I luta, i përgjërova të më vrisnin!
‘Jo’- më thanë. ‘Këtë po ua lëmë atyre të tuve ta bëjnë, për s’ngadalti…’
Shkruan: Besa Ismaili
Qindra mijëra gra janë dhunuar nëpër luftëra në botë, të të gjitha përkatësive etnike, fetare, politike dhe sociale. Si një akt gjenocidal dhe mjet për spastrim etnik të popullatës, dhunimet gjatë kohës së luftës përbëjnë akte individuale të dhunës seksuale dhe dhunime sistematike dhe metodologjike të grave dhe fëmijëve.
Janë një sërë arsyesh pse dhuna seksuale shfaqet gjatë kohës së luftës. Të identifikuara si ‘nënat e kombit’ dhuna ndaj tyre është dhunë ndaj kombit, prandaj edhe aplikimi i këtij ‘mjeti’ nga ana e agresorit implikon ç‘nderimin e palës në konflikt, demoralizimin, dobësimin dhe nënshtrimin e tyre.
Në rastin e Bosnjës dhe Kosovës, por jo vetëm, të gjitha këto arsye janë shoqëruar edhe me qëllimin për përzënien e tyre nga shtëpitë e tyre, pronat e tyre, territori i tyre, hapësirat e tyre.
Dhunimet në Kosovë janë zhvilluar në të njëjtën mënyrë si edhe në Bosnjë. Edhe në Kosovë, ashtu si edhe në Bosnjë, kanë ekzistuar kampet e dhunimeve. Edhe në Kosovë si edhe në Bosnjë, restorantet, hotelet, fabrikat kanë qenë vendet. Në Kosovë si edhe në Bosnjë dhunimet kanë qenë spektakle. Ato janë dhunuar para familjeve të tyre, janë incizuar edhe me kamera. Por ne si edhe bota në përgjithësi, sot di më shumë për viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale në Bosnjë sesa për viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë. Prapa këtyre praktikave ka pasur qëllime të qarta politike, qëllime afatgjate politike. Të cilat qëllime në periudha të pasluftës ndihmohen me heshtje, me riviktimizime.
Nuk ka histori të luftës në Kosovë pa historinë e viktimave dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale!
Historia e luftës në Kosovë, fatkeqësisht, është e mangët sepse historia e grave të dhunuara nuk është aty. Kur të mësohet historia e luftës së Kosovës, duhet të flitet dhe të mësohet edhe historia e grave të dhunuara, dhe jo vetëm numri i tyre! Dhunimet në Kosovë, kanë dimensione lokale dhe dimensione ndërkombëtare. Studimet dhe dokumentimet për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë kanë ngelur, në pjesë e tyre më të madhe të tyre vetëm ‘analiza të pranive të munguara’. Prandaj, për të dhunuarat duhet të flitet në shkolla, në literaturën shkollore dhe akademike. Dhe prania fizike e tyre në debate dhe shkëmbime me studentë është e mirëseardhur!
Dhunimet janë demonstrim dhune. Dhe këtë duhet kuptuar drejtë, në mënyrë që ta adresojmë drejtë.
Historia gjithashtu ka dëshmuar se dhuna ndaj grave ndodhë sepse ato nuk i gëzojnë të drejtat e barabarta dhe nuk janë të fuqizuara sa edhe burrat.
Tregimi i Kosovës për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, është gjithashtu tregim i padrejtësive, diskriminimeve dhe mendësive përjashtuese dhe shtypëse, i cili vazhdon. Disa nga këto gra janë përzënë nga po ato shtëpi, për të cilat flijuan jetët e tyre. Për disa burra dhe djem sot, gruaja viktimë e dhunës seksuale nuk është më personi ‘i denjë’ për të qëndruar në shtëpi. Por nga ana tjetër, për të njëjtët burra, të denja për t’i shijuar padrejtësisht, për t’i trashëguar paligjshëm mbeten të gjitha kontributet e saj, të gjitha pronat e saj, të gjitha investimet e saja!
Nga ana tjetër regjimet në Serbi, dhe gjithë pasuesit e mendësisë së luftës atje, janë munduar që me çdo kusht të heshtin këto krime të kryera në Kosovë. Kjo, për të ulur peshën e përgjegjësive shtetërore për gjenocidet që Serbia ka ekzekutuar. Shumë nga ne kësaj heshtjeje ia kemi bërë argatin.
Disa përpjekje të zhurmshme për të adresuar këtë çështje kanë nxjerrë për efekt shurdhëri zhurma që kanë shurdhuar edhe më shumë heshtjen ndaj kësaj çështje kaq të rëndësishme. Prandaj, nevojitet një angazhim gjithëpërfshirës, një koordinim mirë i menduar i gjithë shoqërisë në Kosovë.
Kur flasim për turpin, ndërgjegjen, lëngimet shpirtërore, korrigjimin e kulturave të ballafaqimit me të kaluarën, pajtimin dhe të tjera çështje jetike për shoqërinë kosovare, janë mësimet fetare ato që luajnë rol të efektshëm. Narrativat fetare suksesshëm dekonstruktojnë deri në zhbërje narrativat patriarkale që definojnë ‘turpin’.
Islami për dhunimet
Dënimet kapitale në Islam janë të rezervuara për krimet ekstreme që shkaktojnë dëme në individë ose që destabilizojnë shoqërinë. Dhunimi bën pjesë në të dyja këto kategori. Gjatë historisë islame, dijetarët islam kanë definuar dhunimin si formë të terrorizmit.
Në kohën e Profetit Muhamed, dhunuesi është dënuar vetëm mbi bazën e dëshmisë së viktimës, e cila nuk është ballafaquar me dhunuesin, dhe as që është dashur të ofrojë argumente shtesë për këtë, lëre më që ajo të bartë mbi supe barrën e dëshmisë, barrën e fajit,apo barrën e turpit siç ndodhë kudo sot në botë, e edhe në Kosovë.
Baza ligjore e të gjitha dëmeve, lëndimeve, vuajtjeve në Islam, është mënjanimi i dëmit, mënjanimi i lëndimit. Së këndejmi, nga perspektiva islame, duhet të bëhet çdo gjë për të mënjanuar dhembjen, dëmin, lëndimin e shkaktuar të këtyre viktimave në Kosovë. Dhe ky është një obligim (farz) për ata që besojnë.
Roli i bashkësive fetare në Kosovë në luftimin e stigmës, mënjanimin e dëmeve, riintegrimin e viktimave dhe formësimin e mendësisë karshi viktimave të dhunës është tejet i madh. Fetë janë realitete personale dhe institucionale, dhe për shumë gra, mësimet fetare ofrojnë kontekste ku ato adresojnë dhe trajtojnë përvojat e tyre.
Përmes teksteve, traditave, bashkësitë fetare përcjellin sisteme të vlerave tek pjesëtarët e tyre. Mësimet fetare shërbejnë si resurse në proceset e shërimit individual dhe shoqëror. Prandaj roli i lidershipit të komuniteteve fetare është të eksplorojnë interpretime që minimizojnë deri në eliminim pengesat për gratë dhe maksimizojnë resurset për gratë. Bashkëpunimi i institucioneve fetare dhe subjekteve tjera në shoqëri është i domosdoshëm. Aktivistët duhet të respektojnë përkatësitë fetare të viktimave dhe të kontaktojnë institucionet përkatëse për të përmbushur nevojat shpirtërore të viktimave.
Turpi dhe stigma janë pjesë përbërëse e logjikës prapa dhunimeve sistematike që ndodhën gjatë luftës në Kosovë.
Njëra nga viktimat tregon t’i kishin thënë ‘po sigurohemi që t’i kurrë më mos të kthehesh në shtëpi!’
Dhe shumë gra, vetëm fizikisht ndodhen sot në shtëpitë e tyre. Ato ende nuk u kthyen! Ne duhet të lejojmë dhe mundësojmë këtë kthim. Që të mos mbajmë ende, edhe 20 vite pas lufte, anën e përzënësve të tyre të dhunshëm! Stigma parandalon shumë të mbijetuar (gra dhe burra) të dhunës seksuale në Kosovë që të raportojnë rastet dhe të kërkojnë drejtësi. Akoma mungojnë ofruesë të specializuar të shërbimeve për të ndihmuar të mbijetuarit e dhunës seksuale. Kosova ka arritur me shumë vështirësi të bëjë disa hapa për të luftuar stigmën dhe vendosur drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Është koha kur duhet vendosur drejtësinë dhe mbyllur këtë faqe. Dhe për këtë nevojitet mobilizim gjithë popullor, sikur në kohë lufte! Sepse stigma? Stigma vret!