1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

LINDJA E BEKTASHIZMIT Pjesa II

Më të lexuarat

Hoxhë. Dr. Bledar Haxhiu

Për të kuptuar realitetin e lindjes dhe themelimit të Tarikatit Bektashi dhe tarikatëve të tjera të asaj kohe, të cilat u përhapën në zonat e Anadollit, mendoj së është e nevojshme të shohim në gjendjen shoqërore dhe fetare të azisë së vogël, pikërisht rreth shekullit të shtatë, shekull ky ku filluan të lindnin një numër i madh i tarikateve.

Luftërat e një-pasnjëshme, mungesa e stabilitetit politik, turbullirat intelektuale dhe dyndjet e njerëzve nga të gjitha trevat Islame, ishin pikërisht karakteristikat e shekullit të shtatë.

Kështu që dyndjet e fiseve turkmene për në Anadoll, bashkë me problemet sociale, sollën një sërë kulturash, madje dhe një numër të konsiderueshëm krerësh fetarë, të cilët do të themelonin tarikatet e tyre, ku një ndër kryesorët padyshim ishte dhe Haxhi Bektash Veliu.

Për ta bërë sa në të lehtë temën e themelimit të Tarikatit Bektashi, do ta ndajmë në dy etapa, një etapë që flet për themeluesin e parë Haxhi Bektash Veliun dhe etapa e dytë që flet për themeluesin e dytë të tarikatit Ballëm Sulltanit.([1])

Etapa e parë:

Etapa e Haxhi Bektash Veliut

Padyshim se historia e Bektashizmit, ka filluar me themeluesin e saj të parë Haxhi Bektash Veliun, i cili lindi në Horasan dhe u arsimua dhe shkollua, nën kujdesin e një shehu Turkmen i quajtur Llukman Perende([2]), i cili ishte nga halifet([3]) e dijetarit të trevave turkmene Ahmed Jesevisë([4]).

Thuhet se Llukman Perendeja, pasi pa ke Haxhi Bektash Veliu një dëshirë të madhe për të mësuar dhe se ai posedonte disa keramete([5]), vendosi të shkonte me të ke shejhu i tij Ahmed Jeseviu i cili e mori në provim. Ahmed Jeseviut pasi ju faktuan kerametet e Haxhi Bektash Veliut, ai vendosi që ta titullonte si Kutb Aktab([6]) duke i thënë: “O Haxhi Bektash! Ti tani e more hisen tënde të dijes, po të përgëzoj se ti tashmë do të jeshë Kutbiu i aktabëve, dhe se ti do ta mbash gjallë frymën pas largimit tonë”.([7])

Pasi i dhuroi testamentin, Ahmed Jeseviu u lut shumë për të, më pas erdhën të gjithë halifet e Jeseviut dhe qëndruan përpara Haxhi Bektash Veliu me respekt dhe nderime. Në përfundim Ahmed Jeseviu iu drejtua Haxhi Bektash Veliut duke i thënë: “Ti do të shkosh në tokat e Rumit([8]) dhe atje do të jesh Kutb Aktab, dhe prijës i Abdallëve([9]) të rumit”.([10])

Por nëse shohim me kujdes lindjen e Haxhi Bektash Veliut, atëhere bëhet e qartë se është e pa mundur që ai të jetë takuar me Ahmed Jeseviun, madje as nuk ka marë dorë prej tij([11]) dhe as testament, porse ai që e ka mësuar dhe mund ta ketë nxitur për të shkuar në Anadoll, është Llukman Perendeja i cili ishte mëkëmbës i Ahmed Jeseviut.

Bektashinjtë pretendojnë se Haxhi Bektash Veliu, e pranoi porosinë e tij dhe para se të shkonte për në Anadoll, vendosi të vizitonte varrin e imam Aliut –Allahu qoftë i kënaqur me të- në Nexhef([12]), dhe nga atje shkoi për të bërë ritualin e haxhit në Meke; pastaj vizitoi xhaminë e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) në Medine dhe varrin e tij, dhe nga atje u nis për në Anadoll.([13])

Disa studiues dhe historianë, nuk e pranojnë këtë version, porse pohojnë se Haxhi Bektash Veliu migroi nga Horasani për në Anadoll, duke i ikur mësymjeve tetare të cilat ia bënë asaj krahine.([14])

Në librin “Uilajetname” përmendet se një grup evlijash të Anadollit u lajmëruar shpirtërisht (në mënyrë spirituale), se një evlija i madh do të vinte nga Horasani, kështuqë ranë dakort që ta ndalonin, nga frika se do tu merte famën për shkak të forcës së madhe që ai posedonte.

Rrugës për në Anadoll, Haxhi Bektash Veliu –sipas legjendës bektashiane- u kthye në një pëllumb dhe u ngjit në qiell derisa arriti në vendin ku dosheshin melaiket të cilat i dhanë selam dhe i shprehën mirëseardhjen, më pas ai zbriti në fshatin Suluxhe Kara Ujuk([16]) që ti lajmëronte se ai kishte ardhur me paqe, porse evlijatë dërguan njërin prej tyre, i cili u shndërrua në skifter në mënyrë që të frikësonte Haxhi Bektash Velinë dhe ta pengonte, porse Haxhi Bektashi u shndërrua menjëherë sërisht në njeri, e kapi prej gryke dhe e lëshoi për tokë. Kur ky veli pa forcën e Haxhi Bektash Veliut, i kërkoi falje, i puthi dhorën dhe u kthye ke shokët e tij të cilët i lajmëroi se ç’kishte ngjarë. Kur evlijatë e Anadollit dëgjuan këtë rrëfim, shkuan tek ai, morën dorë prej tij dhe hynë në tarikatin e tij!([17])

Si mundet që një i logjikshëm ta besojë një rrëfim (legjendë) të tillë?! Si mundet që një njeri të ngjitet në qiell dhe të takohet me melaiket, madje të përshëndetet me ta me selam?! Si mundet të besohet transformimi i njeriut në krijesa të tilla?! Ajo që pohoet në fenë tonë, është fakti se Melaiket dhe xhindët mund të transformohen([18]), ndërsa për njerëzit nuk është përmendur në argumente vetëm se shpërfytyrimi([19]) e cila është cilësi negative (dënim) dhe përveç kësaj nuk gjendet në argumentet fetare se njeriu transformohet!

Bektashinjtë po ashtu përmendin dhe një version tjetër të themelimit të tarikatit. Haxhi Bektash Veliu, kur zbriti në Suluxhe Kara Ujuk, e priti një burrë i quajtur hoxha Idris dhe bashkëshortja e tij Fatma Kutlu Melek, të cilën e thërrisnin Kadënxhikja, të cilët shpenzuan pasurinë e tyre në mënyrë që të përhapnin mësimet e Haxhi Bektash Veliut. Një ditë Haxhi Bektash Veliut i erdhi një delegacion nga Horasani, dhe gruaja e shtëpisë nuk gjeti se çfar të gatuante për ta, kështuqë shiti rrobat e saj dhe bleu ushqim për miqtë e Haxhi Bektashit.

Kadënxhikja e kishte zakon që i shprehte mirëseardhje miqve, por atë ditë ajo nuk doli sepse nuk kishte rroba. Shejhu u lajmërua në mënyrë shpirtërore për këtë, zgjati dorën e tij dhe nxori një qese me të holla, më pas e futi dorën nën tapet dhe e nxori tek gruaja të cilës i dha qesen me të holla në mënyrë që të blinte rroba të reja. Gruaja më pas hyri brenda, i puthi dorën shejhut dhe i dha mirëseardhje miqëve, si dhe besoi në mrekullitë (kerametet) e Haxhi Bektash Veliut.([20])

Kjo histori ishte dhe fillimi i përhapjes së tarikatit Bektashi, ku dhe delegacioni i Horasanit luajti një rol të madh në përhapjen e mësimeve dhe mrekullive të Haxhi Bektash Veliut.([21])

Çdo kush që lexon histori të tilla, nuk ka pik dyshimi se një pjesë e madhe e tyre janë sajesa, gënjeshtra dhe mashtrime, dhe përveç kësaj në to ka teprim dhe ekzagjerim, duke pretenduar se Haxhi Bektash veliu njoftohet nga dije e fshehtë. Si mundet që ai të pretendojë që njeh të fshehtat (gajbin), ndërkohë që njeriu më i mirë dhe profeti më i përzgjedhur, Muhamedi salallahu alejhi ue selem, nuk e dinte të fshehtën. Allahu i madhëruar thotë në Kuran: “Thuaj: “Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut apo se e di të padukshmen dhe as nuk them se jam engjëll”. Sure El En’amë: 50.

Të pretendosh se njeh të fshehtën, është një blasfemi (kufër)([22]), Allahu thotë: “Thuaj: “Askush, përveç Allahut, në qiell apo në Tokë, nuk i di të fshehtat dhe as nuk do ta dijë se kur do të ringjallet”. Sure En Nemël: 65.

Dijetari Muhamed Emin Shenkiti ka thënë: “Në momentin që Kurani sqaron se të fshehtën nuk e din askush tjetër veç Allahut, kuptojmë se çdo përpjekje që bëhet për të arritur në të jashtë shpalljes, është një humbje dhe devijim, madje ka prej tyre që janë dhe kufër (blasfemi)”. ([23])

Burimet Bektashiane gjithashtu përmendin edhe një ngjarje (legjendë) tjetër të habitshme në lidhje me themelimin e trikatit Bektashi. “Një herë erdhën te Haxhi Bektash Veliu të gjithë krerët dhe ndjekësit e tarikateve të tjera të cilët ishin mbushur me urrejtje dhe dyfytyrsi, e që kërkonin të zbulonin mashtrimet dhe gënjeshtrat e nipit të Muhamed Alisë([24]) duke prezantuar çdo njëri prej tyre mrekullitë që posedonte. Në mesin e tyre ishte një Karaxha Ahmed i cili kishte hipur mbi një luan dhe një gjarpër e mbante në dorë të cilin e përdorte si kamzhik për luanin, kur e pa këtë Haxhi Bektash Veliu i cili ishte i ulur mbi një shkëmb, iu përgjigj edhe ky me një mrekulli, duke e bërë shkëmbin që të fluturojë dhe më pas tha: Madhështia tregohet që të bësh të udhëjojnë gjërat pa shpirt, jo ato të gjallat të cila mund të binden. Pas kësaj ngjarje të gjithë evlijatë iu nënshtruan dhe shprehën respektet dhe nderimet për Haxhi Bektash Velinë.([25])

Mund të themi se legjenda të tilla përhapeshin në mesin e masave fshatare, sepse vetë zona e Anadollit, ishte një zonë ku njerëzit ishin të dhënë pas legjendave, gjë të cilën bektashinjtë e parë e përdorën si një mënyrë efikase për të përhapur mësimet e tarikatit dhe për ta bërë tarikatin, pjesë të atyre zonave.

(Vazhdon)

__________________________

([1])  Këtu nuk do të flasim për këto dy personalitete, sepse këtë do ta bëjmë më vonë, por do të flasim më tepër për kohën kur kanë jetuar dhe kontributin që dhanë këto dy figura në themelimin dhe forcimin e Tarikatit Bektashi.

([2])  Për aq sa kam lexuar nuk kam parë të flitet diku për këtë personalitet, të vetmet të dhëna që jepen për të, është fakti se, ai ka qënë një ndër halifet e dijetait turkmen Ahmed Jesevi, i cili është dhe themeluesi i tarikatit Jesevi, tarikat ky që gjendet më tepër tek zonat turkmene.

([3])  Halife, këtu ka për qëllimim, trashëgues i testamentit të tarikatit, pra halife janë të gjithë ata të cilët i ka dekretuar i pari i tarikatit që të përhapin dhe përçojnë mësimet e rrugës së tij ndër njerëz.

([4])  Ahmed Jesevi, është një ndër figurat kryesore të sufizmit në Azinë qëndrore, gjatë shekullit të dhjetë dhe gjysmës së dytë të shekullit të njëmbëdhjetë. Ai është rritur nën përkujdesin e motrës në qytetin Jasa, ku dhe filloi të marrë mësimet e para në sufizëm nga mistiku i atij vendi i quajtur Baba Resul. Meusuatul Arabijetu el Mujesera: (fq: 1982); Tesaufi dhe Tarikatet, Selçuk Eraydin: (fq: 343), Alsar, Tiranë 2011.

([5])  Kerametet janë: veprime të mbinatyrshme të cilat i shfaq Allahu i Madhëruar ke robërit e Tij të devotshëm, si shenjë nderimi për të, ose si ndihmesë për fenë e Tij. Mexhmu Fetava Akadije, Muhamed bin Salih el Uthejmin: (4/310)

([6])  Kutbi, është personi i cili ka arritur gradat e mëdhaja të devotshmërisë, dhe Allahu hedh vështrimin ke ai në çdo kohë! Ta’rifat Xhurxhani: (fq: 227); Istilahat Sufijetu, Muhjidin ibën Arabi: (fq: 80-81).

([7])  Shejti mbi Gur: (fq: 37).

([8])  Rum ishte një emërtim që përdorej për të treguar popujt e rumelisë, pra popujt e zonës nga Anadolli dhe pjesa tjetër e vendeve të ballkanit.

([9])  Abdall (Zëvendësues) është një nga gradat hierarkike me të cilat emërtohen evlijat sufi, por që janë të pa njohur tek masa e njerëzve. Abdallët janë evlija që kanë arritur përsosmëri të larta, ata nuk shtohen dhe as nuk pakësohen. Janë quajur Abdallë (zëvendësuesit), sepse kur vdes dikush prej tyre, atë menjëherë e zëvendëson një tjetër i cili është me të njëjtat tipare. Mu’xhem Elfadh Sufije, Hasen Sherkavi, bot: 1: (fq: 22); Mu’xhem Mustalahat Sufije: (fq: 8); Mexhmu Fetava: (11/441-443).

([10])  Shejti mbi Gur: (fq: 37).

([11])  Marja e dorës, ka për qëllim hyrjen dhe pranimin në tarikat.

([12])  Kjo gjithmonë sipas pretendimeve të shitëve imami, porn ë të vërtetë ai nuk është varri i imam Aliut, sepse Imam Aliu, Muavija dhe Amru bin Asi –Allahu qoftë i kënaqur me ta-, të tre janë varrosur brenda kështjellës, dhe kjo nga frika se mos Khavarixhet dëmtonin apo hapnin varret e tyre. Në atë kohë kështjella ku qëndronte Aliu, ishte në Kufe. Munteka min Minhaxh el Itidal, Imam Dhehebi: (fq: 442); El Bidajetu ve Nihajetu, Imam Ibën Kethir: (7/365).

([13])  Misticizma dhe Bektashizma: (fq: 125).

([14])  Meusuatu Firaki uel Medhahib: (fq: 191).

([16])  Suluxhe Kara Ujuk është një qytet në Anadoll dhe sot ajo mban emrin e Haxhi Bektash Veliut dhe ndodhet në lindje të kryeqytetit Turk (Ankarasë), në një distancë prej afro 210 km.

([17])  Shiko: Shejti mbi Gur (Vilajetname): (fq: 43-45); Tarijkh Deuletu el Uthmanijetu fi Usur el Usta, Mahmud Muhamed Huvejri: (fq: 257).

([18])  Tranformimi i Xhibrailit dhe i melaikeve në pamjen e njeriut është përmendur në argumente të shumta, por nga më të qartët është hadithi ku Xhebraili vjen ke profeti dhe shokët e tij. Umeri –Allahu qoftë i kënaqur me të- transmeton: “Një ditë kur ishim ulur tek i Dërguari i Allahut paqja dhe bekimi i allahut qofshin mbi të, papritur u shfaq një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zinj. Në pamjen e tij nuk dukeshin shenja udhëtari dhe askush nga ne nuk e njihte.

Ai u ul pranë Profetit, afroi gjunjët e tij me të Profetit, vendosi duart mbi gjunjët e tij dhe filloi ta pyeste: “O Muhamed! Më trego çfarë është Islami?”…..derisa Profeti tha: “A e di kush ishte ai që pyeste o Umer?” Iu përgjigja: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e njohin më mirë.” Atëherë Profeti më tha: “Ai ishte Xhibrili, erdhi t’ju mësojë fenë tuaj.” Muslimi: (2311).

([19])  Allahu tregon në Kuran se nga dënimet që morën popujt e mëparshëm, ishte dhe shpërfytyrimi, nga njerëz në majmuna. Allahu thotë: “Sigurisht që ju keni dëgjuar për ata prej jush që shkelën Sabatin (ditën e shtunë në të cilën e kishin të ndaluar peshkimin) dhe të cilëve Ne u thamë: “Bëhuni majmunë të përçmuar e të urryer!”. Sure Bekare: 65.

([20])  Shejti mbi Gur: (fq: 96-97); Risale Ahmedije: (fq: 11).

([21])  Fikër Sufi fi Doi el Kitabi ue Sune: (fq: 446). Duhet thënë se hoxha Idris, kishte një vëlla i cili quhej Saru dhe ku thuhet se ai e akuzoi Haxhi Bektash velinë dhe Kadënxhikjen për shkelje kurore. Pir Haxhi Bektash Veliu: (fa: 112).

([22])  Pra ke mohuar, sepse në këtë mënyrë kundërshton fjalën e Allahut dhe gjykimin e Tij.

([23])  Aduaul Bejan fi Ijdahi Kurani bil Kuran, Muhamed Emin Shenkiti, bot: 1: (2/232).

([24])  Muhamed Ali, ke Bektashinjtë janë dy emra të një personi të vetëm, sepse ata nuk bejnë dallim dhe ndarje mes të dyve, sepse ata sipas pretendimeve bektashiane janë krijuar nga një dritë e vetme, gjë e cila duket qartë edhe në vjershat e tyre. Urdhëri Bektashi i Dervishëve: (fq: 161-164).

([25])  Shejti mbi Gur: (fq: 121-122); Fletorja e përgjithshme e bektashinjvet: (fq: 25).

/Lidhja e hoxhallarëve/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit