-1.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Lufta e ftohtë

Më të lexuarat

Lufta e ftohtë
Psikologjia e Luftës së Ftohtë u bazua te e ashtuquajtura teori “fusha e shumës zero”. Sipas kësaj teorie përfitimi i njërit pol fuqije do të thotë humbje për polin tjetër. Kështu të dy polet (BS-SHBA) hynë në një konkurrence me njëri-tjetrin kush të mundet të dali më i fituar.

1. Hyrje

Për t’ia arritur një shpjegim sa më të mirë te kësaj teme, sigurisht që mënyra analizuese duhet te shkëputet disi nga kufijtë e historisë dhe t’i afrohet me tepër shkencave politike. Gjëja e parë që na shkon në mend kur dëgjojmë “Lufta e Ftohte”, është pyetja: pse quhet e ftohtë? Mbiemri “e ftohtë” është sepse kjo dukuri ka karakteristikat e një lufte, ku ekzistojnë dy palë kundërshtare, dhe gjithmonë njëra palë mundohet të përfitojë në dëm të palës tjetër, e cila nuk arrti në shkallen e përleshjes ushtarake.

Për analizuesit realist, Lufta e Ftohtë përbënte realizimin fantastik të teorisë se tyre, e cila thotë që barazimi i fuqive të dy poleve sjell një sistem ndërkombëtar të paluhatur ku mbizotëron paqja (nuk kemi përleshje. Psikologjia e Luftës së Ftohtë u bazua te e ashtuquajtura teori “fusha e shumës zero”. Sipas kësaj teorie përfitimi i njërit pol fuqije do të thotë humbje për polin tjetër. Kështu të dy polet (BS-SHBA) hynë në një konkurrence me njëri-tjetrin kush të mundet të dali më i fituar. Gjithashtu, në këtë punim do të jepet edhe një informatë e përgjithshme mbi luftën e ftohtë, rrjedhat dhe ngjarjet e rëndësishme që ndodhën gjatë gjithë kësaj periudhe dyzet vjeçare. Si dhe pjesa në të cilën shpjegohet përfundimi i luftës së heshtur. Në trajtimin e kësaj teme do të jepen edhe konkluzione rreth luftës së ftohtë. Pra, ngjarjet kryesore historike që karakterizuan këtë luftë do të jenë pjesa kryesore e këtij punimi.

2. Informatë e përgjithshme mbi Luftën e Ftohtë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, qëllimi kryesor i Aleatëve antifashistë ishte fitorja ndaj Gjermanisë naziste. Mirëpo, kur lufta mbaroi dhe Gjermania kapitulloi, problemet kryesore që do të shfaqeshin pikërisht në Gjermani, ishin problemet ideologjike të cilat dilnin në pah.Me 4 deri më 11 shkurt të vitit 1945, mbahet Konferenca e Jaltës ndërmjet Stalinit, Ruzveltit dhe Çërçillit. Vendosjet për ndarjen e Gjermanisë, de fakto Evropa dhe bota u ndanë në dy kampe të ndryshme ideologjike. Gjermania ishte vendi ku filloi lufta për sundimin e botës dhe tani po ky vend u kthye në vatrën ku nisi lufta e ftohtë me një ndeshje të heshtur titanike ndërmjet dy sistemeve politike dhe dy ekonomive me tipare krejt të ndryshme. Vdekja e presidentit demokrat Ruzvelt i bëri pluhur e hi shpresat e udhëheqësit bolshevik për një triumf të plotë të tij në Evropë. Ardhja në pushtet e Harri Truman si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në prill 1945, e ktheu politikën e Stalinit në periudhën para konferencës së Jaltës.

Pra, vdekja e Turmanit ishte arsyeja që Stalini kërkoi një tjetër konferencë mes të tre të mëdhenjve, kësaj here në Potsdam. Konferenca e Potsdamit u mblodh për dy javë nga 17 korriku deri më 1 gusht 1945. Stalini në këtë konferencë ishte më i vendosur se kurrë për të shtrirë hegjemoninë e tij. Çërçilli po përjetonte një dramë të vërtetë politike të karrierës së tij, ku dhe humbi zgjedhjet në Angli.Pra, në fillim Jalta e mes pas Potsdami ishin dy konferencat që sanksionuan Luftën e Ftohtë. Edhe një herë ideologjia dhe interesat e ndryshme triumfuan mbi rendin e ri botëror që u vendos pas humbjes së Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore. Konferenca e Potsdami, mbledhja e fundit e tre të mëdhenjve, kishte si synim projektimin e një Gjermanie të pandarë, por prodhoi një shtet të ndarë. Potsdami duhej të ishte në fakt një projekt bashkëpunimi ndërmjet aleatëve të fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore, por në fakt mbolli ndarjen përfundimtare të aleatëve dhe fillimin e Luftës së Ftohtë që do të zgjaste për dyzet vjet. Mirëpo, gjithnjë situata që do të përcaktonte fundin e Luftës së Ftohtë ishte në Gjermani.

Më 23 maj të vitit 1949, nga parlamenti i parë gjerman i pas luftës formohet Republika Federale Gjermane, ndërsa si kundër përgjigjej, më 7 tetor 1949 formohet Republika demokratike Gjermane. Nuk ishte thjesht arsye e matjes së forcës, kishte edhe arsye të tjera. Një nga arsyet madhore ishte që të ndërpritej fluksi i madh i njerëzve që kalonin në përëndim. Por edhe pse u formua shteti komunist gjerman, fluksi i njerëzve nuk do të ndalej derisa të ndërtohej muri famëkeq i Berlinit që do të kthehet në simbol të Luftës së Ftohtë.Por, akti më domethënës i gjatë fillimit të Luftës së Ftohtë ishte themelimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut më 4 prill 1949 në Uashington. Ky ishte një akt i paprecendet në historinë. Tani nuk kishte mbetur gjë tjetër veçse të pritej për ngjarjet në vazhdim.

Perdja e hekurt ishte vendosur në Evropë dhe nuk do të hiqej deri në vitin 1989.Fillimi i viteve ’50 të shekullit XX e gjeti Evropën dhe botën të ndarë në dy kampe të ndryshëm ideologjikë, kulturorë dhe diplomatikë. Në Evropë simbol i kësaj ndarjeje ishte Gjermania, i ndarë në dy shtete me të njëjtën popullsi, kulturë dhe konstitucion shpirtëror, por, me ideologji krejt të ndryshme.Kurrë gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të përballeshin ushtarakisht njëra me tjetrën. Vendet e treta do të shërbenin si mish për top ndaj luftës së heshtur. Shembulli më konkret në fillim të Luftës së Ftohtë ishte Azia.

Në Azi forcat komuniste kishin filluar revanshin mbi nacionalistët. Në Kinë më 1 tetor 1949 forcat e revolucionarit Mao Tse Tung kishin marrë në zotërim Kinën, i cili ishte një aleat i madh i koalicionit antifashist. Por jo vetëm kaq, një muaj përpara fitores së komunistëve në Kinë, më 29 gusht 1949 Bashkimi Sovjetik kishte eksperimentuar me sukses bombën bërthamore.” Me të marrë vesh suksesin bërthamor të sovjetikëve, presidenti amerikan Truman në janar të vitit 1950 bëri publik lajmin se tashmë Shtetet e Bashkuara po përgatitnin bombën me hidrogjen.

Sulmi i Koresë së Veriut ndaj Koresë së Jugut filloi më 25 qershor 1950.” Sulmi në Kore ndërgjegjësoi udhëheqësit përëndimore se komunizmi nuk ishte vetëm duke sulmuar ideologjikisht por edhe ushtarakisht. Problemet që Franca dhe Gjermania kishin, duheshin zgjidhur. Për këtë arsye një ekonomist i quajtur Zhan Mone kishte hedhur idenë e bashkimit ekonomik të Gjermanisë Përëndimore dhe Francës. Hapi i parë do të ishte themelimi i përbashkët i Komunitetit të Qymyrit dhe Çelikut, traktat ky që u nënshkrua më 18 prill 1951 në Paris. Më 10 mars 1952 Stalini për habinë e përëndimit i ofroi gjermano përëndimorëve bashkimin aq shumë të dëshiruar prej tyre. Gjithashtu, me anë të zv/ministrit të jashtëm Gromiko, Stalini u dorëzoi një notë zyrtare fuqive të mëdha aleate në Gjermani. Mirëpo, më 5 mars të vitit 1953, vdesë udhëheqësi komunist i Bashkimit Sovjetik, Stalini.

Por, në anën tjetër përëndimorët i ofrojnë përfshirje të plotë të Gjermanisë në strukturat Euro-Atlantike, ku më 20 tetor 1954, firmosin hyrjen në NATO të Gjermanisë përëndimore. Si pasojë e këtij hapi edhe Republika Demokratike Gjermane iu bashkua Paktit të Varshavës në maj të vitit 1955.Pas vdekjes së Stalinit pushteti në Bashkimin Sovjetik e mer Krushovi, i cili u zgjodh Sekretar i Komitetit Qendror, post që do ta ruante deri në vitin 1964. Me emrin e Krushovit lidhen edhe acarimet më të mëdha në përplasjen ideologjike ndërmjet Lindjes dhe Përëndimit. Një nga aleatë tjerë të Bashkimit Sovjetik ishte edhe Kuba e Fidel Kastros. Fidel Kastro kishte ardhur në pushtet në vitin 1959. Edhe pse kishte pasur disa ndërhyrje sekrete amerikane për ta rrëzuar nga pushtetit Kastron, ku më e famshmja është ajo e Gjirit të Derrave, përsëri udhëheqësi Kuban qëndronte me kokëfortësi në pushtet.Në fakt nuk është krejt e qartë se ç’e shtyu Nikita Krushovin të vendoste në verën e vitit 1962 raketa me mbushje bërthamore në Kubë. Ka shumë pak të ngjarë që këto raketa të kenë shërbyer si mjet pengues ndaj një sulmi amerikan ndaj Kubës.

Ndoshta udhëheqësit sovjetikë dëshironin që me vendosjen e raketave të bënin ndonjë pazarllëk me amerikanët që këta të fundit të hiqnin raketat e tyre me mbushje bërthamore nga Turqia, ose me suksesin më të madh të fitonin një tërheqje të përgjithshme amerikane nga Berlini. Më 14 tetor 1962 fillon edhe java më e gjatë e sulmeve dhe e kundërsulmeve diplomatike ndërmjet dy superfuqive. Këtu u duk qartë se Moska e kishte nënvlerësuar qëndrimin amerikan ndaj kësaj krize. Duke pasur përballë qëndrimin e vendosur të presidentit Kenedi, Nikita Krushov u tërhoq nga kjo aventurë e rrezikshme.

Kurrë më parë qysh nga mbarimi i Luftës së II Botërore bota nuk kishte qenë në prag të një lufte të përgjithshme. Kjo aventurë e Krushovit tregoi se sistemi komunist po humbiste kredibilitetin botëror.Përgjigjet dhe kundërpërgjigjët për supremaci në botë karakterizuan më së shumti fillimin e Luftës së Ftohtë (1945 – 1965). Më vonë, të këtij tipi lufte, pati disa ndryshime në konceptin e të ndërtuarit një strategji globale për supremaci. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ruanin me fanatizëm doktrinën Truman, si vendi mbrojtës i vlerave të lirisë dhe të demokracisë kudo në botë. Përballë vlerave të lirisë qëndronin forcat komuniste që sipas amerikanëve ishin agresorët dhe dhunuesit e lirisë. Në gjysmën e parë të viteve ’60 Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përfshinë në një fushatë të madhe për të mbrojtur çdo vend nga rreziku komunist.Në të gjithë periudhën e Luftës së Ftohtë, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik nuk u ndeshën ndonjëherë direkt, por vende të treta ishin tepër të ekspozuara ndaj rivalitetit ndërmjet këtyre dy superfuqive. Kontinenti që u bë baza e konfrontimit ushtarak mes këtyre dy forcave ishte Azia. Shembulli i parë kësaj beteje në vendet e treta kishte qenë Koreja.

Tani një tjetër shtet aziatik do të shërbente për të rritur ose zvogëluar supremacinë dhe imazhin e dy superfuqive.Më 1965, do të fillonte një luftë e re e çmendur që do t’i kushtonte rreth 55 mijë të vrarë Shteteve të Bashkuara në Vietnam. Humbja e luftës në Vietnam do të shkaktonte një humbje prestigji që do të kërkonte kohë të ndreqej. Nëse presidenti Kenedi e konsideronte Vietnamin si nyjën vendimtare për pozitën e përgjithshme gjeopolitike të Amerikës, Xhonsoni e konsideronte si rrugën e fitores së përgjithshme ndaj ekspansionit komunist në Azi.Dhe këtu patën absolutisht të drejtë duke bërë që Amerika pas tragjedisë të Vietnamit të ndryshonte kursin e saj politik botëror duke i hapur rrugë një filozofie tjetër politike të quajtur detantë. Pra, Lufta e Ftohtë gjatë dhe pas Vietnamit do të hynte në fazën e quajtur ndoshta me hipokrizi “detanta”. Perendimorët mendonin se koha punonte për përëndimin dhe jo për perandorinë komuniste. Idetë e tyre ishin që të viheshin në dukje ato zona ku bashkëpunimi ishte i mundshëm, ky ishte thelbi i detantës. Por, detanta nuk është thjesht qëllim i mirë në vetvete, është edhe detyrim përballë një fakti të kryer.

 

3. Përfundimit i Luftës së Ftohtë

Lufta e Ftohtë, ishte një luftë e heshtur në mes të dy ideologjive dhe interesave të ndryshme, që triumfuan mbi rendin e ri botëror që u vendos pas humbjes së Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore.Në prag të përfundimit të Luftës së Ftohtë (40 vjeçare), në krye të SHBA-ve erdhi njeriu enigmatik Ronald Reagan, puna me të cilën duhej të merrej ishin me dy çështje thelbësore të sigurisë: së pari, të forconte arsenalin bërthamor dhe konvencional të SHBA-së anembanë vendit dhe globit dhe, së dyti të neutralizonte dhe nëse do të ishte me fat të eliminonte armët bërthamore.” Qëllim i dytë dukej paradoks, mirëpo ky do të ishte kurthi më i përgatitur gjatë Luftës së Ftohtë për të gjunjëzuar kundërshtarin. Për t’ia arritur këtij qëllimi kërkoheshin aleatë të vendosur dhe të patrembur.Kishte kaq shumë kohë që Lufta e Ftohtë po qëndronte si kërcënim mbi të të gjithë globin. Kësaj lufte i duhej dhënë fund por, pa shkaktuar gjakderdhje. Muri i Berlinit qëndronte si një perde e hekurt që dukej se nuk do të shembej kurrë. Por, njerëz të mençur dhe trima do të mund t’ia dilnin mbanë ta shpëtonin më në fund njerëzimin nga katastrofa dhe nga gjendja e pasigurt. Dhe hapi i parë për ndalimin e katastrofës ndodhi në vitin 1978 një vit përpara sulmit të Bashkimit Sovjetik në Afganistan.Është shumë e rëndësishme të përmendet roli të cilin luajti në përfundimin e kësaj lufte të heshtur Papa Gjon Pali i II, i cili erdhi në krye të Kishës Katolike, ku zgjidhet për çudinë e të gjithëve një kardinal nga një vend i Evropës Lindore që ishte simbol i Traktatit të Varshavës pasi në atë vend ishte nënshkruar ky Traktat.

Më 16 tetor 1978 Kolegji i Kardinalëve të të gjithë botës zgjedh me unanimitet kardinal Karol Vojtilën në Postin e Lartë të pushtetit Papnor. Papa i ri mori emrin Gjon Pali II. Ky njeri krejtësisht i panjohur për Përëndimin por tepër i njohur në vendlindjen e Tij në Poloni ku shquhej si një anti komunist i thekur dhe ndoshta kundërshtari më i rreptë i regjimit në atdheun e tij. Gjon Pali II ishte një njeri që e dinte çdo të thoshte diktaturë. E dinte çdo të thoshte vuajtje. Ai kishte kaluar dhe kishte eksperiencën e pushtimit dhe tmerrit nazist të Luftës së Dytë Botërore dhe gjithashtu kishte qenë kushedi sa herë në pragun e arrestimit dhe të pushkatimit nga qeveria komuniste e Polonisë. Mund të themi se zgjedhja e Tij në krye të Kishës Katolike ishte një gjë që goditi komunizmin.

Gjon Pali II nuk do të ishte i vetmi nga udhëheqësit e lartë të përëndimit që po ju kundërvinte komunizmit. Në grupin e njerëzve të mëdhenj të përëndimit që iu kundërvunë me vendosmëri botës komuniste duke i qëndruar besnikë traditës konservatore qytetare të elitës ishte edhe Kryeministri i Britanisë së Madhe, Margaret Theçer. “Kjo grua guximtare ka hyrë në histori me nofkën “Zonja e Hekurt”. Ardhja e saj në pushtet në vitin 1979 do të sillte edhe një frymë të re në botë që do të merrte emrin “theçerizëm”.” Margaret Theçer do ti kundërvihej me vendosmëri ekspansionit sovjetik në Evropë dhe në botë. Ajo do ta shpaloste veten si një nga flamurtaret më të zjarrta të luftës kundër pushtetit sovjetik duke sjellë një peshë specifike në fitoren ndaj Bashkimit Sovjetik.Presidenti i SHBA-ve Regani besonte thellësisht në doktrinën konservatore dhe qysh në fillim të presidencës së tij e kishte masë të qartë se si i duhej kundërvënë komunizmit. “Qysh në fjalimet e tij të para në publik Regani e identifikoi Perandorinë Komuniste si “Perandoria e Djallit”.Ka hyrë në histori fraza e tij e famshme: “Ne nuk mund të luajmë të pafajshmin në një botë që nuk është e pafajshme”. Pra, Regani kishte ndërmend t’i jepte fund Luftës së Ftohtë pikërisht në vendin ku ajo filloi, në Gjermani. Por, për ta bërë këtë, në Gjermani i duhej një aleat i besuar, një njeri që të mos pranonte të rrinte si një sandviç mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Të gjithë kancelarët e Gjermanisë Federale kishin qenë pa hezitim në anën e Përëndimit. Në shtator të vitit 1982 në postin e Kancelarit të Republikës Federale Gjermane zgjidhet Helmut Kohl me një program politik tepër ambicioz. Pra, këta ishin këto figura të mëdha të politikës botërore që do të sillnin shembjen e Bashkimit Sovjetik dhe do të hidhnin hapat e krijimit të një botë në paqe dhe pa luftë.Opinioni publik në Gjermani ishte tepër i ndjeshëm ndaj çdo lëvizjeje ushtarake që vendosej në vendin e tyre. Politika e Reganit ishte e qartë, Bashkimi Sovjetik do të mund të mposhtej vetëm nëpërmjet kërcitjes së dhëmbëve. Tek Kancelari Kohl, Presidenti Regan gjeti një njeri të vendosur dhe që mund t’i besohej bashkëpunimi më i ngushtë. Të dy këta udhëheqës u bindën veçanërisht pas atentatit që iu bë Gjon Palit II në Vatikan se Bashkimi Sovjetik nuk mposhtej me fjalë të bukura. Për këtë arsye Kancelari gjerman i hapi rrugën e vendosjes në Gjermani të raketave Pershing që ishin edhe shpikja e re e më moderne e Luftës së Ftohë.Përveç mbështetjes tek Regani, Kohli mund të mbështetej dhe tek një staf më tepër sesa i aftë njerëzish rrotull tij. Nga të gjithë emrat dy janë ata që hartuan së bashku më kancelarin planin për bashkimin e Gjermanisë. I pari ishte Ministri më jetëgjatë i jashtëm i Gjermanisë Hans Ditrih Gensher dhe i dyti ishte Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Horst Telçik.

Të tre këta burra do të shërbenin si fanarë të rilindjes së Gjermanisë si kombi më i fuqishëm i Evropës të pas Luftës së Ftohtë.Askush nuk mund ta besonte se një njeri i quajtur Mihail Sergejeviç Gorbaçov do të mund të bënte kthesën e madhe. Gorbaçovi erdhi në pushtet në Bashkimin Sovjetik më 11 Mars 1985. Askush nuk kishte për ta besuar se ky njeri në thelb të politikës së tij do të kishte zgjatjen sa të ishte e mundur të pushtetit sovjetik dhe të vetë ekzistencës së tij. Gorbaçovi në fakt e kishte kuptuar se Ushtria e Kuqe mund të mbante territore të pamasa nën sundim. Atë çfarë nuk mund të mbante nën sundim ishin popujt.Fill pas një viti në pushtet Gorbaçovi bën përpjekjet e para për të bindur udhëheqësit përëndimorë se Bashkimi Sovjetik kishte një politikë paqësore. Për ta bërë më bindëse politikën e tij Gorbaçovi hodhi dy hapa; i pari ishte tërheqja e pjesshme nga Afganistani dhe së dyti hodhi idenë në parlamentin e Evropës në Strasburg ku u ftua, për të krijuar Shtëpinë e Përbashkët Evropiane. Sikur të mos mjaftonin këto dy hapa për të fituar armiqësinë e dorës së vjetër të udhëheqjes sovjetike, Gorbaçovi ndërmori edhe një hap tjetër. Në vitin 1987 filloi politikën e Gllaznostit dhe Perestrojkës për të bërë transparente dhe për të ndryshuar gjithçka në Bashkimin Sovjetik.Bashkimi Sovjetik nuk ishte më një vend i sigurt për më tepër nga teknologjia ushtarake. Këtë fakt më së miri e vërtetoi shpërthimi i mistershëm i reaktorit bërthamor të Çernobilit në Ukrainë, shpërthim i cili mund të kishte sjellë pasoja fatale për mbarë kontinentin.

Politikat e Gorbaçovit mund të themi se ishin më së shumti të detyruara sesa të nisura nga një vullnet i mirë për të bashkëpunuar. Bashkimi Sovjetik ishte në prag të një katastrofe ekonomike në fundin e viteve ’80 dhe ristrukturimi dhe hapja ndaj ekonomisë së tregut ishin të pashmangshme. Gara për armatim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës doli shkatërrimtare për ekonominë sovjetike. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto gjëra që përmendëm më lart Bashkimit Sovjetik po i shembej perandoria nën këmbë. Në të gjithë Evropën Lindore ndihej atmosfera e ndryshimeve. Fillimisht kishte qenë Polonia që kishte nisur të ndryshonte.Vendi i vetëm i Evropës Lindore që do të përgjakej më shumë do të ishte Rumania e Nikola Çauçeskut. Bukureshti dhe qytete të tjera të Rumanisë do të përgjakeshin pa mëshirë. Viti ’89 sipas të gjitha gjasave do të ishte një vit i përgjakur dhe tepër i kushtueshëm. Tashmë e gjithë vëmendja do të përqendrohej në Gjermani aty dhe ku kishte filluar lufta e Ftohtë.Natën e 9 Nëntorit 1989 mijëra vetë u mblodhën pranë Murit nga Gjermania Lindore. Ata kërkonin të dilnin në përëndim. Urdhri për të qëlluar mbi turmën nuk erdhi kurrë. Por tani Muri e humbi rëndësinë e vet. Ai u shkatërrua për të mos u rindërtuar më. Simboli më famëkeq i Luftës së Ftohtë kishte rënë dhe bashkë me të edhe një pjesë e historisë, politikës dhe diplomacisë së botës.Sigurisht që bashkimi i Gjermanisë do të sillte edhe reagime aspak të këndshme në Evropë. Dhe ata që ishin më të zellshëm ndaj moslejimit të këtij ribashkimi ishin francezët dhe anglezët. Duket paradoksale por në politikë interesat janë më të mëdha sesa vullneti i mirë.Por, ajo që kishte nisur nuk mund të kthehej më mbrapa. Ky është një rregull i madh i pashkruar në rrjedhën e historisë dhe të politikës. Përputhja e interesave me vullnetin e mirë janë tepër të fuqishme për tu shkatërruar.

Klasa politike gjermane e viteve ’80 diti fare mirë që të përafrojë interesat ndërkombëtare me vullnetin e popullit gjerman. Kishin kaluar 44 vjet që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe nga ndarja e Gjermanisë. Ribashkimi i dytë vërtetoi thënien se: “Koha sjell në çastin e duhur njerëz të mëdhenj. Njerëzimi nuk duhet të bëjë tjetër veçse t’i mbështesë ata.Pra, ardhja e Gorbacovi në pushtet, sjelli një fryme te re ne politikën sovjetike, ai do e bëj sistemin me demokratik dhe ekonominë me të hapur. Gjithashtu Gorbacovi do jetë me i bute ne lidhjet me Përëndimin ne kundërshtim me presidentet para tij. Gorbacovi erdhi në fuqi ne një moment qe Bashkimi Sovjeti kishte probleme te mëdha ekonomike, dhe një superfuqi me probleme ekonomike ishte gjeja me rrezikshme për botën. Ne vitin 1987 do nënshkruhet marrëvshje për uljen ne numër te armeve bërthamore midis Reganit dhe Gorbacovit. Kurse ne vitin 1989 pas një takimi midis Bushit dhe Gorbacovit do mari fund Lufta e Ftohte.

4. Konkluzion

Në fund të këtij punimi mund të konstatojmë disa përfundime të cilat mund të jenë relative. Mund të konstatojmë se ishin tri çështje kryesore të këtij punimi: e para ishte rreth shpjegimit historik të Luftës së Ftohtë në përgjithësi, e dyta ka të bëjë me zhvillimin dhe ngjarjet të cilat u reflektuan gjatë kësaj periudhe si dhe e treta paraqet përfundimin e luftës së heshtur, e cila përmbylli një kapitull të një gjysmë shekulli, luftë kjo e cila ndodhi në mes dy sistemeve dhe ideologjive të ndryshme, pa përdorur armët.Lufta e Ftohtë paraqet gjithashtu, kulmi e bipolariteti që ka ekzistuar në atë kohë. Pra, gara në armatim, e sidomos në atë bërthamor ishte shkaku i këtij bipolariteti. Mirëpo, zhvillimi i shpejtë i ekonomive të tregut të lirë tek përëndimorët, pastaj i shkencës dhe teknologjisë, ishte një element shumë i rëndësishëm në fitoren e përëndimorëve në këtë luftë. Pra, në fund mund të kunkludojmë se Lufta e Ftohtë, ishte dhe do të mbetët një kapitull shumë i veçantë dhe i rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Një luftë bashkohorë, e stërngarkuar me armatim, që asnjë herë nuk u fut në përdorim në mes të dy ideologjive.Mirëpo, fati dhe koha po ecte në anën e demokracive përëndimore, duke mos lejuar të ndodhtë një luftë shkatrimtare, por duke e përfunduar këtë luftë me anë të mjeteve politike e diplomatik të cilat në fund sjellën paqe dhe rend të ri në botë.

5. Bibliografia

Boriçi, Gjon. “Lufta e Ftohtë (faza e I, II dhe III)”.

Leksioni i modulit Marrëdhënie Ndërkombëtare. Botuar nga Akademia Diplomatike Shqiptare. Tiranë, 2006.

Kessinger, Henry. “Diplomacia”. Përkth. P. Bojani. Botues, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve. Tiranë, 1999.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit