9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Lidhjet farefisnore

Më të lexuarat

Nga: Amer Halid

Lidhjet farefisnore

 
Zoti i lartësuar na ka sjellë në këtë botë në dy rrethe, rrethi familjar ku përfshihen prindërit, vëllezërit dhe motrat, si dhe rrethi i lidhjeve farefisnore dhe të gjakut.
Në të gjithë temat e kaluara, ne jemi fokusuar në rrethin e ngushtë, atë familjar, në marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve si dhe marrëdhëniet bashkëshortore. Por edhe nëse për rrethin e ngushtë familjar, kemi arritur që marrëdhëniet ti kemi të mira, udha nuk përfundon me kaq. Prej nesh lipset që edhe me rrethin e gjerë të familjes, të kemi marrëdhënie të mira, gjë e cila e kënaq Zotin. Marrëdhëniet e mira me farefisin, influencojnë për mirë edhe në marrëdhëniet familjare.
Me këtë temë, ne synojmë të rikthejmë dhe një herë atë harmoni, mirëkuptim, dashamirësi, dhembshuri, solidaritet dhe përkrahje, në rrethin farefisnor.
Nëse kemi thënë që pjesëtarët e familjes janë përçarë dhe secili sheh punën e tij, ky fenomen është akoma më i theksuar në familjen e madhe, në farefis. Nëse farefisi do të ishin të bashkuar dhe në harmoni, do të ishin më të fuqishëm, edhe më i dobëti i tyre do të ndihej i fuqishëm. Problemet më të rënda dhe më të mëdha do të gjenin zgjidhje të menjëhershmë në krahët e një familje të madhe, por për fat të keq askush nuk e konstaton diçka të tillë. Ne dëshirojmë që marrëdhëniet e ngrohta mes njerëzve të një gjaku të rikthehen sërish, ne duam që rrethi i madh i familjes ti kthehet ngrohtësisë dhe harmonisë së dikurshme, ti kthehet përkrahjes dhe mbështetjes së njëri-tjetrit, ti kthehet interesimit dhe dhembshurisë.
Kryesisht, në vendet tona hasen dy lloj familjesh të përçara:
E para, përçarje për shkak të trashëgimisë, apo për çfarëdo shkaku tjetër. Gjyshi, mund të ketë ndërtuar një banesë të madhe, për ta pasur familjen sa më pranë, por gratë e djemve apo të nipërve apo vetë djemtë dhe nipërit zihen me njëri-tjetrin, duke shkaktuar përçarje dhe konflikte. Kështu, shohim që disa prej fëmijëve detyrohen të marrin familjen e tyre të vogël dhe të banojnë diku larg. Si është e mundur që njerëzit e një gjaku të mos jetojnë dot me njëri-tjetrin në një banesë?! E si pritet që Zoti ta mbështesë një umet të tillë?!
A e dini përse zihen në përgjithësi gratë? Për hiç gjë. Sepse njëra prej tyre ka ironizuar gjellën e tjetrës, veshjen apo modelimin e shtëpisë… Shkaqe të tilla kanë bërë që ata të mbledhin plaçkat dhe të banojnë me qera në një lagje apo qytet tjetër. Ka vëllezër të cilët nuk flasin me njëri-tjetrin për dhjetë vite. E sikur të mos mjaftonte kjo, ata u kërkojnë dhe fëmijëve që të mos kontaktojnë me xhaxhain dhe kushërinjtë.
E dyta, familjet nuk janë të përçara por secili jeton jetën e tij, pa u interesuar për të tjerët. Sa ishin gjyshërit gjallë, familja mblidhej, organizonte gosti, dreka e darka. Por me të vdekur ata, familja u shpërnda dhe ku ka rënë njëri s’ka rënë tjetri. Kjo ndarje është më e theksuar sidomos në qytetet e mëdha, ku familjet nuk shihen me njëra-tjetrën veçse një herë në vit, ose për raste të rralla, dasma apo raste vdekjesh. Por edhe në raste të tilla, takimet janë shumë formale, pasi atmosfera është e tillë që nuk të lejon të thellohesh në jetën e tjetrit, problemet dhe shqetësimet e tij. Kjo është një nga format e prishjes së lidhjeve farefisnore. Mos mendoni se të prishësh lidhjet e gjakut, është vetëm duke u konfliktuar dhe bërë shamatë me ta. E për çfarë lidhjesh gjaku mund të flitet nëse takohemi vetëm për dasma dhe raste vdekjesh?!
Përveç kësaj, në raste të tilla nuk marrin pjesë vetëm se të rriturit, sakaq të rinjtë jetojnë botën e tyre me shoqërinë, larg farefisit, shumë prej të cilëve as që i njohin.
Nëse doni të kënaqni Zotin dhe ky umet të rilindë sërish, kthejuni familjes së madhe, kthejuni dhe një herë asaj harmonie që ekzistonte më parë, mbështetjes, dhembshurisë, përkrahjes, dashurisë, solidaritetit dhe dashurisë familjare.
 
Vlera e farefisit në islam
Të rinjtë mund të luajnë një rol tepër të rëndësishëm në konsolidimin e familjes së madhe. Të interesohesh për xhaxhanë, dajën, tezen dhe fëmijët e tyre nuk thjesht diçka e mirë, por është urdhër hyjnor të cilin duhet ta respektosh dhe çosh në vend.
Thotë Zoti në një hadith Kudsij:”Unë jam i Gjithëmëshirshmi dhe Mëshirploti. Emrin e farefisit, e kam marrë nga emri Im (rehim). Kush e ruan këtë lidhje (farefisninë) do të jetë në kujdesin Tim. Kush e prish atë, është privuar nga përkujdesi Im.”
Kushdo që i mban lidhjet farefisnore dhe të gjakut, ka merituar mëshirën hyjnore, sakaq ai që i prish ato, është privuar nga kjo mëshirë.
Ditën që Zoti krijoi gjithësinë, lidhjet farefisnore u kapën fort pas Arshit të Zotit dhe shprehu shqetësimin se njerëzit nuk do e respektojnë shenjtërinë e kësaj lidhjeje. Zoti i tha:”A të bëhet qejfi nëse e mbaj pranë atë që i ruan lidhjet e gjakut dhe e largoj nga mëshira Ime atë që i prish këto lidhje?!”
Shpesh herë më rastis të dëgjoj pyetje të tilla nga njerëzit: Përse është bërë jeta kaq e vështirë? Përse nuk ka shije? Përse njerëzit ndihen të braktisur dhe të pashpresë?
Këto pyetje e gjejnë përgjigjen tek gjendja e nderë e familjes. Shpesh herë na ia atribuojmë fajin kohës së keqe dhe të vështirë në të cilën jetojmë, por në fakt fajin për këtë e kemi vetë. E meta e vetme e kohës ku jetojmë jemi ne.
“Kjo është një ditë, kur ata nuk do të mund të flasin dhe nuk do t’u jepet leje për t’u shfajësuar.” (Murselat, 35-36)
Ditën e Kiametit askush nuk do të mund të flasë, të gjithë do të jenë të heshtur, përveç lidhjeve të gjakut.
Thotë profeti Muhamed a.s:”Ditën e Kiametit, do të ngrihen lidhjet e gjakut dhe do të thonë:”O Zot! Neve na është bërë padrejtësi! O Zot ne jemi persekutuar! O Zot ne jemi lënduar.” Zoti do u përgjigjet:”A nuk u bëhet qejfi që përkujdesem për ata që janë kujdesur për ty dhe ti braktis ata që të kanë braktisur?!”
Nëse konstatoni se Zoti i lartësuar fokusohet në një vlerë dhe kërkon që ajo të respektohet, dijeni se pas asaj vlere fshihen shumë mirësi dhe kontribut për vetë umetin. Nëse shihni se për një vlerë janë shpallur kushedi sa ajete dhe hadithe, dijeni se ajo është nga ato vlera që konsolidojnë umetin mysliman.
Kur njerëzit të bëhen gati të kalojnë urën e Siratit, Ditën e Kiametit, në dy anët e urës do të qëndrojë amaneti dhe lidhjet e gjakut, duke thënë:”O Zot! Askush nuk do të kalojë derisa të na kthejë të drejtat e mohuara.”
Në një anketim, një numër të rinjsh dhe të rejash u pyetën:
1 – A preferoni ta kaloni kohën me të afërmit, apo me shoqërinë?
2 – A i njihni të gjithë njerëzit e gjakut?
Shumica e përgjigjeve ishin se preferonin ta kalojnë kohën me shoqërinë dhe se nuk i njihnin të gjithë njerëzite gjakut.
Prandaj, ashtu siç u bëj thirrje prindërve, u bëj thirrje dhe të rinjve që të kontribuojnë në afrimin mes njerëzve të gjakut, të bëjnë çmos që të organizohen takime dhe gosti për këtë qëllim.
Me këtë që po them unë po flas për thelbin e fesë, po flas për atë që kërkon Zoti në Kuran dhe Profeti a.s në hadithe.
Kështu siç po ndodh sot, ne po i privojmë fëmijët tanë nga kujtimet më të bukura të fëmijërisë. Nuk ka kujtime më të bukura për dikë, sesa kujtimet e fëmijërisë në prehrin e familjes. Po ti shohësh fëmijët kur bashkohen me kushërinjtë e tyre, përjetojnë momente ngazëllimi të paharrueshme. Kjo, sepse të gjithë i përkasin një trungu të vetëm dhe vetëm bashkimi e uniteti i bën të ndihen vetja.
Një miku im, i cili qe detyruar të largohet për disa kohë jashtë vendit të tij, pa pasur mundësi të kthehet më tregon:”Kisha aq mall për familjarët dhe njerëzit e gjakut, saqë shfrytëzoja raste sado të parëndësishme, për ti mbledhur në shtëpinë e prindërve. Unë u dërgoja të hollat prindërve, mandej u telefonoja të afërmve të mi, të cilët i ftoja për gosti për atë rast. Kur të gjithë mblidheshin dhe festonin, unë u telefonoja secilit prej tyre dhe çmallesha me ta. Kjo më bënte të ndihem i lumtur në maksimum.”
Provoje të shkosh një ditë për vizitë në shtëpinë e xhaxhait, dajës etj… dhe do të përjetosh momente gëzimi dhe lumturie që si ke përjetuar më parë.
Kush është gati që me të përfunduar leximin e këtyre rreshtave të interesohet për të afërmit e tij, ti vizitojë dhe ti telefonojë? Kush është gati të kënaqë Zotin me këtë dhe rrjedhimisht të forcojë besimin?
Nëse nuk të kanë shkundur ajetet dhe hadithet që cituam më lart, dije se zemra jote ka nevojë për lidhjet e gjakut. Thotë profeti Muhamed a.s:”Kush beson në Zotin dhe Botën Tjetër, le të shkojë mirë me njerëzit e gjakut.”
Kur Profeti a.s ndodhej në Arafat bashkë me myslimanët e tjerë dhe ishin bërë gati të luteshin, para se të fillojë ai u tha:”Dua që në mesin e këtyre njerëzve të mos qëndrojë dikush që i ka prerë lidhjet me njerëzite gjakut. Mëshira e Zotit nuk zbret tek ata njerëz, të cilët kanë në mesin e tyre dikë që i ka prerë lidhjet me farefisin.”
Në çast, ngrihet një burrë dhe largohet. Pas pak, ai kthehet dhe Profeti a.s e pyet:”Ku ishe?” Burri iu përgjigj:”O i dërguar i Allahut! Unë kam një teze të cilën e kisha bojkotuar që prej disa vitesh. Kur të dëgjova ty, vajta tek tezeja dhe i putha duart derisa u kënaq. Asaj i shpërthyen lotë gëzimi. Të njëjtën gjë bëra dhe unë. Atëherë, ajo tha:”Zoti më faltë mua, ty dhe nënën tënde!”
Profeti a.s i tha:”Hajde dhe ulu këtu pranë meje!”
Dikush vajti tek Profeti a.s dhe i tha:”O i dërguar i Allahut! Kam vepruar një gjynah të madh. A më pranohet pendimi?” Profeti a.s i tha:”A e ke nënën gjallë?” Burri i tha:”Jo, ka vdekur.” Profeti a.s e pyeti:”A ke teze?” Burri iu përgjigj:”Po kam.” Profeti a.s i tha:”Shko e respektoje atë, se të falet gjynahu!”
Nëse të rriturit e prindërit e kanë të vështirë të mblidhen dhe të respektojnë njëri-tjetrin, u del për detyrë të rinjve dhe të rejave ta bëjnë këtë. Le të organizojnë një piknik të gjithë kushërinjtë bashkë, të lexojnë Kuran bashkarish, të shkojnë në Umre etj…
Vendet tona aktualisht kanë shumë probleme, shumë gjëra nuk shkojnë siç duhet, vihet re përçarje dhe konflikte të mëdha. Shumë gjëra nuk janë në duart tona, pasi kontrollohen nga qeveritë. Shumë aspekte të jetës i ngjajnë vargut që këputet, duke derdhur të gjithë kokrat. Gjëja e vetme që kemi në dorë është pikërisht familja e vogël dhe ajo e madhe.
Shpesh herë më vijnë të rinj dhe të reja dhe më thonë: Duam të bëjmë diçka për vendin dhe islamin, por nuk dimë çfarë të bëjmë, pasi nuk kemi gjë në dorë. Përgjigja ime është: Kontribuoni sa të mundni në bashkimin e familjes dhe kthimin e harmonisë.
Me qëllim që takimet të marrin një dimension tjetër, është mirë të diskutohet dhe të hidhen hapa praktike në mbështjetjen sociale të disa prej familjarëve me probleme ekonomike. Diferencat ekonomike kanë filluar të shfaqen edhe tek familjet, ku njëri vëlla është shumë i pasur, kurse tjetri tepër i varfër dhe i papunë. Edhe një i pasur që nuk i ndihmon familjarët e tij të varfër, konsiderohet njeri që shkon keq me njerëzit e gjakut. Nëse kërkoni që tu shtohet pasuria, bereqeti dhe të keni fëmijë – nëse jeni privuar gjer tani – shkoni mirë me njerëzit e gjakut.
 
Profeti a.s dhe familja
Pasi kishin kaluar tre vite nga fshehtësia e thirrjes islame, Profeti a.s urdhërohet që mesazhin e tij t’ua komunikojë të gjithë njerëzve dhe të parët që do të prezantoheshin me këtë mesazh, ishin pikërisht familjarët dhe gjaku i tij.
“Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm..” (Shuara, 214)
Profeti a.s i mblodhi njerëzit e gjakut që t’u flasë për mesazhin me të cilin e kishte obliguar Zoti, por xhaxhai i tij Ebu Lehebi ia prishi planet dhe takimi dështon. Sërish Profeti a.s i mbledh një ditë tjetër dhe u thotë:”Pasha Zotin! Nëse do i çoja drejt humbjes të gjithë njerëzit, juve nuk ua bëj dot diçka të tillë. Nëse do i gënjej të gjithë njerëzit, juve nuk do u gënjeja. O Safije, halla e Profetit! Bëji derman vetes nga zjarri i xhehenemit! O Abas, xhaxhai i Profetit! Bëji derman vetes nga zjarri! O Fatime, bija e Muhamedit! Bëji derman vetes nga zjarri! Unë nuk kam në dorë tu ndihmoj, por do bëj ç’mos ti ruaj lidhjet tona të gjakut.”
Nëse kjo ishte në ditët e para të mesazhit islam, ndër ajetet e fundit që iu shpallën Profetit a.s është:
“Thuaju: “Për këtë nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi tjetër prej jush, përveç respektit për hir të farefisnisë (që kemi).” (Shura, 23)
Si fillimi i mesazhit hyjnor ashtu dhe fundi, u fokusokan tek të afërmit dhe lidhjet e gjakut.
Dy djemtë e Ebu Lehebit ishin fejuar me dy vajzat e Profetit a.s, Rukajen dhe Umu Kulthumin. Si pasojë e urrejtjes dhe mllefit që ndjente për Profetin a.s, Ebu Lehebi i urdhëroi djemtë e tij ta prishin fejesën me dy vajzate Profetit a.s dhe ashtu ndodhi. Veç kësaj, Ebu Lehebi përhapi fjalë në Mekë se askush tjetër nuk mund të martohej me vajzat e Profetit a.s, edhe pse djemtë e tij e kishin prishur fejesën. Dy vajzat e Profetit a.s mbetën pa u martuar derisa Rukajen e mori Uthmani r.a, e pasi vdiq ajo u martua me Umu Kulthum.
Megjithatë, kur Profeti a.s hyri në Mekë si triumfator, pyeti:”Ku janë Utbe dhe Utejbe, dy kushërintë e mi?” Abasi i tha:”Do sjell unë o i dërguar i Allahut.” Kur erdhën, Utbe dhe Utejbe dridheshin nga frika se mos Profeti a.s do të hakmerrej. Por Profeti a.s u tha:”O Utbe dhe Utejbe! O kushërinjtë e mi! Pasha Zotin! Nëse do i çoja drejt humbjes të gjithë njerëzit, juve nuk ua bëj dot diçka të tillë. Nëse do i gënjej të gjithë njerëzit, juve nuk do u gënjeja. Nuk dua për ju veçse të mirën, prandaj unë u propozoj të konvertoheni në myslimanë.” Të dy vëllezërit dëshmuan se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s ishte i dërguari i Tij. Profeti a.s i kapi për duarsh dhe vajti bashkë me ta tek Qabja. Tregon Umeri:”E pashë Profetin a.s duke ngjitur faqen e tij për murit të Qabes dhe duke u lutur:”O Zot! Udhëzoje Utben dhe Utejben!” Sa herë që i shihja në fytyrë, më dukej sikur udhëzimi hyjnor ua ndriçonte fytyrën.”
Ditën që myslimanët hynë në Mekë, Ebu Sufjani u takua me Aliun, të cilit i tha:”Si do të dal para Muhamedit tani?” Aliu i tha:”Kur të hysh ta takosh, i thuaj ato fjalë që vëllezërit i thanë Jusufit a.s:” Ata thanë: “Betohemi për Allahun, vërtet që Allahu të ka ngritur ty mbi ne dhe ne paskemi qenë vërtet të gabuar”. (Jusuf, 91)
Ebu Sufjani që kishte qenë komandanti i ushtrisë armike, e pyeti:”Po a thua të vlejë o Ali?!” Aliu i tha:”Po.”
Me të hyrë Ebu Sufjani në dhomën ku gjendej Profeti a.s, i tha:” “Betohemi për Allahun, vërtet që Allahu të ka ngritur ty mbi ne dhe ne paskemi qenë vërtet të gabuar”. (Jusuf, 91)
Kurse Profeti a.s ia ktheu me ajetet që Jusufi a.s iu përgjigj fjalëve të mësipërve të vëllezërve:“Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është
më i mëshirshmi i mëshiruesve!” (Jusuf, 92)
Edhe pse Profeti a.s i donte dhe respektonte të gjithë sahabët, ata me të cilët kishin lidhje gjaku, ai i vlerësonte pak më shumë për hir të lidhjeve. Në betejën e Mu’te mbetën të vrarë shumë myslimanë, e bashkë me ta dhe Xhafer ibnu Ebi Talib, të cilin Profeti a.s e qau për shkak të lidhjeve të gjakut.
Në betejën e Bedrit, mbeti i vrarë dhe Ebu Ubejde ibnu Harith, kushëriri i Profetit a.s. Ai ia mori kokën në prehër dhe duke qarë thoshte:”O Zot! Ji dëshmitar se Ebu Ubejde e ka mbajtur besën!”
Kur zbuloi se në betejën e Uhudit ishte vrarë xhaxhai i tij Hamzai, Profeti a.s shpërtheu në të qara me ngashërime.
Në betejën e Hendekut, Aliu doli në dyluftim me Amr ibnul Vud, i cili nuk kishte humbur asnjë dyluftim gjer atëherë. Kur Aliu u nis për dyluftim, Profeti a.s lutej dhe thoshte:”O Allah! Ti e more Ebu Ubejde ibnu Harith, nga familja ime. O Allah ti e more Hamzanë në betejën e Uhudit, i cili dhe ai ishte nga familja ime. O Allah! Ali ibnu Ebi Talib është nga familja ime, prandaj mos më lër të vetëm!”
Në betejën e Bedrit, xhaxhai i Profetit a.s, Abasi, ishte detyruar të renditet me forcat armike të myslimanëve. Pas betejës, ai ishte marrë rob nga myslimanët. Atë natë, Profetin a.s nuk e zinte gjumi. Ai vinte e vente dhe nuk e nxinte vendi. Duke e parë në atë gjendje, dikush i tha:”Përse nuk fle o i dërguar i Allahut?” Profeti a.s ia ktheu:”Rënkimet e Abasit i kam në vesh.” Kjo, sepse Abasi qëndronte i lidhur me pranga.
Kaq shumë ishte i lidhur me familjarët dhe farefisin e tij Profeti a.s. Ai ishte i lidhur me të gjithë shokët dhe myslimanët, por me farefisin e tij pak më shumë. Po, ai ishte profet i Zotit, por ishte dhe njeri dhe si i tillë duhej të jepej më shumë pas familjarëve dhe farefisit.
A do të viheni në lëvizje pas kësaj teme me qëllim që të bashkoni familjen? Kush është i gatshëm të bëjë ç’mos derisa familjarët dhe farefisi ti rikthehen lidhjeve të forta?
Secili prej nesh do të pyetet Ditën e Kiametit çfarë kemi bërë për harmoninë në familje dhe mes farefisit.
 
Rëndësia e lidhjeve të gjakut
Secili prej nesh ka disa nevoja, disa prej tyre janë materiale e të tjera shpirtërore.
Ambiente familjar i siguron njeriut shumë nga nevojat e tij, ndër të cilat:
1 – Në radhë të parë, familja dhe farefisi të sigurojnë përkatësinë dhe identitetin. Të rinjtë, sidomos në moshën 13 – 14 vjeçare, kanë nevojë të identifikohen me dikë. Këtë nevojë të rinjve, Zoti e ka realizuar në një mjedis tepër të ngrohtë, në rrethin familjar.
“dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin.” (Huxhurat, 13)
Këtë nevojë përkatësie dhe identiteti, ia ofron familja në mënyrën më të natyrshme. Nëse një të riu i mungon ky institucion ku ai realizon përkatësinë dhe identitetin e tij, ai do të orvatet ta realizojë diku tjetër. Kështu, një të ri të tillë mund ta tërheqin krejt kollaj grupet ekstremiste. Në këtë moshë, ai është i gatshëm të hidhet në krahët e kujtdo që i realizon këtë nevojë. Edhe nëse familjarët e tij ushtrojnë presion që  të distancohet prej këtyre njerëzve, ai insiston në të tijën, pasi aty ai plotëson nevojat psikologjike të tij.
Nëse nuk bie pre e grupeve terroriste, ai do të bjerë pre e pijeve alkoolike, drogave dhe veprave të shëmtuara.
I dashur prind! Nëse i do fort fëmijët e tu, nëse ke frikë se në moshën e adoleshencës mund të bien pre e grupeve terroriste dhe drogave, përpiqu t’ia plotësosh këtë nevojë të natyrshme të tyre.
2 – Mbrojtja e fesë dhe e moraleve tona. Rrjeti familja, në vetvete është një rrjet vlerash dhe moralesh. Bashkimi dhe mirëkuptimi brenda familjes, gjithmonë ka qenë, është dhe do të jetë çelës të mirash dhe jo e kundërta.
Ka të rinj, të cilët nuk kryejnë vepra të shëmtuara dhe të dënueshme në lagjen e tyre, thjesht sepse aty janë njerëzit e tij të gjakut dhe i duket sikur shkel mbi shenjtërinë e këtyre lidhjeve. Një thënie e mençur e hazreti Uthmanit thotë:”Zoti ndryshon me sulltan, atë që nuk e ndryshon me Kuran.” Në këtë rast, fjalën “sulltan” unë dua ta interpretoj si forcën dhe pushtetin që ushtrojnë lidhjet e gjakut tek njerëzit.
Pra, shohim që një familje e madhe dhe në harmoni, mbroka në mënyrë perfekte moralet dhe vlerat.
“Nëse ju i ktheni shpinën besimit, atëherë do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore.” (Muhamed, 22)
Forma e parë e ngatërresave dhe shkatërrimit në tokë, është prerja e lidhjeve të gjakut. Sinjali i parë i ngatërresave dhe problemeve mbi faqen e tokës, është prishja e lidhjeve farefisnore.
 
3 – Lehtëson dhimbjen e fatkeqësive. Ne jemi dëshmitarë të fatkeqësive të shumta që karakterizojnë jetën e njeriut. Ka zonja të cilave u vdesin bashkëshortët, duke lënë pas fëmijët pa asnjë mbështetje. Por nëse familja është e bashkuar, fëmijët nuk shkojnë dëm, pasi kanë gjyshin, xhaxhain, dajën etj…
Kam një shok të cilit i pati vdekur nëna në moshë të vogël. Ai shpesh herë shprehet se të shoqen e xhaxhait, e sheh si nënën e tij, pasi ajo e ka rritur dhe edukuar.
Kurse sot ka ndryshuar gjithçka, të gjithë mendojnë vetëm për veten, pa ia ditur për të tjerët. Sot i vjen zor një zonje ti kërkojë të shoqit që djali i motrës së saj të vdekur, të jetojë bashkë me ta, pasi pak a shumë e di përgjigjen negative.
Amine bintu Vehb, i vdiq i shoqi, duke e lënë shtatzënë me një djalë, profetin Muhamed a.s. Megjithatë, me të lindur, ai gjeti një mjedis të ngrohtë familjar, sa tek gjyshi tek xhaxhai. Veç kësaj, ajo ndërmerr një udhëtim të gjatë prej pesëqind kilometrash, për ta prezantuar djalin e vet me dajat e tij. Ditën që Profeti a.s mbërriti në Medinë, të gjithë njerëzit e kapnin devenë e tij për kapistre dhe e ftonin në shtëpitë e tyre për të buajtur, por ai u thoshte:”Lëreni devenë se është e urdhëruar!” Dhe vendi ku deveja qëndroi, ishte vendi i dajave të tij.
Kur Profetit a.s i vdiq dhe e ëma, nuk gjeti asnjë vështirësi të shkojë në shtëpinë e gjyshit, e kur i vdiq edhe ky, ai jetoi në shtëpinë e xhaxhait. Ajo që përkujdesej më së shumti për Profetin a.s ishte gruaja e xhaxhait të tij, Fatime bintu Esed. Ai kurrë nuk ia harroi të mirën Fatimes. Kur Fatimeja ndërroi jetë në Medine, Profeti a.s hyri në varrin e saj, e mbështolli me xhyben e tij dhe e përqafoi për herë të fundit.
Sot, shumë njerëz të thonë:”Mua më intereson vetëm vetja dhe fëmijët e mi!!” E kush e ka siguruar se ai nuk mund të vdesë? Kush do përkujdeset për fëmijët e tij?
Ashtu siç Profeti a.s u rrit dhe u edukua në shtëpinë e xhaxhait, kushëriri i tij Ali ibnu Ebi Talib u rrit në shtëpinë e Profetit a.s. Profeti a.s u vendos në shtëpinë e xhaxhait të tij në moshën tetë vjeçare. Po ashtu, kushëriri i tij Aliu, u vendos në shtëpinë e tij në të njëjtën moshë.
Në një familje të madhe dhe në harmoni, asnjë prej pjesëtarëve të familjes nuk ndihet keq, edhe nëse ai vetë nuk ka fëmijë. Duke qenë se ai ka përreth fëmijët e vëllezërve e të motrave, ai nuk e ndjen fort faktin që është privuar nga fëmijët.
4 – Familja e madhe të bën të ndihesh i fuqishëm dhe krenar. Për Zotin mua më vjen keq për të rinjtë e kësaj kohe, të cilët dalin në jetë dhe nuk i njohin vlerat e familjes së madhe. Ata nuk kanë njerëz të cilët përkujdesen për ta, me të cilët bisedojnë dhe qajnë hallet, të cilët u japin eksperiencën e tyre të jetës, të cilët u japin kurajo dhe zemër. Ka të rinj të cilët duan të kontribuojnë për mirëqenien e vendeve të tyre, por nuk kanë njerëz që i mbështesin.
A e dini kush ishte personi i parë që e mbështeti Profetin a.s në mesazhin e tij? Ishte pikërisht xhaxhai i tij Ebu Talib. Që kur Profeti a.s ishte gjashtë vjeç, gjyshi Abdul Muttalib, i kishte thënë Ebu Talibit:”Ky djalë do të bëjë emër, prandaj mbështete!”
Edhe pse Ebu Talib nuk e pranoi islamin, e mbështeti Profetin a.s dhe mesazhin e tij si askush tjetër. Për të, lidhjet e gjakut ishin të shenjta. Në një moment të vështirë për Profetin a.s, ai i pati thënë:”O nipi im! Vepro sipas porosive që merr, se mua do të më kesh me vete!”
Kur kurejshët e deklaruan se donin ta eleminojnë Profetin a.s, Ebu Talib mblodhi urgjentisht familjarët dhe u tha:”Kurejshët duan të vrasin Muhamedin.” Menjëherë të gjithë u vendosën në një lagje dhe Profetin a.s e vendosën në mesin e banesave të tyre, me qëllim që ta mbrojnë. Duke parë këtë, kurejshët i bojkotuan për tre vite, as nuk u blinin ushqim dhe as nuk u shisnin. Megjithatë, asnjë nga familjarët nuk tha se ai nuk ishte mysliman dhe nuk kishte përse të vuajë për hir të Muhamedit.
Çdo natë, Ebu Talib i kërkonte Profetit a.s të ndryshojë bujtinën, nga frika se mos depërtojnë kurejshët dhe e vrasin.
Kur vdiq dhe Ebu Talib, ia la amanet djalit të tij Abasit, që të kujdeset dhe ta mbrojë Profetin a.s.
Gjatë tre viteve të bojkotit, një nga të afërmit e Hadixhes, Amr ibnu Hisham, ngarkon një deve plot me ushqime. Natën vonë, ai i afrohet lagjes së lagjes ku banonte Profeti a.s dhe myslimanët dhe e drejton devenë me ushqime drejt tyre, ndërkohë që vetë fshihet diku. Ai e bënte këtë sepse mes tyre ishte dhe Hadixheja, një nga familjarët e tij. Por kurejshët e diktojnë dhe pasi e keqtrajtojnë, e lënë të lirë duke e kërcënuar rëndë nëse do e përsërisë aktin. Jo më gjatë, por një ditë më pas ai mbushi një deve tjetër dhe e nisi në drejtim të myslimanëve, thjesht sepse mes tyre gjendej dhe Hadixheja.
Me këtë akt, Amr ibnu Hisham si jomysliman, u jep një shuplakë të rëndë pasanikëve myslimanë të cilët i kanë harruar të afërmit e tyre fukarenj, duke mos i kujtuar veçse në festa apo raste të rralla.
Kurejshët, e kapën sërish ditën e dytë dhe e pyetën:”Mos je bërë mysliman që dëshiron ti ndihmosh?!” Ai u tha:”Jo.” Kurejshët e pyetën:”Po atëherë, çfarë dreqin ke që u dërgon ushqime?!” Ai u tha:”Sepse mes tyre ndodhet gjaku im.” Ebu Sufjani u drejtua kurejshëve të tjerë dhe u tha:”Atëherë lëreni rehat! Ai thjesht kërkon të ruajë lidhjet e gjakut.” Këto fjalë i thoshte një nga armiqtë më të egër të myslimanëve. Mandej, ai shtoi:”Mos i prishni vlerat dhe moralet që na kanë mbetur!”
Ebu Sufjani dhe Ebu Talibi as i dëgjonin ajetet e Kuranit dhe hadithet që flasin për lidhjet e gjakut dhe as u besonin atyre. E megjithatë, lidhjet e gjakut i respektonin dhe u jepnin prioritet.
A e kuptoni tani vlerën e familjes së madhe? Ajo të qetëson se edhe po vdiqe, ka kush kujdeset për fëmijët e tu. Ajo të qetëson se edhe nëse vajzës tënde i kalon mosha e martesës, të gjithë të afërmit do të vihen në lëvizje për ti gjetur një njeri të përshtatshëm.
Kush prej jush është gati të formojë fondin e familjes, fond i cili do të mbështesë fukarenjte e rrethit familjar? Profeti Muhamed a.s thotë:”Sadakaja që i jepet një të fukarai, është thjesht sadaka. Kurse ajo që i jepet një të varfëri nga familjarët e tu, është sadaka dhe forcim i lidhjeve të gjakut.”
Një herë, Profeti a.s u tha myslimanëve:”Ah ç’burra të mirë janë Eshairët! Sa herë që niseshin për beteja, ose vuanin nga zia e bukës, mblidhin gjithë ushqimin që kishin në shtëpi, mandej e ndanin në mënyrë të barabartë. Unë jam njeriu i tyre dhe ata janë njerëzit e mi. Unë jam njeriu i tyre dhe ata janë njerëzit e mi. Unë jam njeriu i tyre dhe ata janë njerëzit e mi.”
Nëse Zoti të ka dhënë pasuri dhe dëshiron që Profeti të të rendisë tek njerëzit e tij, bëhu nismëtar i projektit të fondit familjar. Shko tek burri më me ndikim në familje, paraqitja këtë projekt dhe premtoji ndihmën tënde personale.
“Jepuni të afërmve të drejtën e tyre…” (Isra, 26)
 
Dy forma kontributi:
1 – Bëje nijet që tani se do të bësh ç’mos që familja të bashkohet dhe të shtohet solidariteti mes jush. Që tani, nuk do të jenë dasmat dhe rastet e ndryshme ato që do u bashkojnë. Kjo duhet ti përkasë të shkuarës, pasi që sot do të bëhesh shkak që familja të mblidhet qoftë dhe një herë në muaj.
Gjatë lëvizjeve të mia të shpeshta, jam njohur me një familje tepër të nderuar në Mekë të Arabisë Saudite. Nëna e djemve për të cilët po flas, ka kohë që ka ndërruar jetë. Pak para se të ndërrojë jetë, ajo shkroi testamentin e saj. Është ndër testamentet më të çuditshëm që kam lexuar. Ajo shkruante:”Në këtë testament, u lë amanet fëmijëve dhe nipërve të mi, që pasi të kem vdekur të mblidhen këtu në shtëpinë time çdo ditë të xhuma!!!”
Tregojnë fëmijët e saj, se e gjithë familja, mblidhen çdo të premte në shtëpinë ku ndërroi jetë nëna e tyre. Më e bukura, është se të gjithë fëmijët e saj, kanë shkruar në testamentin e tyre të njëjtin amanet të nënës së tyre.
Vallë sa familje prej nesh mund ta hedhin një hap të tillë? Sa prej nesh jemi të gatshëm për një vepër kaq të fisme dhe dinjitoze, e cila kënaq Zotin?
2 – Fondi i familjes. Pasi të arrihet takimi mes familjarëve, duhet të mendoni të hapni një fond të familjes. Familjarët që kanë haber nga ekonomia, të bëjnë një listë me emrat e personave që kanë nevojë për ndihmë, mandej sipas mundësive secili të kontribuojë për përmirësimin e jetesës së tyre.
Këtë që po them, unë e kam parë me sytë e mi të konkretizuar në një familje. Ideja ishte e njërit prej të rinjve, gjatë festës së bajramit. Duke parë mundësitë ekonomike të disa prej të afërmve të tij, ai kishte hedhur propozimin e një fondi familjar. Këtë ide ia kishte mbështetur xhaxhai i tij dhe të gjithë kishin filluar të hedhin të holla sipas mundësive. Menaxhimin e këtij fondi ata ia kishin besuar më të madhit në familje dhe me të mbështesnin familjarët në nevojë. Me këtë fond, një nga familjarët e tyre mbuloi shpenzimet e kurimit në spital.
Familja Hafiz në Xhedda të Arabisë Saudite, nuk u mjaftuan vetëm me takimet familjare. Ata kishin hapur një dosje familjare, në të cilën kishin shënuar takimin e parë të familjes, komisionin familjar dhe emrat e atyre që kishin marrë pjesë. Komisioni familjar ishte mbledhur dhe kishin caktuar objektivin e familjes: Një familje fetare, e bashkuar dhe në harmoni.
Hapi tjetër, ishte botimi i një broshure të vogël, ku gjendeshin paraardhësit e familjes, mundësisht dhe fotot e tyre, histori të veçanta etj… broshurë të cilën ua kishin shpërndarë të gjithë të rinjve të familjes. Projektin e broshurës, e kishte pasuar ngritja e grupit të sythave të vegjël (fëmijët), grupi i të rinjve, grupi i pajtimit (nëse mund të lindin pakënaqësi dhe mëri), grupi financiar, argëtues dhe kulturor.
Këta nuk janë njerëz të papunë, përkundrazi, janë biznesmenë të fuqishëm dhe tepër të zënë, por janë nga ata myslimanë të cilët nuk e kanë harruar familjen dhe rëndësinë e saj në edukimin e brezave.
Në një kornizë, e cila gjendet në shtëpitë e të gjithëve, ata kanë letrën që babai u ka shkruar, në të cilën u tregon zanafillën e këtij takimi javor të familjes, takim i cili kishte avancuar me kalimin e viteve. Ndër të tjera, ai u tregon se babai i tij i kishte kërkuar të organizojë këtë takim shumë vite më parë.
O umet i Muhamedit! Gjendja e nderë në të cilën gjendemi, nuk ka ardhur si rrufe në qiell të hapur. Jemi ne fajtorët e kësaj dekadence që ka përfshirë umetin.
“Nëse ju i ktheni shpinën besimit, atëherë do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore.” (Muhamed, 22)
Në fund, e lus Zotin që këto fjalë që thamë më sipër, të shndërrohen në iniciativa në çdo familje myslimane! Amin!
 
 
 
 Perktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit