Publicisti Fatos Lubonja thotë në një intervistë për gazetën Mapo se ngjarjet e ditëve të fundit i kanë kujtuar vitin 1997.
“Por Shqipëria dhe shqiptarët, me gjithë mangësitë e mëdha përsa i përket demokracisë, treguan edhe kësaj here, siç e kanë treguar në raste ekstreme, se ka një kufi autoritarizmi dhe abuzimi që ata s’e lejojnë më të kalohet. Sepse kësaj here, kjo racë politikanësh tentoi të shkojë shumë larg. Një nervozizëm të tillë të popullit unë e kam përjetuar vetëm në vitin ’97, kur u vodh nga piramidat financiare”.
Lubonja thotë se fjalimi i Edi Ramës i kujton Hitlerin.
“Ndërkaq, ngjarja e fundit duke përfshirë edhe fjalimin e Ramës, ma ka thelluar edhe më kontradiktën, pasi është sinjal i pastër se ky Kryeministër, që nuk duhet t’ia uronim asesi dështimin, e ka dështimin të shkruar në ballë. Fjalimi i tij ishte ogurzi për mua në këtë drejtim. Nga pikëpamja e gjendjes së tij psikologjike (fatmirësisht jo e pasojave) më kujtoi Hitlerin, që kur po humbte luftën për fajin e tij, mallkoi popullin gjerman që nuk e meritonte një lider si ai. Fjalimi ishte një shoshë me gënjeshtra që kërkonte të mbulonte diellin e së vërtetës që e pa çdo shqiptar: e para, se ajo që ai donte të bënte ishte në dëm të Shqipërisë dhe vetëm në interes të tij e të pushtetit të tij personal e prandaj dhe e kishte mbajtur fshehur – sepse përndryshe do të na e kishte thënë me gaz që ditën e parë, siç na tha, pa u bërë ende kryeministër, se do të shkonte në luftë në Siri – dhe e dyta, se atë e detyroi të sprapset presioni i madh popullor, ku duhen futur edhe njerëzit e tij, dhe jo opozita e mallkuar dhe grupe mediatike që e paskan manipuluar rininë. Shkurt, në vend se të dëgjonim një ndjesë të madhe, madje edhe një dorëheqje, dëgjuam mallkimet e fyerjet e një njeriu që të kujtonte në disa pasazhe fjalimet e Enver Hoxhës kur fliste për Bashkimin e lavdishëm Sovjetik. Në një vend normal do të kërkohej menjëherë dorëheqja e Kryeministrit, pasi ai paraqet një rrezik të madh me pushtetin që ka, papërgjegjshmërinë, mungesën e serioziteti ndaj popullit që e ka zgjedhur, mungesën e transparencës, me hiletë dhe mashtrimet që përdor”.
Në fund Lubonja e ka një propozim për Aleancën Kundër Importimit të Plehrave.
“Idealisht do të thosha se lëvizja e Aleanca Kundër Importimit të Plehrave duhet të shndërrohet në lëvizjen “Aleanca kundër plehrave” – duke nënkuptuar me këtë aleancën e shqiptarëve për pastrimin e kësaj kaste politikanësh dhe jo vetëm, që boll dëme i ka bërë këtij vendi. Ju vë në dukje se lëvizje të tilla ka sot edhe në vende me një klasë politike shumë më të suksesshme se e jona, si p.sh në Bullgari, Rumani, por edhe në Itali. Unë shpresoj shumë që rinia veçanërisht të ndërgjegjësohet për këtë dhe të gjejë rrugët e mençura për ta bërë këtë. Por nga ana tjetër, e shoh edhe shumë të vështirë një gjë të tillë, sepse një gjeneratë e re e shëndoshë lind nga suksesi dhe jo nga dështimi i paraardhësve. Të jeni të sigurt se ishte dështimi aq i rëndë dhe total i komunizmit që na ka sjellë këtë Shqipëri kaq të dështuar”./ep