9.6 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

LINDJA E ISAIT NË DIMËR

Më të lexuarat

Me emrin e Allahut, të mëshirshmit, mëshiruesit.

Në diskutimet e ndryshme rreth lindjes së Isait alejhi selam kam hasur disa vëllezër që e refuzojnë kategorikisht mundësinë e ndodhjes së kësaj lindje në stinën e dimrit. Ata e kanë mbështetur mendimin e tyre në disa përfytyrime në lidhje me hurmat e njoma që janë përmendur në suren Merjem. Disa të tjerë janë bazuar edhe në mënyrën se si ungjillët e krishterë i rrëfejnë rrethanat e lindjes së Isait alejhi selam. Në këtë shkrim nuk do ta trajtoj aspak aspektin biblik të historisë, sepse është një shkrim që për qëllim ka vetëm trajtimin e kësaj çështje nga këndvështrimi islam.

Allahu në suren Merjem thotë: (Dhembjet (e lindjes) e shpunë te një trug palme. Tha: Ah sikur të vdisja para kësaj dhe të isha harresë e harruar! Ai nga poshtë i thirri: Mos u brengos! Zoti yt nën ty ka lëshuar një përrua. Tunde drejt teje trugun e palmës që të të hedhë hurma të vjelura)

Ata janë mbështetur te fjala “hurma të njoma” për të cilën në ajet është përdorur fjala arabe “rutab” (رُطَب). Hurmat arabe kalojnë disa faza deri në pjekjen e plotë. Hurmat e pjekura që janë gati për t’u vjelur piqen në kohë vape, atëherë kur i nxehti zë të përvëlojë. Disa piqen në fillim të verës dhe disa të tjera më vonë. Nga kjo frazë kuranore ata kanë dalur në përfundim që lindja e Isait ka qenë në kohë nxehtësie, sepse hurmat vetëm atëherë piqen.

A është ky përfundim i saktë? A është kjo mënyrë argumentimi e drejtë dhe koherente?

Përpara se t’i përgjigjemi drejtpërdrejt kësaj pyetje, duhet të dimë që ndodhia e lindjes së Isait është një ngjarje e madhe. Në të është shfaqur në mënyrë madhështore fuqia e krijuesit të lartë xhelle xhellahu. Kjo ngjarje, nga fillimi e gjer në fund, është e mbushur me mrekulli të mëdha, muxhize dhe keramete. Shfaqja e melekut Xhibril dhe mbetja e Merjemes shtatzënë me frymën e Allahut, Isain të birin e Merjemes është një mrekulli që thyen çdo ligj të natyrës.

Përballja me ngjarje të këtilla e trondisin edhe besimtarin më të fortë. Elementi i befaisë e shtang dhe e bën njeriun si të ngrirë. Në një situatë të tillë është e pritshme që Allahu t’i dërgojë njeriut të tij të dashur shenja dhe dukuri që ia qetësojnë zemrën, ia largojnë brengën dhe ia zhdukin frikën. Edhe me Merjemen kështu ndodhi. Pasi mbeti shtatzënë me fjalën e Allahut “ji” asaj i erdhën dhembjet e lindjes gjatë rrugës së largët që kishte marrë. Dhembjet e shtynë të gjente diçka ku të mbështetej dhe në rrugë gjeti një trung palme dhe u mbështet të çlodhej për të përtërirë forcat. Nga poshtë lëndinës i thirri Xhibrili (tefsirologë të tjerë mendojnë që ka qenë Isai foshnje) për t’i hapur sytë për mirësinë dhe kerametin që Allahu i dhuroi me burimin e ujit të përroit nën këmbët e saj dhe hurmat që janë ushqimi më ushqyes i mundshëm dhe më me kalori për një lehonë.

Pikërisht për këtë mirësi ajeti në vazhdim thotë: (Ha dhe pi dhe kënaqe shpirtin!). Pra ha dhe pi e qetë, sepse ti je në të vërtetën dhe asgjë e keqe nuk do të ndodhë.

Shumë dijetarë të tefsirit e kanë cekur faktin që pema e palmës në ato momente ka qenë e tharë dhe se periudha ka qenë periudhë dimri. Në të vërtetë, hurmat jo në kohën e prodhimit ishin një keramet i mrekullueshëm që jo vetëm e ushqente Merjemen me ushqim me vlera, por e ushqente atë edhe me qetësinë e zemrës të cilën Allahu ua zbret robve të tij në këto çaste të veçanta dhe këtë qetësi ua mbështet me shenjat dhe mrekullitë e tij.

Parë në këtë kontekst, nuk është aspak e çuditshme që ngjarja të ketë ndodhur në një periudhë joprodhimtare. Përkudrazi kjo shkon për shtat më shumë me rrjedhën dhe rrethanat e kësaj ndodhie.

Komentatori i njohur i Kuranit, imam Taberiu, në komentimin e këtij ajeti thotë: “Fjala e Allahut: (Tunde drejt teje trugun e palmës). Përmendet që trungu ka qenë i tharë dhe e urdhëroi atë ta tundte dhe kjo ka ndohur në ditë dimri”.

Në vazhdim ai transmeton fjalën e Ibën Abasit: “(Tunde drejt teje trugun e palmës). Trungu ishte i tharë dhe i tha asaj ta tundte (të të hedhë hurma të vjelura)”.

Gjithashtu transmeton fjalën e Ibën Vehbit: ““(Tunde drejt teje trugun e palmës). Hurmat e njoma i binin duke ditur që ishte dimër”.

Ndërsa Sudiu ka thënë: “(Tunde drejt teje trugun e palmës). Trungu ishte i këputur dhe e tundi, kur papritmas u kthye në palmë dhe nën këmbë i buroi një rrëke dhe palma i hodhi hurma të vjelura dhe i tha: (Ha e pi dhe kënaqe shpirtin!)”.

Që situata në fjalë ka qenë e mbushur me një mori kerametesh e përforcon edhe fakti që Allahu e urdhëroi Merjemen ta tundte trungun e palmës drejt vetes. Është e ditur që hurmat nuk vilen as me të tundur të trungut dhe as me të shkundur me shkop. Vjelja e hurmave kërkon një specialist të vërtetë, i cili duhet patjetër të ngjitet në majën e saj dhe t’i presë degët me hurma që u ngjajnë bistakëve të mëdhenj të rrushit një e nga një.

Kjo e konfirmon më shumë faktin që kemi të bëjmë me hurma që kanë lulëzuar dhe janë pjekur aty për aty përpara syve të Merjemes dhe pjesë e kerametit ka qenë edhe rënia e hurmave mbi të vetëm pasi që e tundi pemën lehtas.

Një fakt tjetër që e përforcon këtë që thamë është që në Kuran është përmendur fjala “xhidh’un” (جِذْع) e cila zakonisht përdoret për trungun e tharë të palmës. Palmat pasi thahen dhe degët u bien, trungjet e tyre priten dhe përdoren për interesa të ndryshme. Këto trungje të thara quhen xhudhu’ (جذوع). Xhamia e profetit ka pasur plot të tilla dhe mbi to mbështeteshin degët e palmave për të mbuluar xhaminë dhe për të siguruar hije dhe freski për të pranishmit. I dërguari i Allahut sallallahu alejhi ue sellem mbështetej te një xhidh’ prej tyre gjatë hytbes dhe kur u vendos minberi, xhidh’i u përmallua dhe rënkoi, aq sa profeti e fërkoi me dorën e tij që ta qetësonte. Fakti që në Kuran është përmendur trungu i palmës me fjalën xhidh’ dhe jo vetë palma dëshmon që ajo ka qenë e tharë dhe joprodhimtare dhe se Allahu ia ka dhënë këtë si keramet Merjemes për ta forcuar me qetësinë e imanit në ato momente tronditëse. Sidoqoftë, kjo sipas përdorimit më të shpeshtë, sepse herë herë përdoret edhe për trungun e palmës në përgjithësi edhe kur palma është e njomë. Gjithësesi pavarsisht kësaj, përmendja e trugut dy herë nuk është pa ndonjë qëllim dhe kuptim të thellë.

Imam Kurtubiu gjatë komentimit të këtyre ajeteve thotë: “(te një trug palme) Mesa duket kërkoi diçka ku të mbështetej dhe pas të cilës të kapej, ashtu siç kapet shtatzëna pas diçkaje për shkak të dhembjeve të lindjes. El xhidh’u (në gjuhën arabe) është trungu i tharë i palëmës i cili nuk ka as gjethe të njoma dhe as degë, prandaj Allahu nuk ka thënë palmë”.

Ndërsa dijetari hanbeli, Ibën Adili në komentimin e këtij ajeti thotë: “Kuptimi është që dhembjet e lindjes e detyruan të drejtohej te një trung palme për t’u mbështetur dhe të kapej pas tij, për të lehtësuar dhembjet. Ajo ishte një palmë e tharë pa gjethe dhe as jeshillëk”. Tefsiri El Lubab fi tefsiril kitab.

Në vazhdim, Ibën Adili pasi trajton disa çështje gjuhësore jep edhe një shpjegim të bukur për lidhjen simbolizuese mes shtatzënisë së Merjemes dhe lulëzimit të kësaj peme të tharë përpara syve të Merjemes. Shkurtimisht ai thotë se ashtu si Allahu kur dëshiron e bën frytin të çelë, të formohet dhe të piqet në çast edhe nga palma e tharë e cila nuk është pllenuar ashtu Allahu e ngjiz dhe e formon edhe fëmijën në barkun e nënës edhe pa kontakt seksual mes mashkullit dhe femrës, sepse Allahu i thotë ji asaj që dëshiron të jetë dhe ajo kryhet. Është e ditur që palma ka nevojë për pllenim artificial (ar. Likah لِقاح) mes mashkullit dhe femrës, përndryshe nuk jep fryte të shëndosha ose nuk jep fryte fare. Pra këtu kemi një paralelizëm shumë të arrirë që i le të kuptojë Merjemes se Allahu i thotë asaj që dëshiron vetëm ji dhe ajo del në dritë.

Ibën Ashuri në tefsirin e tij thotë: “Dobia kuptimore e përmendjes së fjalës (Tunde drejt teje trungun e palmës) kthehet te fakti që prodhimi i hurmave të njoma nga një trung i tharë vetëm me bereqetin e tundjes që ajo i bëri dëshmon për një keramet tjetër për Merjemen, në mënyrë që të shohë me sytë e saj si i prodhon trungu i tharë hurmat e njoma. Kjo dëshmon për këtë keramet të saj për shkak të bindjes së palëkundur dhe gradës së saj”.

Një fakt tjetër që na shton më shumë bindjen që ndodhia ka qenë vërtet në dimër edhe nëse pema ka nuk ka qenë e lulëzuar është se kerameti konsiderohet keramet domethënës dhe i plotë atëherë kur Allahu i dhuron robit prej bujarisë dhe dashurisë së tij atë që të tjerën nuk e kanë atëherë kur nuk është koha e saj. Ky kuptim është shtjelluar nga dijetarët e tefsirit në fjalën e Allahut: (Sa herë që Zekeria hynte te ajo në dhomë gjente pranë saj furnizim).

Kjo ka ndodhur edhe me sahabët e profetit sallallahu alejhi ue selem. Ky keramet i është dhënë edhe Hubejb ibën Adiut r.a. i cili u kap rob nga politeistët me pabesi. Gjatë kohës që ishte i burgosur në Mekë dhe priste ekzekutimin, u pa disa herë të hante rrush në një periudhë kur nuk kishte rrush në Mekë dhe nuk ishte kohë rrushi. Prandaj kerameti i Merjemes është më kuptimplotë dhe më domethënës atëherë kur hurmat me të cilat Allahu e furnizoi ishin në jo në kohën e hurmave dhe të bollëkut.

Është e vërtetë se një grup i vogël tefsirologësh kanë hedhur idenë që ajo pemë nuk ishte e tharë, por në anën tjetër ata nuk kanë përmendur që koha ka qenë kohë verë dhe kohë vjeljeje. Përkundrazi edhe kjo pakicë e pranon që historia në fjalë e Merjemes është e mbushur me keramete dhe se pema pavarësisht se ka qenë e patharë, nuk ishte në kohë prodhimi dhe se Allahu e nxorri frytin e kësaj peme aty për aty për hatër të Merjemes.

Pra edhe sipas këtyre dijetarëve kjo histori dhe këto detaje nuk kanë qenë të rëndomta dhe të rastësishme. Ata që kanë pretenduar që lindja e Isait ka qenë në verë nuk janë dijetarët e hershëm të tefsirit dhe as ata eminentë. Kapja pas një fjale të vetme dhe lënia në harresë e kontekstit dhe rrethanave të tjera i ka shtyrë të kujtojnë se këtu bëhet fjalë për një ngjarje të rëndomtë, ku Merjemja e shtyrë nga dhembjet gjeti një pemë palme me fryte shumë rastësisht dhe prej saj ranë disa hurma dhe ajo hëngri prej tyre. Absolutisht kjo çështje nuk mund të jetë kështu. Si përroi ashtu edhe pema ishin aty për të dëshmuar fuqinë absolute të krijuesit të madhërishëm.

Këtë shkrim po e mbyll me këtë komentim të mrekullueshëm të këtyre ajeteve nga shejhu i zemrës, shejh Muhamed Emin Shenkitiu, Allahu e mëshiroftë. Thotë:

“Disa dijetarë kanë thënë: Trungu i palmës për të cilin u urdhërua ta tundte, ishte i tharë dhe atëherë kur e tundi Allahu e ktheu në palmë me hurma të njoma gati për t’u vjelur. Disa të tjerë kanë thënë që trungu ishte trung i një palme të njomë por që në atë kohë nuk ka pasur prodhim. Të tjerë kanë thënë që palma ishte me prodhim dhe Allahu e urdhëroi atë ta tundte që hurmat e njoma të binin.

Konteksti i Kuranit na lë të kuptojmë që Allahu ia çeli hurmat (para syve) si një formë e thyerjes së ligjeve (të fizikës, të natyrës). Allahu ia bëri përroin të rrjedhë (në këmbët e saj) si një formë e thyerjes së ligjeve (të natyrës). As hurmat e njoma dhe as përroi nuk kishin qenë më parë. Çfarëdo që të përzgjedhim; që trungu ishte i tharë ose që ishte palmë por pa fruta, në fund të fundit Allahu i çeli frutat e saj të njoma dhe të gatshme për t’u vjelë.

Për këtë dëshmon fjala që Allahu i tha asaj: (Ha dhe pi dhe kënaqe shpirtin!). Ajo kënaqet shpirtërisht atëherë ka një thyerje të ligjeve, sepse kjo thyerje e ligjeve dëshmon për pafajësinë e saj nga akuzat e supozuara. Prania e këtyre gjërave të jashtëzakonshme; burimi i përroit, çelja e hurmave dhe fjalët që i porsalinduri (Isai a.s.) i tha e bëjnë atë të gjejë qetësi shpirtërore dhe i largon çdo dyshim. Vëtëm kështu është qetësi dhe kënaqësi shpirti. Thjesht ngrënia dhe pirja ndërkohë që akuza për shkak të të cilës dëshiroi vdekjen, mbetet, nuk mund të jenë një qetësi shpirtërore. Kjo është shumë e qartë.

Thyerja e ligjeve që Allahu bëri për të duke e bërë ujin të burojë, duke i çelur hurma dhe duke e bërë të porsalindurin të flasë nuk është e çuditshme. Kjo thyerje ligjesh (të natyrës) ka ndodhur për hir të Merjemes edhe herë të tjera siç thuhet qartë në suren Ali Imran: (Sa herë që Zekeria hynte te ajo në dhomë gjente pranë saj furnizim. I tha: O Merjem! Nga të vjen ky? I tha: Ai është prej Allahut. Allahu furnizon kë të dojë pa llogari). Dijetarët kanë përmendur që që ai gjente tek ajo fruta vere në kohë dimri dhe fruta dimri në kohë vere. Burimi i përroit dhe çelja e hurmave nuk është më i çuditshëm se kjo që është përmendur në suren Alu Imaran”. Mbaroi fjala e shejhut.

Allahu është më i ditur dhe salavatet qofshin për profetin tonë, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasojnë atë gjer në ditën e gjykimit.

E shkroi: Florian Leli.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit