Sulmet terroriste që goditën disa vende të Bashkimit Evropian, që prej vitit 2015, janë shoqëruar me masa të vazhdueshme sigurie në rritje. Masa urgjente, të konceptuara nga qeveritë e këtyre vendeve, si më se të domosdoshme për mbrojtjen dhe sigurimin e popullatave të tyre. Mirëpo kuadri i masave të ndërmarra, karakteri i tyre i shpërpjesëtuar dhe i zgjatur në kohë, ka venë në alarm jo vetëm mbrojtësit e të drejtave të njeriut, por edhe ekspertë të fushës penale. Por, ku qëndron realisht shqetësimi mbi atë që tashmë ka marrë formën e një populizmi penal ?
Raporti vjetor 2016 i Amnesty International (AI) si edhe Analiza globale e ndikimit mbi të drejtat e njeriut, që kanë shkaktuar masat e ndërmarra në luftën ndaj terrorizmit, pasqyrojnë një situatë shqetësuese mbi shumë vende të Bashkimit Evropian, në lidhje me rrënimin e këtyre të drejtave.
“Gur pas guri, godina e mbrojtjes së të drejtave themelore, e ndërtuar me aq përkushtim pas Luftës së Dytë Botërore, po shkatërrohet.” (AI)
Shumë vende në BE kanë propozuar masa, që rrënojnë shtetin e së drejtës, përforcojnë pushtetin ekzekutiv, keq pozicionojnë garancitë juridike, shtrëngojnë lirinë e shprehjes dhe ekspozojnë të gjithë popullatën ndaj survejimit qeveritar.
Sipas AI, përgjatë dy viteve të fundit është vëzhguar një ndryshim radikal përmes Evropës. Ideja sipas së cilës, roli i qeverisë është të mundësojë sigurinë me synim që popullata të mund të gëzojë të drejtat e saj, ia ka lënë vendin idesë se, qeveritë duhet t’i kufizojnë të drejtat e popullatës, me synim krijimin e sigurisë. Pasoja e këtij ndryshimi, sipas AI, ka qenë një ripërcaktim djallëzor i kufirit mes pushteteve të shtetit dhe të drejtave të njeriut. Dhe që prej vitit 2014, kemi shtrirjen e thellë të rrënjëve të këtij “konceptimi të ri të sigurisë” në shumë vende evropiane, që rëndom kanë filluar të konceptohen si normale dhe që janë pjesë e programeve të luftës kundër terrorizmit.
“Ligjet oruelliane të luftës kundër terrorizmit po i shkatërrojnë të drejtat e njeriut, nën pretekstin se po i mbrojnë ato.” (AI)
Por, për çfarë bëhet fjalë konkretisht ?
Një listë me 12 karakteristika kryesore, që përmbajnë këto programe përfshijnë: procedura të përshpejtuara për miratimin e ligjeve në nxitim e sipër, në mungesë të konsultimeve të nevojshme në parlament, me ekspertë të fushës apo anëtarë të tjerë të shoqërisë civile; konsolidim të pushtetit në duart e ekzekutivit, të agjencive dhe shërbimeve të tij të sigurisë, duke i lënë shumë pak, ose asnjë rol sistemit juridik, për të autorizuar marrjen e këtyre masave, apo për të ushtruar kontrollin e tij; mungesën e mekanizmave të kontrollit të pavarur, që janë të ngarkuar për të vëzhguar vënien në jetë të masave antiterror dhe për të identifikuar abuzuesit dhe përgjegjësit e dhunimeve të të drejtave të njeriut; një përcaktim i turbullt dhe jashtëzakonisht i gjerë i terrorizmit në dhunim të parimit të ligjshmërisë çka çon në dhunime të shumta; ulje të ekzigjencës në fushën e provave penale duke kaluar nga norma tradicionale e “dyshimit të arsyeshëm” në thjesht “dyshim” dhe në disa vende një mungesë totale e kërkesave në fushën e dyshimit; përdorimi i “provave sekrete” ndaj individëve, duke mos ua komunikuar personave të prekur dhe duke i bllokuar mundësinë për kontestimin ligjor të tyre, etj.
Shumë vende në BE, kanë ndryshuar Kushtetutën, ose kanë miratuar ligje të reja që ta kenë më të lehtë të deklarojnë zyrtarisht gjendjen e jashtëzakonshme, apo t’i akordojnë pushtet special shërbimeve të sigurisë dhe atyre sekrete, shpeshherë me një kontroll juridik të kufizuar apo në mungesë të plotë të këtij kontrolli. Këto ligje autorizojnë vëzhgimin në masë dhe jo me përzgjedhje, duke i dhënë në këtë mënyrë pushtet të gjerë shërbimeve të sigurisë dhe atyre sekrete. Në Britaninë e Madhe, në Francë, në Gjermani, në Poloni, në Hungari, në Austri, në Belgjikë dhe në Holandë, mundësia që iu është akorduar këtyre shërbimeve për të përdorur përgjime në masë lejon kapjen në shkallë të madhe të të dhënave të miliona personave dhe mundësinë për t’i konsultuar ato. Vëzhgimi i shënjestruar pa inkuadrim është zgjeruar gjithashtu. Ligji i Polonisë në luftën ndaj terrorizimit 2016, lejon shënjestrimin e shtetasve të huaj në kuadrin e masave të ndryshme të përgjimit sekret, kryesisht të masave për vënien nën përgjim telefonik, kontroll të komunikimeve elektronike, të rrjeteve dhe të aparaturave të komunikimit, pa asnjë lloj kontrolli juridik përgjatë tre muajve.
Ligje të reja në Hungari i japin pushtet të zgjeruar ekzekutivit në rast deklarimi të gjendjes së jashtëzakonshme, si ndalimin e grumbullimeve publike, shtrëngesa drakoniane të së drejtës për lirinë e qarkullimit dhe ngrirje të gjendjeve bankare. Dispozitat e formuluara janë të turbullta dhe mundësojnë pezullimin e ligjeve aktuale për miratimin e ligjeve të reja nëpërmjet proceduarve të përshpejtuara si edhe lejojnë zhvendosjen e ushtrisë duke e autorizuar atë të përdorë plumba realë për shtypjen e trazirave të rendit publik.
Në Francë, gjendja e jashtëzakonshme është rinovuar pesë herë, duke i shndërruar në rutinë, masat për ndalimin e manifestimeve dhe kryerjen e kontrolleve policore, pa mandat gjyqësor. Disa vende kanë përdorur legjislacionin e tyre antiterrorist në mënyrë abuzive për të shënjestruar mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe militantët politikë (rasti francez me militantët ekologjistë gjatë Konferencës së Klimës së Parisit 2015). AI thekson se gjatë vitit 2015, gjykatat franceze kanë shpallur 385 dënime për “apologji ndaj terrorizmit” nga ku një e treta e tyre, i përkasin të miturve. Kritikat shkojnë për një përcaktim të duhur ligjor të “apologjisë”, që sipas kuadrit juridik francez, është jashtëzakonisht i gjerë. E njëjta situatë është vëzhguar edhe në Spanjë, ku nën këtë kategori janë penalizuar dhe artistë të rrymave satirike.
Krime të mendimit
Shqetësimi që shfaqet në raportin dhe analizën e AI, shkon edhe ndaj një versioni modern të konceptit të krimit të mendimit oruellian, pasi personat tashmë mund të përndiqen për veprime, që kanë një lidhje shumë të dobët, me një sjellje kriminale. Synimi për të “parandaluar shkeljet” ka bërë që të miratohen ligje ku personi mund të privohet nga liria, t’i ndalohet udhëtimi ose të monitorohet nëpërmjet vendosjes së një byzylyku elektronik, pa qenë kurrë i fajësuar dhe as i dënuar për çfarëdolloj shkelje. Në këto çështje, provat shpeshherë mbahen sekret dhe personat e akuzuar me synim “parandalimin e shkeljeve” nuk janë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për ankim ligjor ndaj masave të marra.
Aplikimi abuziv i ligjeve, sipas AI, që përcakton terrorizmin në terma shumë të turbullt, ka pasur si efekt që në objektivin kryesor të shënjestrimit të përfshihen migrantët, personat që mbrojnë të drejtat e njeriut, militantët partiakë dhe minoritetet, kryesisht nëpërmjet një profilizimi shpeshherë të bazuar në stereotip. AI thekson se roli i qeverisë duhet të jetë që të ofrojë siguri për popullatën me synim që ajo t’i gëzojë këto të drejta, në vend që t’i kufizojë ato, në emër të sigurisë.
“Nën pretekstin se po mbrojmë qytetarët, ne rrezikojmë të krijojmë shoqëri në të cilat Liria do të shndërrohet në përjashtim dhe Frika do të jetë rregulli sundues.” AI
Retorikë dhe populizëm
Populizmi penal nuk është një fenomen i ri. Kryesisht regjimet totalitare, në emër të sigurisë i kanë shtrënguar vazhdimisht liritë e njeriut. Po ashtu siç bëri edhe Gjermania e Hitlerit pas zjarrit të Rajshtagut. Por, teksa kohët evoluojnë edhe ky populizëm merr forma të tjera, duke u modeluar në varësi të modeleve demokratike.
Sulmet terroriste, efekti shokues që ato krijojnë, tensioni dhe ankthi i mediatizuar, që përcillen me shpejtësi në popullatë, imponojnë qeveritë që të përgjigjen ndaj kësaj situate emergjente, çka është më se e logjikshme. Problematika shtrihet tek shpejtësia me të cilën miratohen ligjet e reja, pasi kjo shpejtësi, çon në mungesën e cilësisë. Që ligjet të kenë cilësi, kërkohet që ato të kenë kohën e duhur për konsultën e nevojshme, jo vetëm në parlament, por edhe me ekspertë dhe specialistë të fushës. Mungesa e cilësisë, që ndikohet jo vetëm nga shpejtësia e miratimit të tyre, por edhe nga dozat emocionale me të cilat shoqërohen aktet, bën që këto ligje të mos jenë efikase. Pra, shkohet drejt një momenti ku më tepër se, sa cilësia e miratimit të ligjeve, që mund të zgjidhin problemin real, shkohet drejt shpejtësisë për të shpallur publikisht masa të ndërmarra nga politika në emergjencë, me synim uljen e tensionit në popullatë.
Por, në sytë e ekspertëve, këto masa i përkasin logjikës së populizmit penal, dhe për më tepër nuk janë cilësore dhe efikase, pasi është e pashpjegueshme në kuptimin juridik të parandalimit të një akti terrorist se, si do të ndikojë heqja e kombësisë, apo heqja e kartës së identitetit tek terroristi, që ka vendosur tashmë të shndërrohet në pluhur ?! Apo se si mund të zgjidhë problemin, ndalimi i tij për të udhëtuar në zonat e luftës, duke e burgosur dhe futur në një institucion ku rrezikon të radikalizohet ?! Kjo situatë mund të gjejë shpjegim vetëm në fushën e retorikës politike. Thuajse në të gjithë aktet e ndodhura, autorët ishin të njohur dhe të skeduar nga shërbimet e inteligjencës, dhe informacioni ishte aty i disponueshëm, por i pashfrytëzuar për rrethana të ndryshme teknike apo logjistike.
Alarmi, që vjen nga Amnesty International, për kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në një sërë vendesh evropiane, që prej nisjes së sulmeve terroriste, është i rëndësishëm pasi rikujton rëndësinë e vlerave themelore të ngritura me shumë mund që prej Luftës së Dytë Botërore. Dhe bëhet fjalë për një Evropë, që diti të ndërtojë dhe të mbrojë parimet bazë të së drejtës penale, si prezumimi i pafajësisë, apo monopolin e pushtetit juridik për të imponuar masa shtrënguese të të drejtave dhe lirive të njeriut. Është pikërisht shqetësimi i AI për një “ripërcaktim djallëzor të kufirit mes pushteteve të shtetit dhe të drejtave të njeriut” ku shfaqet instrumentalizimi politik i luftës ndaj terrorizmit. I cili nis thjesht me masa në rritje shtypëse, bazuar në një sistem penal, në dëm të lirive individuale, që zgjeron vazhdimisht territorin e tij, por pa shfaqur efikasitet real. Dhe ky është kurthi ku bien qeveritë, pasi nga njëra anë, mungesa e efikasitetit real në ndërmarrjen e këtyre masave, i bën të panevojshme ato në luftën ndaj terrorizmit (rasti i përsëritur në Nisë edhe pse Franca ishte nën gjendjen e jashtëzakonshme), por nga ana tjetër realizohet edhe ajo çka dëshirojnë më shumë terroristët, zbehja e demokracisë, dhe ngjallja e sistemit të frikës. Për më tepër, siç edhe AI konstaton, hapet shtegu për abuzim nga kuadri i gjerë i masave penale, për të dalë nga korniza e shënjestrës terroriste, dhe duke u zhvendosur ndaj grupeve të tjera minoritare në shoqëri.