Gëzim Selaci
Qysh kujton dikush se e merr vesh nji shoqni të huej apo edhe kulturën që e konsideron të veten nga kohna të shkueme, pa e mësu gjuhën e saj?
Kur them “gjuhën”, du me thanë jo vetëm gjuhën në kuptimin e ngushtë, domethanë si rregulla dhe norma të të folunit (langue), fondin e fjalëve/vokabularin (si signifier), por edhe të folunit si veprim konkret i një individi (parole) (sipas koncepteve të F. de Saussure-it). Siç ka argumentu L. Witttgenstein-i, gjuha nuk asht sistem abstrakt i shenjave, andaj atë duhet kuptu në praktikë, pra siç funksionon në përdorimin dhe jetët e folësve të saj (language games). Gjuha asht e ngulitun në jetën e sjelljen joverbale të njerëzve (formën e jetës së tyre). Ata dhe sjellja ndryshojnë, e me këtë ndryshon edhe gjuha.
Me fjalë të tjera, nuk mundesh me e kuptu nji shoqni të sotshme ose të shkueme pa ia mësu gjuhën, pra gjuhën si gramatikë, domethanë rregullat e të folunit, por edhe gramatikën e të folunit, domethanë çka mundet me u thanë e çka jo, si mundet me u thanë ajo që mundet me u thanë në nji kontekst të dhanë, çka synon dhanësi të komunikojë tek marrësi përmes formave stilistike të cilat i përdor në të folun, cilat janë konceptet hegjemonike të cilat nuk i kundërshton kur don të komunikojë diçka, cila asht korniza vlerore të cilën e respekton, cilat janë tabutë për të cilat nuk mundet me u folë ose mundet me u folë veç në mënyra të caktueme, etj.
Pa i ditë referencat dhe kornizën kuptimore të këtyre kodeve gjuhësore e kulturore, nji i huej nuk ka me mujtë kurrë me i deshifru kuptimet e gjuhës së shoqnisë së huaj, e as me e kuptu atë shoqni. Për me e marrë vesh dikënd, s’asht boll veç me e ditë gjuhën në kuptimin e ngushtë të fjalës, por me e kuptu edhe të folunit e tij/saj. Se, ti mundesh me e njoftë gjuhën, rregullat dhe fjalorin, por s’ia ki haberin të folunit, dmth çka thonë ata që flasin me atë gjuhë. Andej, nuk ka komunikim.
Si analogji me rastin e njeriut dhe luanit që flet me gjuhën e njerëzve në ilustrimin e Wittgensteinit (“edhe sikur luani të kishte me folë me gjuhën tonë, na s’kishim me e kuptue ate”), mundemi me thanë: edhe po të fliste, ta zamë, gjermani në gjuhën shqipe, na s’kishim me e kuptu atë. Kësisoj, kur gjermani flet për nderin (duke shqiptuar tingujt e fjalës “n-d-e-r” si signifier), a flet për të njajtin kuptim të fjalës “nder” (si signified) si tonin? E të tjera.
Kjo vlen njisoj edhe kur nji bashkëkohor lexon nji tekst nga shekujt e kaluem, në gjuhën e tij amtare ose në gjuhë të huaj: ndonëse fjalët janë të njajta, semantika e tyre nuk asht e njajtë si për lexuesin bashkëkohor të tekstit, si për lexuesit e kohës në të cilat asht prodhuar ai tekst. Epokat nuk e kuptojnë njëra-tjetrën vetëm duke u bazuar në gramatikën dhe fjalorin (langue), por duhet ba përpjekje që bashkëkohësit të kuptojnë edhe semantikën e asaj gjuhe. Në mos gabofsha, prej E. Gellnerit e kam lexu: shoqnitë e caktueme flasin të njëjtën gjuhë (semantikë) edhe kur nuk flasin të njëjtën gjuhë (parlancë). (Kështu, për shembull nji frangjishtfolës dhe nji anglishtfolës flasin për të njajtën gja, ta zamë për liri, edhe pse atij nocioni i referohen në forma të ndryshme në gjuhët e tyne, si “liberte” ose “freedom”, përkatësisht.) Unë po thom: epokat nuk flasin të njajtën gjuhë (semantikë) edhe kur flasin të njajtën gjuhë (parlancë) (si për shembull kur nji shqiptar i një epoke të caktuem me fjalën “liri” i referohet nji nocioni të ndryshëm prej nocionit që nji shqiptar i një epoke tjetër e ka për qëllim kur përdor të njajtën fjalë).
Le të shërbejë kjo hyrje semiotike si ndihmesë për t’iu përgjigjur pyetjeve të tilla si:
Sa e kuptojnë shoqninë tanë të huejt (“ndërkombëtarët”, që u themi na), punëtorët e misioneve të jashtme dhe organizatave qeveritare e ndërkombëtare joqeveritare, ambasadorët, gazetarët, akademikët e studiuesit që vijnë e shkojnë, rrinë më shkurt a ma gjatë, të ndamë pak a më shumë nga komuniteti dhe jeta e tyne, dhe që nuk dinë hiç ose dinë pak gjuhët tona dhe komunikojnë përmes përkthyesve? Sa komunkojnë me shoqninë tonë? (Ndoshta, bash për këtë, kena pa sa e sa herë se qysh kur gazetarë, komentues a studiues të huaj flasin a shkruajnë diçka në lidhje me shoqërinë, vendin, politikën a kulturën tonë, ia huqin jo pak dhe jo rrallë.)
Të huajt na kuptojnë vetëm kur na flasim në gjuhët e tyne dhe për ta. Por, kur na flasim në gjuhë të huaj, dallon prej mënyrës qysh shprehemi në gjuhën e amës. Po kështu, kur na flasim për ta, qoftë edhe në gjuhën tonë, flasim atë që mendojna se ata e kuptojnë ma së miri ose që atyne iu pëlqen me e ndigju. Mbasi të huejt s’kanë akses në ate që na e themi në gjuhën amtare, e që asht zani ma i sinqertë ose autentik i joni, në këtë komunikim të ndërmjetësuem përmes gjuhës së huej, hup shumëçka, e rrjedhimisht nuk na kuptojnë dhe komunikim asht i shtrembëruem.
Njisoj, sa mësojna na për shoqni të huaja prej vizitave dhe punëtoritë e konferencat disaditëshe në salla hotelesh në vende të largëta? Sa komunkojmë me ato shoqni?
Gjithashtu, a e kuptojna drejt të kaluemen tonë duke u bazu në leximet e gjuhës së dekadave e shekujve të shkuem me gjuhën e së sotshmes?
Gjuha, në kuptimin e ngushtë, nuk na ndihmon me i kuptu të tjerët, por veç me i keqkuptu ata. Ndoshta ata flasin për lisa e na mendojna për fshisa.