sulmet ndaj tyre nga ushtria e Mianmarit dhe budistëve fanatikë, shkruan Anadolu Agency (AA).

Ushtria e Mianmarit filloi masakrat kundrejt civilëve si dhe shkatërrimin dhe djegien e vendbanimeve ku jeton pakica muslimane duke gjetur si arsyetim sulmet e njëkohshme të ndërmarra më 25 gusht ndaj stacioneve policore në qytetin Maungdaw ku jetojnë kryesisht muslimanët.

Muslimanët e Arakanit të cilët kanë marrë rrugën drejt Bangladeshit për të shpëtuar jetët e tyre për të kaluar në këtë vend ata bëjnë një udhëtim të vështirë dhe të rrezikshëm duke kaluar nëpërmjet rajoneve malore, lumit Naf ose nëpërmjet detit.

Në deklaratën e fundit të Kombeve të Bashkuara (OKB), thuhet se numri i muslimanëve të Arakanit që janë strehuar në Bangladesh që nga 25 gushti ka tejkaluar numrin prej 600 mijë. Ndër të tjera OKB-ja ka bërë të ditur se dhjetëra mijëra të tjerë janë rrugëve të migrimit.

Ushtria dhe budistët fanatikë janë duke djegur fshatrave që u përkasin muslimanëve të Arakanit. Në imazhet e marra nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nga satelitët u zbulua se gati 300 banorë muslimanë e kanë humbur jetën si pasojë e djegies së fshatrave të tyre në Arakan.

Ministri i Jashtëm i Bangladeshit Hasan Mahmud Ali njoftoi më 10 shtator se të paktën 3.000 muslimanë Rohingya u vranë në rajonin Arakan të Mianmarit. Ndërsa numri i civilëve të vrarë nuk mund të përcaktohet saktësisht për shkak se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen dhe daljen në zonë.

Teksa muslimanët e Arakanit mbërrijnë të lodhur e të uritur në rajonet pranë kufirit, gjithashtu thuhet se edhe situata në kampe po përkeqësohet çdo ditë, pasi kushtet e kampeve në Bazar të Cox në Bangladesh janë të pamjaftueshme dhe shtohen të sapoardhurit.

“Ushtria e Mianmarit ka në objektiv të rinjtë dhe të arsimuarit nga muslimanët e Arakanit”

Kryetari i Këshillit Arakan Rohingya (ERC) Dr. Hla Kyaw ka bërë disa vlerësime për gazetaren e AA-së në lidhje me situatën e fundit të muslimanëve të Arakanit.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se muslimanët e Arakanit të cilët nuk kanë mundur të kalojnë në Bangladesh janë në rrezik në Mianmar, Kyaw tha se “Në Arakan bëhet fjalë për arrestime arbitrare të muslimanëve. Ushtria e Mianmarit ka në objektiv të rinjtë dhe të arsimuarit nga muslimanët e Arakanit”.

Dhe duke vënë theksin se ushtria dhe budistët fanatikë po përpiqen të largojnë të gjithë muslimanët e Arakanit nga trojet e tyre, Kyaw ka bërë të ditur se këta njerëz jetojnë me frikë.

Ai thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të nxjerrë para drejtësisë gjeneralët përgjegjës për situatën e përjetuar në Arakan.

“Nëse këta nuk nxirren para drejtësisë Mianmari duke gjetur arsyetime të tjera do të largojë nga territoret e tyre muslimanët e Arakanit dhe nuk do të lejojë kthimin e tyre. Komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë që qeveria e Mianmarit të ofrojë rikthimin e sigurtë dhe në mënyrë të denjë në territoret e tyre për muslimanët e Arakanit”, tha Kyaw.

Lidhur me planin e Qeverisë së Banglaeshit për të vendosur muslimanët e Arakanit në ishullin Thengar Char, Kyaw tha se “Ky nuk është një hap i drejtë. Mendoj se Qeveria e Bangladeshit nuk do ta bëjë këtë sepse ishulli nuk ofron një ambient të përshtatshëm për jetën njerëzore”.

“Mund të krijojnë një hapësirë jetese në territorin e tyre”

Drejtori i Përgjithshëm i Unionit Arakan Rohingya (ARU), Dr. Wakar Uddin thekson se muslimanët e Arakanit duhet të rikthehen në territoret e tyre. “Muslimanët e Arakanit që kanë kaluar në Bangladesh kanë tokën e tyre në Mianmar. Pavarësisht se i janë shembur shtëpitë ata kanë tokën e tyre. Këta njerëz duhet të rikthehen në territoret e tyre”, tha ai.

Pasi ka bërë të ditur se Qeveria e Mianmarit duhet të lejojë hyrjen në rajon të organeve ndërkombëtare si Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) dhe Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Uddin tha se “Këto organizata duhet të përcaktojnë territorin e të gjithëve. Në këtë mënyrë njerëzit mund të krijojnë një hapësirë jetese në territorin e tyre”.

“Ishulli është tërësisht nën ujë nga shirat monsun”

Ndërsa një burim lokal i cili nuk dëshiron të identifikohet, në lidhje me ishullin Thengar Char ku është planifikuar vendosja e muslimanëve të Arakanit tha se “Ky ishull nuk është i përshtatshëm për jetesë, është shumë i ulët dhe në periudhën e shirave monsun mbetet plotësisht nën ujë. Gjithashtu është një ishull i izoluar tërësisht”.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se Qeveria e Bangladeshit ka gjetur këtë rrugë për shkak se dëshiron të parandalojë vendosjen dhe përhapjen në vend të muslimanëve të Arakanit, burimi ka thënë se “Këtë mendim nuk e shoh të drejtë. Muslimanët e Arakanit duhet të rikthehen në territoret e tyre në vend që të mblidhen në një ishull”.

Ndër të tjera burimi ka bërë të ditur se Qeveria e Mianmarit do të jetë e kënaqur nëse muslimanët vendosen në ishull, dhe se kjo situatë do të inkurajojë Mianmarin që të detyrojë muslimanët e Arakanit të emigrojnë në Bangladesh.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit