4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

“Ligjërime për fenë dhe atdheun” në kohë përplasjesh

Më të lexuarat

Intervista, deklarata e mesazhe të cilat myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i ka shpërndarë gjatë dekadës së fundit, janë botuar të përmbledhura në dy vëllime.

Përurimi i “Ligjërime për fenë dhe atdheun”, tuboi në sallën e një hoteli luksoz në kryeqytet përfaqësues të bashkësive islame të Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë. Nga referuesit, botimi i librit të Tërnavës u cilësua si rast për të diskutuar lidhur me qasjen ndaj fesë dhe rolin e saj në shoqërinë moderne globaliste, shkruan sot “Koha Ditore”.

Shumica prej atyre që folën në ceremoninë përuruese të librit, morën shkas nga ngjarjet e 13 nëntorit të sulmit terrorist në Paris të Francës, për të sqaruar se feja myslimane dënon krimin dhe se nuk ka të bëjë me grupet radikale që po kryejnë sulme të tilla në emër të saj.

Myftiu Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, ka thënë se libri që u promovua të martën paraqet një pjesë të konsolidueshme të qëndrimeve, pikëpamjeve e mendimeve të tij si myfti i Kosovës gjatë një dekade.

“Etapë kjo që shënon edhe historinë më të re të Kosovës, popullit tonë dhe në këtë kontekst Bashkësisë Islame me të gjitha peripecitë, sfidat, arritjet me të cilat jemi përballur”, ka thënë Tërnava, i njohur edhe për deklarata që kanë nxitur reagime në opinion, si ajo e qershorit se, Perandoria Osmane nuk ka qenë pushtuese në hapësirat e Kosovës së sotme.

Në emër të Këshillit botues, ka folur sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi, i cili ka thënë se kjo vepër “do të marrë vlera edhe më të mëdha në të ardhmen dhe do të mbetet si pikë referimi dhe dëshmi e fortë për kohën kur u krijua, kur u shkrua dhe kur u botua.

Bajram Kosumi, ligjërues në UP, ish-kryeministër i Kosovës, ka thënë se përurimi i “Ligjërime…” është një rast i domosdoshëm për të diskutuar për qasjen ndaj fesë dhe rolin e saj në shoqërinë moderne globaliste.

“Në këtë histori të personave dhe grupeve radikale një gjë është e sigurt: ato janë krijuar brenda shoqërisë arabe – myslimane, figurativisht ato janë një e keqe për të cilën është ditur se po zhvillohet, por ndaj së cilës është heshtur. Nuk është folur, nuk është treguar ose është reaguar shumë pak”, ka thënë Kosumi, duke shtuar se vetëm para disa vitesh grupe të ndryshme nën petkun e organizatave humanitare, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe ajo e Afërt, nëpër Ballkan kanë propaganduar “islamin politik”.

“Ndërsa ne, qeveritë, bashkësitë islame, elitat intelektuale edhe ato politike, kanë heshtur përballë këtij fakti, ose në rastin më të mirë kanë reaguar sipërfaqësisht. Në këtë konjukturë të turbullt fetare – politike po e promovojmë librin në dy vëllime të myftiut Naim Tërnava”, ka thënë Kosumi.

Sipas tij, aspekti i parë i librit të Tërnavës, lidhet me këtë katrahurë botërore që e kanë shkaktuar grupet e vogla politike nën fenë dhe flamurin e islamit.

“Në shoqërinë tonë mungon debati për fenë dhe rolin e saj në shoqëri. Botimi i vëllimeve të këtij libri mjaft voluminoz ndihmon në hapjen e debateve publike për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me fenë myslimane e në këtë rast edhe me shqiptarët”, ka thënë Kosumi.

Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, ka thënë se nga leximi i veprës së magjistër Naim Tërnavës secili do të mund të bindet se përmbajtjet e saj janë më shumë sesa fetare.

“Aspektet fetare nuk janë trajtuar të ndara nga fushat e tjera të jetës. Kjo ndërlidhje del në pah, përveçse në trajtimin e dukurive nga përditshmëria, edhe nga ana e shqyrtimeve historike lidhur me të kaluarën tonë. Përtej rëndësisë autoriale, kjo vepër ofron edhe dimensione të funksionimit institucional të jetës fetare në Kosovë”, ka thënë Matoshi.

Kryetari i komunitetit mysliman të Shqipërisë, Haxhi Skënder Bruçaj, me këtë rast ka thënë se zëri i Bashkësisë Islame të Kosovës është dhe do të jetë i rëndësishëm në përçimin e islamit të vërtetë. “Kësaj feje dhe besimit paqësor, ngjarje të ndryshme shpesh janë munduar t’i hedhin hije. Qëndrimet zyrtare në rrugëtimin e Naim Tërnavës si myfti i Kosovës dhe njëkohësisht drejtues i një institucioni përgjegjës për besimtarët e Kosovës të shprehura në një format të përmbledhur në dy vëllime tregon shumë qartë kumtimin e një zëri të fortë institucional në mbrojtje të identitetit të myslimanëve, të promovimit të vlerave të islamit në Kosovë”, ka thënë ai duke shtuar se myslimanët i kanë dënuar dhe vazhdojnë t’i dënojnë aktet e dhunës e terrorit kudo që ndodhin.

Në ceremoninë e përurimit të “Ligjërime…” kanë përshëndetur të pranishmit edhe përfaqësuesi i komunitetit mysliman të Malit të Zi, Ali Efendi Bardhi, dhe përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Shaqir Efendi Fetahu.

12265758_938856016151102_6405485815772511937_o

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit