0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Llojet e problemeve bashkëshortore 2

Më të lexuarat

Nga: Xhasim El-mutava

Llojet e problemeve bashkëshortore 2

Problemet bashkëshortore, ndahen në katër lloje:
1 – Problemet e dukshme.
2 – Problemet e fshehta.
3 – Problemet kalimtare.
4 – Problemet e përhershme.
 
Secili nga katër llojet e problemeve, kërkon një mënyrë të ndryshme reagimi dhe trajtimi. Diçka të tillë do të mundohemi ta sqarojmë dhe mësojmë në rreshtat në vazhdim.
Lidhur me problemet e dukshme, një shembull më konkret për këtë është kur burri e rreh të shoqen. Të rrahësh dhe të qëllosh gruan padyshim që është një problem i madh, të cilin nuk mund ta fshehësh. Një shembull tjetër, është kur gruaja i bërtet, i kthen fjalën, e shan dhe ofendon të shoqin. Këtë ajo e bën para fëmijëve, familjes dhe njerëzve të tjerë.
Padyshim që problemet e dukshme, janë të rënda dhe shkaktojnë plagë. Njeriu e ka të vështirë t’i përballojë dhe t’i durojë gjithmonë. Nëse pala agresive vazhdon të njëjtin avaz, pala mbi të cilën abuzohet do të shpërthejë një ditë dhe nuk do të durojë. Kjo, edhe pse pala abuzuese ka shumë të mira dhe aspekte pozitive. Burri mund të jetë bujar, i pashëm etj… por është i dhunshëm dhe i ashpër.
Problemet e fshehta, ndodhin në raste kur dy bashkëshortët ose njëri prej tyre është i inatosur dhe zemëruar, por që nuk e shfaq. Shpesh herë, marrëdhëniet mes bashkëshortëve tensionohen, ashtu siç tensionohen mes dy shokësh, mes fëmijëve dhe prindërve etj….. Marrëdhëniet mes tyre i ngjajmë më shumë një lufte psikologjike.
Në raste të tillë, secili nga bashkëshortët e trajton në aparencë palën tjetër si gjithmonë dhe normalisht, por nga brenda ata ziejnë dhe janë shumë të tensionuar.
Problemet kalimtare, ndodhin kur p.sh njëri nga dy bashkëshortët i thotë një fjalë të papranueshme, e shan ose e ofendon palën tjetër, gjë të cilën nuk e kishte bërë më parë. Nëse gjëra të tilla ndodhin vetëm një herë ose shumë rrallë në gjithë jetën bashkëshortore, një problem i tillë quhet kalimtar.
Problemet e përhershme janë ato që ndodhin çdo ditë. Nëse bashkëshorti/ja nevrikosen çdo ditë, shajnë çdo ditë, godasin çdo ditë… ky problem klasifikohet si i përhershëm.
Prandaj, nëse duam t’i trajtojmë dhe t’i zgjidhim problemet, duhet që pikë së pari t’i klasifikojmë nëse janë të dukshme, të fshehta, kalimtare apo të përhershme.
Nëse do të marrim problemet e dukshme – një burrë që rreh të shoqen, gruaja që e shan dhe i bërtet të shoqit etj… – ato janë probleme që shkaktojnë dhimbje dhe njeriu e ka të vështirë t’i durojë gjithë jetën. Do të vijë një ditë, kur ai shpërthen dhe i thotë “jo” një trajtimi të tillë. Kjo, edhe pse pala tjetër ka shumë tipare dhe virtyte pozitive.
Në shumë raste, ka gra që kanë kërkuar divorcin pas dhjetë vitesh martesë. Kjo, për shkak se nuk e duronin dot dhunën që ushtronte ndaj tyre burri.
 
Si trajtohen problemet e dukshme?
 
Në një rast të tillë, burri i dhunshëm ose gruaja, duhet të vendosin që të ndryshojnë. Nëse ata janë të dhunshëm, duhet të vendosin që ta ulin masën e ushtrimit të dhunës. Nëse ai ose ajo janë mësuar të rrahin, duhet të tentojnë të mos e bëjnë diçka të tillë në të ardhmen. Nëse gruaja ka gjuhë të gjatë, shan dhe flet fjalë banale, ajo duhet të vendosë që ta reduktojë gradualisht këtë ves. Pra, hapi i parë në trajtimin e këtij problemi, është marrja e një vendimi.
Hapi i dytë është që ky njeri që dëshiron të ndryshojë, të ndihmohet nga familjarët dhe të afërmit e tjerë. Nëse një person nevrikoset shpejt, familjarët e tij, fillimisht, studiojnë faktorët që e nervozojnë. Më pas, përpiqen që këto faktori t’i mbajnë larg tij.
Nëse një burrë përdor dajakun me të shoqen ose fëmijët, fillimisht duhet të ndërgjegjësohemi mbi faktorët që e çojnë të përdorë këtë metodë. Më pas, përpiqemi sipas mundësive që ta mbajmë sa më larg këtyre faktorëve.
Nëse një grua shan, ofendon dhe flet bajat, përpiqemi të zbulojmë shkakun dhe më pas ta mbajmë larg faktorëve stimulues.
Nëse një burrë i dhunshëm ose një grua që shan dhe ofendon, arrijnë që për një muaj, dy ose më shumë, ta përmbajnë dhe kontrollojnë veten, do të fillojnë të ndryshojnë për mirë. Kështu, një që zemërohej dhe nevrikosej shumë shpejt, fillon të mësojë si ta përmbajë veten. Një i dhunshëm, mëson butësinë dhe vetëpërmbajtjen.
Praktika dhe trajnime të tillë, secili prej nesh është mirë t’i përvetësojë. Unë e di që njeriu e ka të vështirë të ndryshojë karakter dhe të marrë formë tjetër. Vështirësia dyfishohet nëse ky njeri është rritur dhe edukuar në një familje ku prindërit kanë qenë të dhunshëm me të. Imagjinojeni një person që është bërë njëzet vjeç dhe gjatë këtyre viteve ka qëndruar në një ambient me një baba dhe nënë të dhunshëm me të. A është e mundur që ky njeri të ndryshojë, ta flakë tutje dhunën e cila e ka shoqëruar gjatë këtyre viteve?
Përgjigja është “Po”, por kjo kërkon kohë.
Për mua, problemet më të rrezikshme janë ato të fshehtat. Kjo, pasi une nuk e di që pala tjetër është e zemëruar, nevrikosur, vlon nga urrejtja apo zilia, përderisa e mban atë të fshehtë. Shumë raste divorci ndodhin për shkak të problemeve të fshehta. Problemet e këtij lloji, kanë më shumë se një zgjidhje:
E para dhe më e mirë është diskutimi i hapur. Nëse je burrë apo grua, nuk duhet të mbash gjë të fshehtë. Nëse ndihesh e ofenduar apo e shpërfillur nga një rast dhe nga kjo fillon të ndjesh zemëratë, është më e udhës që t’i hapesh bashkëshortit/es. Këtë mund ta bësh duke zgjedhur një kohë të përshtatshme, ku do bisedosh me atë që të zemëroi dhe nevrikosi. Kushdo qoftë ai njeri, babai, burri, gruaja, motra, nëna, vëllai, shoku etj…
Me t’u ulur të diskutosh, ti duhet të fillosh me disa fjali të caktuara dhe të rëndësishme për një rezultat të mirë. Biseda nuk mund të fillojë me fjalë të tilla si:”Ti je shkaktari, ti nuk më kupton, ti je kokëfortë…” Përemri vetor “ti” tregon për akuzat që të adresohen. Edhe nëse personi i ka këto veti, fillon të kundërshtojë, madje të akuzon ty.
Nëse dikujt i ka mbetur hatri, është hidhëruar, është zemëruar etj… fjalët e para duhet të jenë:”Unë ndjej se ti, filan ditë….” Në një rast të tillë, ti nuk e akuzon palën tjetër, por i kërkon të dialogësh dhe të bisedosh. Duke i kërkuar të nxjerrë atë që ka realisht në zemër, ti do të qetësohesh dhe sigurohesh.
Nëse njëri nga bashkëshortët i thotë një fjalë jo të mirë tjetrit, nuk është mirë që mëria dhe hatri të mbetet në mendje dhe zemër. Është më mirë që shprehet pakënaqësia. Nëse qëndron e fshehtë, ajo veç shtohet derisa të shpërthejë një ditë, duke i përkeqësuar marrëdhëniet bashkëshortore.
E dyta, është kur njeriu e ka të vështirë ta shprehë atë që ndjen dhe të diskutojë hapur me palën tjetër. Kjo mund të ndodhë, edhe ngaqë pala tjetër mund të reagojë ashpër.
Në këtë rast, përdoren instrumente të tjerë, përveç bisedës direkte. Nëse personi ka talent për të shkruar, le ta bëjë duke i shkruar një letër.
Një burrë që kishte shumë pakënaqësi ndaj të shoqes, por që nuk ia shprehte dot, këtë e bëri duke regjistruar një kasetë magnetofoni. Të gjithë pakënaqësitë e tij dhe hatër mbetjet që kishte, i regjistroi në këtë kasetë dhe ia dorëzoi të shoqes.
Edhe kjo mënyrë, hyn tek e para, pasi kështu ti arrin ta shprehësh atë që ndjen dhe ta publikosh problemin dhe shqetësimin.
Në rast se e kemi të pamundur si metodën e parë ashtu edhe të dytën, prej nesh kërkohet që hallin dhe problemin që na ka zënë, t’ia qajmë Zotit të madhëruar. Këtë e bëjmë duke u falur, duke e përkujtuar sa më shumë Zotin etj… Duke ia shprehur Zotit hallet dhe problemet tona, ne i shkarkojmë ato nga vetja jonë.
Përsa i përket problemeve kalimtare, është normale që ato do të ndodhin, sidomos në jetën bashkëshortore. Nëse burri tregohet dorështrënguar një herë me të shoqen e tij, pas pesëmbëdhjetë vitesh martesë, nëse e qëllon vetëm një herë ose e shan pas njëzet vite martesë, kjo nuk ka nevojë që të trajtohet fare. Në kësi rastesh, pala tjetër fal dhe i tejkalon këto probleme, sepse janë probleme kalimtare, që nuk ndodhin shpesh. Problemet që kanë nevojë të trajtohen dhe të zgjidhen janë ato të përhershmet, ku burri është i ashpër dhe i dhunshëm çdo ditë, kur është gjatë gjithë kohës koprac dhe dorështrënguar, kur gruaja e ka në natyrë nervozizmin dhe inatin, kur ajo çdo orë e çast është llafazane etj…
Unë i këshilloj të gjithë që sa herë të përballen me një problem në familja dhe kudo, ta klasifikojnë sipas ndarjes që i kemi bërë më lart, problem i dukshëm, i fshehtë, kalimtar apo i përhershëm. Pasi t’i klasifikoni, do e keni më të lehtë që t’i trajtoni dhe t’i zgjidhni.
 
A duhet që të përpiqemi të zgjidhim çdo problem?
 
Nuk është e thënë që ne të jepemi tërësisht pas çdo problemi dhe të përpiqemi që ta zgjidhim atë. Është e vërtetë që Profeti a.s thotë:”Për çdo sëmundje ka ilaç”, por nëse vetë njeriu refuzon ta marrë ilaçin e ofruar nga doktori, atëherë nuk kemi përse të lodhemi me një çështje të tillë.
Profeti a.s gjatë gjithë viteve të qëndrimit në Meke, e ftonte dhe e luste xhaxhain e tij të dashur që të pranojë islamin, por ai refuzonte. Edhe në shtratin e vdekjes, Profeti a.s nuk la rrugë dhe metodë pa përdorur që xhaxhai i tij të pranonte islamin, por ai sërish refuzoi. Ai vdiq si jobesimtar dhe idhujtar.
Prandaj, ne duhet të përpiqemi sipas mundësive tona që problemeve t’ju japim zgjidhje. Por duhet të dimë që jo të gjithë problemet mund të zgjidhen. Disa probleme kërkojnë vetëm një orë përkushtim që të zgjidhen. Disa probleme familjare kërkojnë vetëm një ditë që të zgjidhen. Disa probleme familjare kërkojnë një javë, të tjera një muaj, të tjera një vit dhe të tjera kërkojnë gjithë jetën. Ne nuk posedojmë shkopin e Musait a.s që me një të goditur t’u japim fund problemeve. Ne nuk posedojmë as unazën e Sulejmanit a.s. Ne jemi njerëz të thjeshtë dhe problemet tona përpiqemi t’i zgjidhim duke u bazuar në realitetin dhe aktualitetin ku jetojmë.
Kushdo që lexon jetëshkrimin e Profetit a.s, gjen se ai përdorte më shumë se një mënyrë në zgjidhjen e problemeve familjare. Para disa problemeve të caktuara, ai përdorte diskutimin dhe dialogun. Në disa probleme të tjera, ai braktiste shtëpinë, në disa të tjera zgjidhte rrugën e heshtjes. Trajtimi dhe zgjidhja e një problemi, varet nga shumë faktorë, nga personi, nga ambienti ku është rritur dhe edukuar, nga kultura prej të cilës vjen etj…
Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që jo të gjithë personave që vuajnë nga një problem u jepen të njëjtat këshilla për ta zgjidhur atë. Nëse një grua ankohet se i shoqi i saj është koprrac dhe ne i japim disa këshilla si ta zgjidhë këtë çështje, të njëjtat këshilla nuk mund t’ia japim një gruaje tjetër që ka të njëjtin problem
Zgjidhja e problemeve familjare, nuk është si çështja e fetave fetare. Në çështjet fetare dhe rituale, përgjigja është e njëjtë për të gjithë. Nëse dikush ka harruar një rekat pa falur nga namazi i drekës, përgjigja se çfarë duhet të bëjë është njëlloj për të gjithë myslimanët nga të katër anët e globit.
Kurse në çështjet shoqërore, trajtimi i problemeve varet nga shumë faktorë. Një burrë lindor dhe nevrik, ndryshon nga një perëndimor nevrik. Një i ri dhe inatçi, ndryshon nga një i moshuar inatçi. Një bashkëshort inatçi që e shfaq inatin, ndryshon nga një tjetër që e mban të fshehtë. Një bashkëshort që e mban inatin përkohësisht, ndryshon nga një tjetër që e ruan atë.
Burri i një gruaje ishte tregtar floriri. Sa herë që kthehej nga aktiviteti, ai merrte me vete disa kallëpe floriri dhe i çonte në shtëpi. çdo ditë, e shoqja merrte një kallëp dhe e fshihte në një kasafortë në dhomën e tyre të gjumit. Pas disa kohësh, burri i saj vjen një ditë i zemëruar dhe tejet i dëshpëruar. Kur ajo e pyeti mbi shkakun, i tha:”Dyqani që kishim është djegur tërësisht dhe floriri që ishte brenda është dëmtuar. Sapo kam falimentuar.”
Gruaja i buzëqeshi dhe i tha:”Më ndiq pas! Nuk do të falimentosh përderisa unë të jem gruaja jote.” Bashkë me të shoqin, vajti në dhomën e gjumit dhe hapi kasafortën, e cila ishte mbushur me kallëpe floriri. Kur i pa i shoqi, u gëzua dhe iu hoq i keqi që e kishte pushtuar gjer atëherë. Të nesërmen ai hapi një dyqan të ri dhe filloi tregtinë përsëri.
Këtë histori, e dëgjon komshija e tyre e cila mendon që të njëjtën gjë të veprojë me burrin e saj. Fakti që edhe burri i saj ishte tregtar, do e ndihmonte në realizimin e këtij plani. çdo ditë, kur burri i saj kthehej në shtëpi, sillte me vete disa mallra nga ato që shiste gjatë ditës. E shoqja, merrte një pjesë të tyre dhe i fshihte. Pas disa vitesh, burri i saj hyn në shtëpi kokulur dhe shumë i dëshpëruar. Kur e pyeti e shoqja mbi shkakun, ai i tha:”Kam falimentuar në tregti” dhe filloi t’i rrëfejë si qëndronte puna.
Ajo i buzëqeshi dhe i tha:”Mos u mërzit fare, përderisa ka një grua si unë” më pas u nis drejt dhomës së gjumit, ku hapi një kuti të madhe. Aty ajo kishte fshehur kalendarë dhe blloqe axhende, të cilat i tregtonte i shoqi. Duke qenë se ishin kalendarë të depozituar që para pesë vitesh, tashmë ato nuk kishin asnjë vlerë. Kur pa sasinë e mallit të fshehur, burrit iu shtua edhe më shumë dëshpërimi dhe hidhërimi.
Prandaj, zgjidhja e problemeve familjare dhe shoqërore nuk mund të jetë sipas mënyrës copy paste njëlloj për të gjithë. Siç e pamë dhe në historinë e mësipërme, zgjidhja e të dy grave ishte e njëjtë, por rezultatet krejtësisht të kundërta.
Nëse më vijnë dy gra dhe ankohen se bashkëshortët e tyre janë martuar me një të dytë, unë si konsulent shoqëror nuk u jap të njëjtat këshilla të dyjave. Prandaj, kur përmendëm ushtrimin e rrëzimit të avionit civil, thamë që para se të ndërmarrim një hap, duhet të vendosim të gjithë gjasat dhe më pas fillojmë të mendohemi rreth zgjidhjes më të përshtatshme. Ndonjëherë, zgjidhja është shumë e çuditshme, por ajo është gjasa e vetme. 
Kur Zoti e dërgoi Musain a.s tek faraoni, i cili njihej si diktator dhe i dhunshëm, e urdhëroi që t’i flasë me fjalë të buta. “dhe i thoni fjalë të butë”
Është e vërtetë që faraoni vdiq si jobesimtar dhe se mënyra me të cilën i foli Musai a.s ishte e pafrytshme, por kjo metodë që përdori Musai, pati ndikim dhe influencë tek të pranishmit që ndodheshin me faraonin.
Me mençuri dhe urtësi reagoi edhe Ibrahimi a.s para Nemrudit i cili i tha:”Meqë ti pretendon se Zoti yt jep dhe merr jetë, unë të them që edhe unë jap dhe marr jetë.” Më pas urdhëroi që një të burgosuri t’i falej jeta kurse një tjetër të ekzekutohej në vend.
Ibrahimi a.s nuk hapi debat nëse krahasimi ishte i drejtë apo i padrejtë. Jo. Ai hapi një front tjetër debati, të përshtatshëm për mentalitetin e këtij mbreti kokëbosh. Ai i tha:”Meqë edhe ti pretendon se jep dhe merr jetë, Zoti im e sjell diellin nga lindja, atëherë ti sille nga perëndimi.”
Mbreti mbeti pa fjalë nga kjo përgjigje. Sot, nga psikologët dhe sociologët, kjo mënyrë njihet me emrin “ilaçi me shokim”.
Prandaj, e theksoj edhe një herë që para një problemi familjar, konsulenti duhet të njohë personin që ka para, kulturën e tij, edukimin etj…
Ndër problemet që më paraqiten, është se disa gra ankohen se burrat e tyre pothuaj nuk flasin fare. Në këtë rast, unë e pyes:”Është vetëm me ty i heshtur, apo është edhe me prindërit, vëllezërit, shoqërinë etj…?”
Përgjigja e kësaj pyetjeje është shumë e rëndësishme. Nëse burri është i heshtur vetëm me gruan, problemi mund të qëndrojë tek burri por mund të qëndrojë edhe tek gruaja.
Prandaj, kur na paraqitet ndonjë probleme, fillimisht ne vendosim të gjithë gjasat. Më pas ofrojmë zgjidhjet e mundshme dhe i provojmë të gjitha një e nga një.
 
Si t’i zgjidhim problemet familjare në mënyrën më të zgjuar?
Natyra njerëzore është e tillë se me tu përballur me një problem, menjëherë kërkon ta zgjidhë. Por ne nuk duhet të harrojmë se koncepti i zgjidhjes dhe trajtimit të problemeve ndryshon sipas rastit.
Nëse unë kam dhimbje dhëmbi, shkoj tek doktori i cili më tregon se dhëmbët i kam të prishur. Para se të ndërhyjë, fillimisht ai më bën një grafi të nofullës me qëllim që të diagnostifikojë dhëmbin. Pasi sigurohet mbi gjendjen e dhëmbit dhe të nofullës, doktori më paraqet një raport duke më vënë para disa zgjedhjeve. Zgjidhja e parë, është ndërhyrja rrënjësore, ku pastrohet pjesa e prishur, hiqet nervi, pastrohen kanalet e infektuara dhe më pas fillon mbushja.
Mundësia e dytë është përpunimi, ku dentisti e mjekon dhëmbin rreth e rrotull. Këtë ai e bën me qëllim që të evitojë dhimbjet e mundshme. Kjo është një zgjidhje e përkohshme sado që të zgjasë.
Një mundësi tjetër është ajo e ambientimit, ku dentisti i kërkon pacientit të mësohet dhe ambientohet me dhimbjen që ka. Kjo, sepse edhe dy dhëmbët anash janë të dëmtuar, gjë që tregon se vetë nofulla ka probleme. Në këtë rast, dentisti i jep pacientit ilaçe qetësues deri në gjetjen e një zgjidhjeje tjetër.
E njëjta gjë vlen edhe për problemet sociale dhe familjare.
 
Si veprohet nëse gruaja zbulon se i shoqi e tradhton?
 
Pas disa vitesh martesë, gruaja zbulon se burri i saj e tradhton. Në një rast të tillë, ajo gjendet para tre zgjidhjeve që i përmendëm më lart në rastin e dhimbjeve të dhëmbit. Ajo ose do të kërkojë një trajtim rrënjësor të problemit, ose do e përfshijë atë dhe ose do të ambientohet dhe mësohet duke e trajtuar herë pas here.
Trajtimi rrënjësor bëhet duke u ulur me burrin të cilit i thotë:”Unë kam zbuluar se më tradhton. Unë e kam të pamundur ta duroj një fakt të tillë, prandaj ose të largohesh nga një vepër e tillë ose të divorcohemi.”
Në një rast të tillë, burri mund të frenohet dhe mund të distancohet nga tradhtia bashkëshortore. Ky është trajtimi rrënjësor i problemit.
Nëse burri sheh që e shoqja e gënjen herë pas here, i thotë:”Ka pesë-gjashtë raste që ti më ke gënjyer. Unë e kam të pamundur të jetoj me një person që më gënjen. Prandaj, dua që të biem dakord që një problem të tillë ta shkulim nga rrënjët. Prej ditës së sotme, unë nuk dua të më gënjesh.”
Por ne jemi të ndërgjegjshëm që jo gjithmonë mund t’i zgjidhim dhe t’i trajtojmë rrënjësisht problemet tona. Pala tjetër shpesh herë nuk reagon fare nga kjo mënyrë.
Unë njoh një grua të cilën e tradhtonte i shoqi. Ajo u ul me të shoqin dhe i tha:”Unë dua që këtë problem ta shkulim nga rrënjët. Unë nuk mund të hiqem sikur nuk di gjë ndërkohë që burri im fle me dikë tjetër.”
Burri i tha:”Edhe pse kemi pesëmbëdhjetë vite të martuar, ti nuk mi ke plotësuar nevojat e mia seksuale. Prandaj unë kam zgjedhur këtë rrugë.”
Gruaja i tha:”Mirë, unë të propozoj diçka tjetër më të mirë. Në vend që të më tradhtosh, më mirë martohu për herë të dytë. Është e vërtetë që nuk është e kollajtë për mua, por është më mirë se të më tradhtosh.”
Në këtë rast, trajtimi i problemit nuk bëhet duke e shkulur atë nga rrënjët, por duke e përpunuar. Një akt negativ të shoqit, gruaja e shndërroi në akt pozitiv.
Një teknikë të tillë në trajtimin e problemeve, mund ta përdorim në të gjithë aspektet e jetës dhe jo vetëm në jetën familjare.
Nëse një ves të gruas, p.sh koprracinë, e kemi të pamundur ta trajtojmë duke e shkulur nga rrënjët. Vetë gruaja mund të jetë e kënaqur me këtë ves. Kështu, kalojmë në planin b, duke e orientuar këtë ves në diçka pozitive. Atëherë i themi gruas:”Meqë ti e sheh si diçka të mirë koprracinë, ajo duhet të shfrytëzohet për mirë. Sa herë që djali ynë katërmbëdhjetë vjeçar të kërkojë para për të blerë cigare, mos ia jep. Një koprraci e tillë është pozitive.”
Gjatë një misioni, Halid ibnul Velidi ishte komandant i njësisë ushtarake. Kur u fal me ushtarët si imam, ai lexoi si në rekatin e parë dhe në të dytin, Fatihanë dhe suren Ihlas. Pas tij faleshin sahabët më të mëdhenj të Profetit a.s. Ata u habitën dhe e pyetën:”Si është e mundur që të falesh vetëm me këto dy sure?”
Halidi iu përgjigj:”Për Zotin nuk di asnjë sure tjetër përveç këtyre të dyjave.”
Aftësitë ushtarake të Halid ibnul Velid, Profeti a.s i kishte vënë në shërbim të islamit dhe të myslimanëve. Por kjo ishte bërë në llogari të leximit të Kuranit dhe mësimit të tij përmendësh.
Ndonjëherë, gruaja ose burri mund të kenë një ves i cili nuk hiqet me asnjërën nga teknikat e lartpërmendura. P.sh kur gruaja është llafazane. Burri përpiqet që ta trajtojë rrënjësisht këtë problem, por dështon. Përpiqet që ta shfrytëzojë për diçka pozitive përsëri dështon. Në këtë rast, atij i duhet të ambientohet dhe të mësohet. Ai duhet ta pranojë të shoqen ashtu siç është, por duke vazhduar me përpjekjet për ta reduktuar. Kjo i ngjan ilaçit që na jep dentisti për të eliminuar dhimbjen e dhëmbit.
Një rast tjetër mund të jetë një burrë koprrac. E shoqja e duroi për vite të tëra duke u përpjekur ta trajtojë rrënjësisht, por dështoi. Tentoi ta shfrytëzojë për mirë për sërish dështoi. Në këtë rast, gruas i takon të filloj të ambientohet dhe të mësohet me këtë problem shoqëror.
Në raste kur veset janë të vështirë për t’u trajtuar, – inatçi, fjalëshumë, shan, ofendon, sheh filma pornografikë, pi duhan etj…- është më e udhës që njeriu të fillojë trajtimin gradualisht. Është e vështirë që një fëmije të tillë t’i kërkosh të ndryshojë rrënjësisht. Unë nuk kam në dorë bastunin e Musait a.s që me një të prekur ta kthej djalin në një engjëll. Fillimisht, mund të përdor taktikën e ambientimit, si një periudhë për të kaluar më pas në trajtimin rrënjësor.
 
 
 
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit