-1.6 C
Pristina
Monday, December 30, 2024

Lidhjet farefisnore 1

Më të lexuarat

Nga: ardhmeriaonline

Lidhjet farefisnore 1

Zoti i lartësuar na ka sjellë në këtë botë në dy rrethe të ngushta. Rrethi familjar me prindërit, vëllezërit dhe motrat, si dhe rrethi i lidhjeve fisnore dhe lidhjeve të gjakut.
Më parë jemi fokusuar në rrethin e ngushtë, atë familjar, në marrëdhëniet prind – fëmijë si dhe marrëdhëniet bashkëshortore. E nëse kemi arritur që marrëdhëniet ti kemi të mira në rrethin e ngushtë familjar, udha nuk përfundon me kaq. Prej nesh lipset që edhe me rrethin e gjerë familjar, të kemi marrëdhënie të mira. Kjo gjë e kënaq Zotin. Marrëdhëniet e mira me farefisin influencojnë për mirë edhe në marrëdhëniet familjare.
Me këtë temë synojmë të rikthejmë dhe një herë atë harmoni, mirëkuptim, dashamirësi, dhembshuri, solidaritet dhe përkrahje, në rrethin farefisnor.
Nëse kemi thënë që pjesëtarët e familjes janë përçarë dhe secili sheh punën e tij, ky fenomen theksohet më shumë me farefisin. Nëse farefisi do të ishte i bashkuar dhe në harmoni, do të ishin më të fuqishëm ku edhe më i dobëti i tyre do të ndihej i fuqishëm. Problemet më të rënda dhe më të mëdha do të gjenin zgjidhje të menjëhershme në krahët e një familje të madhe. Fatkeqësisht kjo konstatohet fare pak. Ne dëshirojmë që marrëdhëniet e ngrohta mes njerëzve të një gjaku të rikthehen sërish. Dëshirojmë që rrethi i madh familjar ti kthehet ngrohtësisë dhe harmonisë së dikurshme, ti kthehet përkrahjes dhe mbështetjes së njëri – tjetrit, ti kthehet interesimit dhe dhembshurisë.
Kryesisht  hasen dy lloj familjesh të përçara:
E para. Është e përçarja për shkak të trashëgimisë. Gjyshi, mund të ketë ndërtuar një banesë të madhe për ta pasur familjen sa më pranë, por gratë e djemve apo të nipërve apo vetë djemtë dhe nipërit zihen me njëri – tjetrin, duke shkaktuar përçarje dhe konflikte. Kështu, shohim që disa prej fëmijëve detyrohen të marrin familjen e tyre të vogël dhe të banojnë diku larg. Si është e mundur që njerëzit e një gjaku të mos jetojnë dot me njëri – tjetrin në një banesë?! E si pritet që Zoti ta mbështesë një popull të tillë?!
A e dini përse zihen në përgjithësi gratë? Për hiç gjë. Sepse njëra prej tyre ka ironizuar gjellën e tjetrës, veshjen apo modelimin e shtëpisë … Shkaqe të tilla kanë bërë që ata të mbledhin plaçkat dhe të banojnë me qera në një lagje apo qytet tjetër. Ka vëllezër të cilët nuk flasin me njëri – tjetrin për vite me radhë. E sikur të mos mjaftonte kjo, ata u kërkojnë dhe fëmijëve që të mos kontaktojnë me xhaxhallarët  dhe kushërinjtë.
E dyta. Familjet nuk janë të përçara por secili jeton jetën e tij, pa u interesuar për të tjerët. Sa ishin gjyshërit gjallë, familja mblidhej, organizonte gosti, dreka e darka. Por me të vdekur ata, familja u shpërnda dhe ku ka rënë njëri s’ka rënë tjetri. Kjo ndarje është më e theksuar sidomos në qytetet e mëdha, ku familjet nuk shihen me njëra – tjetrën veçse një herë në vit, ose për raste të rralla si dasma apo vdekja. Por edhe në raste të tilla, takimet janë shumë formale, pasi atmosfera është e tillë që nuk të lejon të thellohesh në jetën e tjetrit, problemet dhe shqetësimet dhe gëzimet e tij. Kjo është një nga format e prishjes së lidhjeve farefisnore. Mos mendoni se të prishësh lidhjet e gjakut, është vetëm duke u zëne dhe bërë shamatë me ta. E për çfarë lidhjesh gjaku mund të flitet nëse takohemi vetëm për dasma dhe raste vdekjesh?!
Përveç kësaj, në raste të tilla nuk marrin pjesë vetëm se të rriturit, sakaq të rinjtë jetojnë botën e tyre me shoqërinë, larg farefisit, shumë prej të cilëve as që i njohin.
Nëse doni të kënaqni Zotin dhe ky popull të rilindë sërish, kthejuni familjes së madhe. Kthejuni dhe një herë asaj harmonie që ekzistonte më parë, mbështetjes, dhembshurisë, përkrahjes, solidaritetit dhe dashurisë familjare.
Vlera e farefisit në Islam
Të rinjtë mund të luajnë një rol tepër të rëndësishëm në konsolidimin e familjes së madhe. Të interesohesh për xhaxhain, dajën, tezen, hallën dhe fëmijët e tyre nuk është thjesht diçka e mirë, por është urdhër hyjnor të cilin duhet ta respektosh dhe ta çosh në vend.
Zoti thotë në një hadith Kudsij:”Unë jam i Gjithëmëshirshmi dhe Mëshirploti. Emrin e farefisit, e kam marrë nga emri Im (Rehim). Kush e ruan këtë lidhje (farefisninë) do të jetë në kujdesin Tim. Kush e prish atë, është privuar nga përkujdesi Im.”
Kushdo që i mban lidhjet farefisnore dhe të gjakut, ka merituar mëshirën hyjnore, sakaq ai që i prish ato është privuar nga kjo mëshirë.
Ditën që Zoti krijoi gjithësinë, lidhjet farefisnore u kapën fort pas Arshit (Fronit) të Zotit dhe shprehu shqetësimin se njerëzit nuk do e respektojnë shenjtërinë e kësaj lidhjeje. Zoti i tha: ”A të bëhet qejfi nëse e mbaj pranë atë që i ruan lidhjet e gjakut dhe e largoj nga mëshira Ime atë që i prish këto lidhje?!”
Shpesh herë më rastis të dëgjoj pyetje të tilla nga njerëzit: Përse është bërë jeta kaq e vështirë? Përse nuk ka shije? Përse njerëzit ndihen të braktisur dhe të pashpresë?
Këto pyetje e gjejnë përgjigjen tek gjendja e nderë e familjes. Shpesh herë ne ia atribuojmë fajin kohës së keqe dhe të vështirë në të cilën jetojmë, por në fakt fajin për këtë e kemi vetë. E meta e vetme e kohës ku jetojmë jemi ne.
“Kjo është një ditë, kur ata nuk do të mund të flasin dhe nuk do t’u jepet leje për t’u shfajësuar.” (Murselat, 35-36)
Ditën e Kiametit askush nuk do të mund të flasë, të gjithë do të jenë të heshtur, përveç lidhjeve të gjakut.
Profeti Muhamed thotë a.s: ”Ditën e Kiametit, do të ngrihen lidhjet e gjakut dhe do të thonë: ”O Zot! Neve na është bërë padrejtësi! O Zot ne jemi persekutuar! O Zot ne jemi lënduar.” Zoti do u përgjigjet: ”A nuk u bëhet qejfi që përkujdesem për ata që janë kujdesur për ty dhe ti braktis ata që të kanë braktisur ty?!”
Nëse konstatoni se Zoti i lartësuar fokusohet në një vlerë dhe kërkon që ajo të respektohet, dijeni se pas asaj vlere fshihen shumë mirësi dhe kontribut për vetë popullin. Nëse shihni se për një vlerë janë shpallur kushedi sa ajete dhe hadithe, dijeni se ajo është nga ato vlera që konsolidojnë popullin mysliman.
Kur njerëzit të bëhen gati të kalojnë urën e Siratit, Ditën e Kiametit, në dy anët e urës do të qëndrojnë amaneti dhe lidhjet e gjakut, duke thënë: ”O Zot! Askush nuk do të kalojë derisa të na kthejnë të drejtat e mohuara.”
Në një anketim, një numër të rinjsh dhe të rejash u pyetën:
1 – A preferoni ta kaloni kohën me të afërmit, apo me shoqërinë?
2 – A i njihni të gjithë njerëzit e gjakut?
Shumica e përgjigjeve ishin se preferonin ta kalojnë kohën me shoqërinë dhe se nuk i njihnin të gjithë njerëzit e gjakut.
Prandaj, ashtu siç u bëj thirrje prindërve, u bëj thirrje dhe të rinjve që të kontribuojnë në afrimin mes njerëzve të gjakut, të bëjnë çmos që të organizohen takime dhe gosti për këtë qëllim.
Me këtë që po them po flas për thelbin e fesë, po flas për atë që kërkon Zoti në Kuran dhe Profeti a.s në hadithe.
Kështu siç po ndodh sot, ne po i privojmë fëmijët tanë nga kujtimet më të bukura të fëmijërisë. Nuk ka kujtime më të bukura për dikë, sesa kujtimet e fëmijërisë në prehrin e familjes. Po ti shohësh fëmijët kur bashkohen me kushërinjtë e tyre, përjetojnë momente ngazëllimi të paharrueshme. Kjo, sepse të gjithë i përkasin një trungu të vetëm dhe vetëm bashkimi e uniteti i bën të ndihen vetja.
Një miku im, i cili qe detyruar të largohet për disa kohë jashtë vendit të tij, pa pasur mundësi të kthehet më tregon: ”Kisha aq mall për familjarët dhe njerëzit e gjakut, saqë shfrytëzoja raste sado të parëndësishme, për ti mbledhur në shtëpinë e prindërve. Unë u dërgoja të hollat prindërve, mandej u telefonoja të afërmve të mi, të cilët i ftoja për gosti me atë rast. Kur të gjithë mblidheshin dhe festonin, unë u telefonoja secilit prej tyre dhe çmallesha me ta. Kjo më bënte të ndihesha shumë i lumtur, i ngazëllyer.”
Provoje të shkosh një ditë për vizitë në shtëpinë e xhaxhait, dajës etj… dhe do të përjetosh momente gëzimi dhe lumturie që si ke përjetuar më parë.
Kush është gati që me të përfunduar leximin e këtyre rreshtave të interesohet për të afërmit e tij, ti vizitojë dhe ti telefonojë? Kush është gati të kënaqë Zotin me këtë dhe rrjedhimisht të forcojë besimin?
Nëse nuk të kanë shkundur ajetet dhe hadithet që cituam më lart, dije se zemra jote ka nevojë për lidhjet e gjakut. Profeti Muhamed a.s shprehet: ”Kush beson në Zotin dhe Botën Tjetër, le të shkojë mirë me farefisin.”
Kur Profeti a.s ndodhej në Arafat bashkë me myslimanët e tjerë dhe ishin bërë gati të luteshin, para se të fillojë ai u tha: ”Dua që në mesin e këtyre njerëzve të mos qëndrojë dikush që i ka prerë lidhjet me njerëzit e gjakut. Mëshira e Zotit nuk zbret tek ata njerëz, të cilët kanë në mesin e tyre dikë që i ka prerë lidhjet me farefisin.”
Në çast, ngrihet një burrë dhe largohet. Pas pak, ai kthehet dhe Profeti a.s e pyet: ”Ku ishe?” Ai iu përgjigj: ”O i dërguar i Allahut! Unë kam një teze të cilën e kisha bojkotuar që prej disa vitesh. Kur të dëgjova ty, vajta tek tezja dhe i putha duart derisa u kënaq. Asaj i shpërthyen lot gëzimi. Të njëjtën gjë bëra dhe unë. Atëherë, ajo tha: ”Zoti më faltë mua, ty dhe nënën tënde!”
Profeti a.s i tha:”Eja ulu këtu pranë meje!”
Dikush vajti tek Profeti a.s dhe i tha: ”O i dërguar i Allahut! Kam vepruar një gjynah të madh. A më pranohet pendimi?” Profeti a.s i tha: ”A e ke nënën gjallë?” Burri i tha: ”Jo, ka vdekur.” Profeti a.s e pyeti: ”A ke teze?” Burri iu përgjigj: ”Po kam.” Profeti a.s i tha: ”Shko e respektoje atë, se të falet gjynahu!”
Nëse të rriturit dhe prindërit e kanë të vështirë të mblidhen dhe të respektojnë njëri – tjetrin, u del për detyrë të rinjve dhe të rejave ta bëjnë këtë. Le të organizojnë një piknik bashkë të gjithë kushërinjtë, të lexojnë Kuran bashkarisht  etj…
Vendet tona aktualisht kanë shumë probleme, shumë gjëra nuk shkojnë siç duhet, vihen re përçarje dhe konflikte të mëdha. Shumë gjëra nuk janë në duart tona, pasi kontrollohen nga qeveritë. Shumë aspekte të jetës i ngjajnë vargut që këputet, duke derdhur të gjitha hallkat. Gjëja e vetme që kemi në dorë është pikërisht familja e vogël dhe ajo e madhe.
Shpesh herë më vijnë të rinj dhe të reja e më thonë: Duam të bëjmë diçka për vendin dhe islamin, por nuk dimë çfarë të bëjmë, pasi nuk kemi gjë në dorë. Përgjigja ime është: Kontribuoni sa të mundni në bashkimin e familjes dhe kthimin e harmonisë.
Me qëllim që takimet të marrin një dimension tjetër, është mirë të diskutohet dhe të hidhen hapa praktike në mbështetjen sociale të disa prej familjarëve me probleme ekonomike. Diferencat ekonomike kanë filluar të shfaqen edhe tek familjet, ku njëri vëlla është shumë i pasur, kurse tjetri tepër i varfër dhe i papunë. Edhe një i pasur që nuk i ndihmon familjarët e tij të varfër, konsiderohet se shkon keq me njerëzit e gjakut. Nëse kërkoni që tu shtohet pasuria, bereqeti dhe të keni fëmijë – nëse jeni privuar gjer tani – shkoni mirë me farefisin.
Profeti a.s dhe familja
Pasi kishin kaluar tre vite nga fshehtësia e thirrjes islame, Profeti a.s urdhërohet që mesazhin e tij t’ua komunikojë të gjithë njerëzve dhe të parët që do të prezantoheshin me këtë mesazh, ishin pikërisht familjarët dhe gjaku i tij.
“Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm..” (Shuara, 214)
Profeti a.s i mblodhi njerëzit e gjakut që t’u flasë për mesazhin me të cilin e kishte obliguar Zoti, por xhaxhai i tij Ebu Lehebi ia prishi planet dhe takimi dështon. Sërish Profeti a.s i mbledh një ditë tjetër dhe u thotë: ”Pasha Zotin! Nëse do i çoja drejt humbjes të gjithë njerëzit, juve nuk ua bëj dot diçka të tillë. Nëse do i gënjej të gjithë njerëzit, juve nuk do u gënjeja. O Safije, halla e Profetit! Bëji derman vetes nga zjarri i xhehenemit! O Abas, xhaxhai i Profetit! Bëji derman vetes nga zjarri! O Fatime, bija e Muhamedit! Bëji derman vetes nga zjarri! Unë nuk kam në dorë tu ndihmoj, por do bëj ç’mos ti ruaj lidhjet tona të gjakut.”
Nëse kjo ishte në ditët e para të mesazhit islam, ndër ajetet e fundit që iu shpallën Profetit a.s është:
“Thuaju: “Për këtë nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi tjetër prej jush, përveç respektit për hir të farefisnisë (që kemi).” (Shura, 23)
Si fillimi i mesazhit hyjnor ashtu dhe fundi, fokusohen tek të afërmit dhe lidhjet e gjakut.
Dy djemtë e Ebu Lehebit ishin fejuar me dy vajzat e Profetit a.s, Rukijen dhe Umu Kulthumin. Si pasojë e urrejtjes dhe mllefit që ndjente për Profetin a.s, Ebu Lehebi i urdhëroi djemtë e tij ta prishin fejesën me dy vajzat e Profetit a.s dhe ashtu ndodhi. Veç kësaj, Ebu Lehebi përhapi fjalë në Mekë se askush tjetër nuk mund të martohej me vajzat e Profetit a.s, edhe pse djemtë e tij e kishin prishur fejesën. Dy vajzat e Profetit a.s mbetën pa u martuar derisa Rukijen e mori Uthmani r.a, e pasi vdiq ajo u martua me Umu Kulthumin.
Megjithatë, kur Profeti a.s hyri në Mekë si triumfator, pyeti: ”Ku janë Utbe dhe Utejbe, dy kushërintë e mi?” Abasi i tha: ”Do i sjell unë o i dërguar i Allahut.” Kur erdhën, Utbe dhe Utejbe dridheshin nga frika se mos Profeti a.s do të hakmerrej. Por Profeti a.s u tha: ”O Utbe dhe Utejbe! O kushërinjtë e mi! Pasha Zotin! Nëse do i çoja drejt humbjes të gjithë njerëzit, juve nuk ua bëj dot diçka të tillë. Nëse do i gënjej të gjithë njerëzit, juve nuk do u gënjeja. Nuk dua për ju veçse të mirën, prandaj unë u propozoj të pranoni Islamin.” Të dy vëllezërit dëshmuan se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s ishte i dërguari i Tij. Profeti a.s i kapi për duarsh dhe vajti bashkë me ta tek Qabja. Tregon Umeri: ”E pashë Profetin a.s duke ngjitur faqen e tij për murit të Qabes dhe duke u lutur: ”O Zot! Udhëzoje Utben dhe Utejben!” Sa herë që i shihja në fytyrë, më dukej sikur udhëzimi hyjnor ua ndriçonte fytyrën.”
Ditën që myslimanët hynë në Mekë, Ebu Sufjani u takua me Aliun, të cilit i tha: ”Si do të dal para Muhamedit tani?” Aliu i tha: ”Kur të hysh ta takosh, i thuaj ato fjalë që vëllezërit i thanë Jusufit a.s: ”Ata thanë: “Betohemi për Allahun, vërtet që Allahu të ka ngritur ty mbi ne dhe ne paskemi qenë vërtet të gabuar”. (Jusuf, 91)
Ebu Sufjani që kishte qenë komandanti i ushtrisë armike, e pyeti: ”Po a thua të vlejë o Ali?!” Aliu i tha: ”Po.”
Me të hyrë Ebu Sufjani në dhomën ku gjendej Profeti a.s, i tha: “Betohemi për Allahun, vërtet që Allahu të ka ngritur ty mbi ne dhe ne paskemi qenë vërtet të gabuar”. (Jusuf, 91)
Kurse Profeti a.s ia ktheu me ajetet që Jusufi a.s iu përgjigj fjalëve të mësipërme të vëllezërve: “Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është
më i mëshirshmi i mëshiruesve!” (Jusuf, 92)
Edhe pse Profeti a.s i donte dhe respektonte të gjithë sahabët, ata me të cilët kishin lidhje gjaku, ai i vlerësonte pak më shumë për hir të lidhjeve. Në betejën e Mu’tes mbetën të vrarë shumë myslimanë, e bashkë me ta dhe Xhafer ibnu Ebi Talib, të cilin Profeti a.s e qau për shkak të lidhjeve të gjakut.
Në betejën e Bedrit, mbeti i vrarë dhe Ebu Ubejde ibnu Harith, kushëriri i Profetit a.s. Ai ia mori kokën në prehër dhe duke qarë thoshte: ”O Zot! Ji dëshmitar se Ebu Ubejde e ka mbajtur besën!”
Kur zbuloi se në betejën e Uhudit ishte vrarë xhaxhai i tij Hamzai, Profeti a.s shpërtheu në të qara me ngashërime.
Në betejën e Hendekut, Aliu doli në dyluftim me Amr ibnul Vud, i cili nuk kishte humbur asnjë dyluftim gjer atëherë. Kur Aliu u nis për dyluftim, Profeti a.s lutej dhe thoshte: ”O Allah! Ti e more Ebu Ubejde ibnu Harith, nga familja ime. O Allah ti e more Hamzanë në betejën e Uhudit, i cili dhe ai ishte nga familja ime. O Allah! Ali ibnu Ebi Talib është nga familja ime, prandaj mos më lër të vetëm!”
Në betejën e Bedrit, xhaxhai i Profetit a.s, Abasi, ishte detyruar të renditet me forcat armike të myslimanëve. Pas betejës, ai ishte marrë rob nga myslimanët. Atë natë, Profetin a.s nuk e zinte gjumi. Ai vinte e vente dhe nuk e nxinte vendi. Duke e parë në atë gjendje, dikush i tha: ”Përse nuk fle o i dërguar i Allahut?” Profeti a.s ia ktheu: ”Rënkimet e Abasit i kam në vesh.” Kjo, sepse Abasi qëndronte i lidhur me pranga.
Kaq shumë ishte i lidhur me familjarët dhe farefisin e tij Profeti a.s. Ai ishte i lidhur me të gjithë shokët dhe myslimanët, por me farefisin e tij pak më shumë. Ai ishte profet i Zotit, por ishte dhe njeri dhe si i tillë duhej të jepej më shumë pas familjarëve dhe farefisit.
A do të viheni në lëvizje pas kësaj teme me qëllim që të bashkoni familjen? Kush është i gatshëm të bëjë çmos derisa familjarët dhe farefisi ti rikthehen lidhjeve të forta?
Secili prej nesh do të pyetet Ditën e Kiametit çfarë kemi bërë për harmoninë në familje dhe mes farefisit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit