Loja jashtë shtëpisë.
Një eksperiencë sa stimuluese aq edhe edukative për një fëmijëri të shëndetshme.
Fëmijëria është një nga eksperiencat më të bukura të çdo personi. Nëse kthej kokën prapa dhe mendoj të gjitha eksperiencat e kënaqshme që kalonim me njëri – tjetrin, lojërat e ndryshme që luanim, duke filluar nga loja me litar, kukafshehti, loja me peta që ishte aq shumë e dëshiruar për ne, saqë shkonim më përpara në shkollë vetëm e vetëm për tu zbavitur me këtë lojë, loja ngriva shkriva e cila na bënte të vraponim shumë pas njëri – tjetrit, ose mjaftonte dhe të qëndruarit për orë të tëra me shokët dhe shoqet e pallatit duke folur, a thua se kishim të gjitha hallet e botës për të zgjidhur. Oh, sa kujtime të bukura, aq të bukura më duken, saqë kur i mendoj, më duket sikur nuk kanë ekzistuar kurrë, sepse sot e gjitha kjo për fat të keq është zëvendësuar me lojën në kompjuter, apo të qëndruarit me orë të tëra përpara televizorit, që kurrsesi nuk të jep atë kënaqësinë që ne ndjenim duke qëndruar jashtë shtëpisë, ku fjala lojë merrte trajtë të plotë, sepse ne vinim më punë imagjinatën, ishim të lirë të zgjidhnim lojërat tona, ti organizonim vetë ato dhe të vendosnim vetë rregulla. Sa mund të ta lejojë kompjuteri apo televizori një gjë të tillë?
Me poshtë ne do të diskutojmë përfitimet që kanë fëmijët nga loja jashtë shtëpisë, por përpara se të ndalojmë aty, ne do të ndalemi në faktorët që kanë çuar në reduktimin e orëve të lojës jashtë shtëpisë (Kanjee, 2008) të cilat janë:
1. Koncepti i gabuar që kanë prindërit mbi atë se çka do të thotë të mësosh:
Kur flasin për të mësurait, të gjithë prindërit mendojnë që fëmija e tyre duhet të mbyllet në dhomën e studimit për orë të tëra për të lexuar dhe kryer detyrat rutinë tashmë. Të mësuarit si një element tejet natyral dhe i brendshëm tashmë është zëvendësuar nga një koncept tejet formal dhe i lodhshëm si për fëmijën ashtu edhe për prindërit. Loja e cila më parë cilësohej si një element që e ndihmonte fëmijën të mësonte në mënyrë natyrale dhe pa shumë sforcime, sot përkundrazi shikohet si një element, i cili e ç’fokuson fëmijën nga “të mësuarit”. Sa nëna dëgjojmë të thonë për fëmijët e tyre: “Nuk vjen për të luajtur se ka mësimet për të bërë”, ndërkohë që mësimet mund t`i bëjë mjaft mirë nëpërmjet lojës, në mos qofshin më produktive dhe nxënëse se “mësimet” e sforcuara, të cilët fëmijët nuk i kalojnë dot pa ngrënë ndonjë “dackë” apo të bërtitura. Pra ky është një element që ka minimizuar lojën jashtë shtëpisë, por jo vetëm atë.
2. Presioni i lartë akademik që kanë fëmijët në shkollë për të pasur rezultate të larta:
Kur shikon kurrikulat mësimore sot, them me vete që kam qenë shumë me fat që kam mësuar në një dekadë tjetër. Mësimet sot janë shumë të ngarkuara me koncepte dhe element të rinj, saqë fëmijëve të shkretë do t’iu duhen orë e orë të tëra studim për t`i kuptuar ato. Gjë e mirë apo e keqe kjo? Sigurisht që mund të jetë dhe një gjë e mirë, sepse fëmijët sot dinë më shumë gjëra sesa ne kur ishim në klasën e parë, por ama pritshmëritë e të rriturve dhe kërkesat e tyre janë shumë të larta ndaj fëmijëve, saqë iu lenë atyre shumë pak hapësirë për të bërë atë çka ata duan të bëjnë, atë çka është thelbësore për to. Në mënyrë që të përgatisin fëmijët e tyre për të qenë “gjeni”, prindërit padashur i sakrifikojnë ato nga kënaqësia që iu jep atyre loja e lirë.
3. Mungesa e kohës nga ana e prindërve për t`i shoqëruar fëmijët e tyre në lojën jashtë shtëpisë:
Në ditët e sotme, ritmi i jetës është shumë i shpejtë. Kudo shikon njërëz që vrapojnë dhe në këtë radhë dashur pa dashur janë të përfshirë dhe prindërit, të cilët janë të angazhuar në punë të ndryshme. Mungesa e kohës nga ana e tyre ka bërë që fëmijët sot të kenë një jetë më të strukturuar, e cila varet nga “struktura” e prindit, dhe me më pak mundësi për një lojë jashtë shtëpisë. Mungesa e sigurisë në shoqëri, mungesa e hapësirave dhe parqeve ku mund të luajnë fëmijët si dhe kufizimi i kohës së prindërve janë faktorë të tjerë, të cilët e bëjnë lojën jashtë shtëpisë një vuajtje më vete për fëmijën.
4. Mungesa e solidarizimit të shoqërisë ndaj edukimit dhe rritjes së fëmijëve:
Në fakt ka shumë pak vëmendje, mbështetje dhe investime për të krijuar hapësira, ku fëmijët të ndihen rehat dhe të luajnë lirshëm. Për më tepër që me shtimin e popullsisë jeta urbane në Tiranë dhe jo vetëm, sa vjen dhe bëhet më stresuese, kështu të jetuarit në këtë ngarkesë dhe stres të lartë ka efekte negative në lojën e fëmijëve jashtë shtëpisë dhe për rrjedhojë dhe në shëndetin e tyre.
Pse loja jashtë shtëpisë është thelbësore për një zhvillim optimal?
Tashmë është e ditur që fëmija përfiton nga loja jashtë shtëpisë, sepse mjedisi është i pa strukturuar, fëmija ndjek më tepër dëshirat e tij, nuk ka një axhendë të caktuar për të ndjekur, për më tepër që mund të zërë miqësi me moshatarë të tij. Në fakt loja jashtë shtëpisë nuk ka vetëm të mira fizike. Ajo shtrihet dhe në dimensionet e tjera të zhvillimit të fëmijës, të cilat do t`i paraqesim më poshtë:
Thelbësore në zhvillimin konjitiv. Të gjithë fëmijët lindin me një kapacitet të brendshëm, i cili është një parakusht shumë i rëndësishëm për të mësuarit, kuriozitetin, kreativitetin, të menduarit, imagjinatën dhe krijimin e marrëdhënieve me të tjerët. Kështu fëmijët kanë më shumë mundësi që ta zhvillojnë këtë kapacitet në një mjedis natyral dhe të pa strukturuar, të maksimizojnë potencialet e tyre të lindura për të mësuar, të shuajnë kuriozitetin e tyre, të zhvillojnë kreativitetin, të zgjerojnë imagjinatën dhe të krijojnë shokë, gjë që është shumë e rëndësishme në zhvillimin e tyre. Në këtë mënyrë loja e lirë dhe më saktë loja jashtë shtëpisë iu jep atyre një mundësi të artë për të zhvilluar talentin e tyre në një mjedis natyral. Frenimi dhe vendosja e limiteve në lojë pengojnë mundësinë e zhvillimit të këtij potenciali të brendshëm. Studime të ndryshme kanë theksuar, që aktiviteteti fizik i rregullt kontribuon në gjenerimin e qelizave të reja të trurit, rrit aftësitë konjitive dhe vëmendjen.
Një mënyrë natyrale për të zhvilluar aftësitë fizike. Loja jashtë shtëpisë i jep mundësi fëmijës që të lëvizë lirshëm, duke mundësuar kështu një zhvillim të mirë të aftësive motorike. Eksperienca të tilla si: ecja, vrapi, hedhje, noti, mbajtja e diçkaje ndihmon ne forcimin e muskujve. Aftësitë menaxhuese nga ana tjetër mund të zhvillohen mjaft mirë nga lojëra të tilla si: mbushja dhe zbrazja e rërës, mbajtja e ujit në një enë dhe të kujdesurit për kopshtin. Ndërkohë që motorika fine zhvillohet më tepër, kur fëmija loz me duar me rërën apo plastelinën, eksperienca si këto dhe të tjera veç tyre e ndihmojnë fëmijën të adaptohet më lehtë me motin, e bën trupin e tij më aktiv dhe e ndihmon atë që të zhvillojë një koordinim të mirë trup – mendje.
Një katalizator për të rritur besimin në vetvete dhe të menduarit kritik. Duke luajtur në një mjedis natyral, fëmija krijon vetë lodrat e tij dhe të gjitha materialet e nevojshme që i duhen për lojën, madje ndonjëherë mund të krijojnë një skeç apo dialogë të detajuar, duke përdorur imagjinatën dhe aftësitë kreative. Duke luajtur në fushë të hapur, fëmijët prodhojnë ide, eksplorojnë, eksperimentojnë, marrin përsipër rreziqe, bëjnë gabime dhe përpiqen të gjejnë një zgjidhje për to. Këto eksperienca ndikojnë që fëmija të marrë përsipër risqe dhe të bëhet më i pavarur. Ky guxim dhe frikë e përjetuar në lojërat jashtë shtëpisë, bën që fëmija të zhvillojë besimin në vetvete dhe pavarësinë që më vonë do ta ndihmojë atë të aftësohet në zgjidhjen e problemeve. Po ta vëmë re, fëmijët të cilët lozin jashtë shtëpisë, janë më të fortë fizikisht dhe më të vendosur në vendimet e tyre.
Mundësi për të eksploruar dhe vlerësuar natyrën. Loja jashtë shtëpisë iu jep mundësi fëmijëve të eksplorojnë nga afër natyrën dhe të krijojnë këndvështrimin e tyre në lidhje me të kuptuarit e botës. Duke luajtur me rërën, ujin, blloqe, fëmija zhvillon idenë e tij për volumin dhe hapësirën. Ndërsa hedhja dhe mbushja e ujit apo rërës, krahasimi i masës së kovave të rërës, numërimi i blloqeve të drurit, matja e distancës së vrapimit apo ngjitjes janë disa nga shembujt që e ndihmojnë fëmijën të zhvillojë domethënien e gjërave. Këto aftësi që fëmija i zhvillon në fëmijëri, janë thelbësore në krijimin e njohurive dhe të kuptuarit e botës në vitet e mëvonshme të jetës së tij.
Mjet për një stabilitet emocional dhe aftësim social. Loja jashtë shtëpisë i jep mundësinë fëmijëve të shprehin emocionet e tyre ashtu siç iu vijnë, pa dashur që t`i fshehin. Kështu ata bërtasin kur janë të kënaqur, frikësohen kur marrin përsipër risqe, qajnë kur dëmtohen. Për më tepër ata mësojnë të kujdesen, kur dikush ka nevojë për mbështetje. Eksperienca të tilla janë shumë të rëndësishme në vendosjen e një stabiliteti emocional. Gjithashtu loja jashtë shtëpisë i jep mundësinë fëmijës, që të përfshihet në një sërë grupesh sociale. Kjo i ndihmon ata që të zhvillojnë aftësitë ndër personale, ndjesinë e të qenit i ndërvarur në shoqëri, duke i bërë ata qënie dinamike sociale.
Format e lojës jashtë shtëpisë dhe kontributi i tyre në zhvillimin e fëmijëve
Të kesh një stil aktiv jetese është shumë i rëndësishëm për çdo njeri. Aktiviteti fizik është tepër i rëndësishëm në zhvillimin dhe shëndetin e fëmijës, si dhe në ngulitjen e sjelljeve pozitive, të cilat u japin atyre kënaqësi dhe një aktivitet të shtrirë në kohë. Loja ka disa forma dhe trajta. Ajo vjen duke u bërë më komplekse me rritjen në moshë. Ky progres që fëmija bën nëpërmjet lojës, sigurisht që reflektohet dhe në fusha të tjera të zhvillimit.
Sportet tradicionale si p.sh futbolli, tenisi dhe lojëra të tjera, të cilat kërkojnë një aktivitet fizik si p.sh: noti, vrapi, kukafshehti, mbajta e ngarkesave të caktuara, e bëjnë fëmijën më të fortë jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht, duke i sjellë atij kënaqësi. Për fëmijët eksplorues ngjitja e shkallëve, noti, ngarja e biçikletës dhe vrapi janë sporte, të cilat duhen inkurajuar. Loja me rërë ku fëmijëve u jepet mundësia të ndërtojnë objekte të caktuara, loja me plastelinë, bërja e shtëpive me llucë, të gjitha këto i japin mundësi fëmijës të edukojë kreativitetin e tij dhe të shpalosë lojën konstruktive. Loja sociale përfshin kukafshehti, të bërit e një kalaje prej rëre së bashku dhe luajtja në grupe të cilat theksojnë aftësitë sociale të fëmijëve, inkurajon bashkëpunimin dhe nuk vihet theksi tek gara, në mënyrë që loja të jetë sa më zbavitëse.
Fëmijët dhe shoqëria mund të përfitojnë duke maksimizuar mundësitë e të mësuarit, që loja jashtë shtëpisë ofron në mënyrë natyrale. Të gjithë fëmijët kanë nevojë të ndjejnë natyrën dhe çdo element të saj. Prindërit duhet të bëjnë një axhendë të veprimtarive të tyre, në mënyrë që fëmija i tyre të ketë mundësi të luajë jashtë. E keni ju në dorë të zhvilloni potencialin e fëmijës tuaj.
Përgatiti: Msc. Burbuqe Tomja
…