Një skandal i madh mafio-politik po trondit Serbinë. Lidhjet e krimit të organizuar arrijnë deri në krye të qeverisë serbe në Beograd.
Përplasjet mafioze janë parë vitet e fundit në Serbi gjithmonë vetëm si pjesë e krimit të organizuar. Por në Beograd janë shtuar kohët e fundit pretendimet e mediave dhe qarqeve të ndryshme që thonë se ngritja e grupeve mafioze ka ndodhur në bashkëpunim të ngushtë me udhëheqjen shtetërore të Serbisë. Me arrestimin e kriminelit Veljko Belivuk dhe grupit të tij, ka filluar të zbulohet edhe roli i shtetit serb në mbrojtjen e grupeve të caktuara kriminale. Veljko Belivuk ishte drejtues i grupit huligan-kriminal “Principi”, i cili punonte brenda klanit malazez Kavaç. Kundër këtij grupi është ngritur tani një aktakuzë, në të cilën grupi fajësohet për pesë vrasje, për rrëmbime, tortura dhe përdhunimin e një personi, e grupi akuzohet edhe për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje. Detajet tepër shqetësuese të vrasjeve të kundërshtarëve të tyre, ndër të tjerash edhe vrasje me sëpatë dhe bluarjen e mishit të njerëzve, kanë vërshuar mediat serbe javët e fundit.
Roli mafioz i pushtetit
Veljko Belivuk dhe dora e tij e djathtë Marko Miljkoviq, në deklaratat e tyre në prokurori, kanë akuzuar rëndë edhe disa nga krerët e shtetit të Serbisë. Belivuk në deklaratën e tij para prokurorisë pretendon se ai personalisht është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një apartament në lagjen Zvezdara në Beograd. Belivuk pohon se Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) kanë kërkuar shërbime të ndryshme prej tyre.
Këto shërbime kishin të bënin me parandalimin e thirrjeve në tribunat e stadiumeve kundër presidentit të Serbisë Vuçiq (asokohe në stadiume brohorisnin disa grupe se Vuçiqi është homoseksual), me frikësimin e organizatorëve të protestave kundër autoriteteve të Serbisë, me sigurimin e qetësisë në Paradën e Krenarisë në Beograd, por edhe me ndikimin e këtij grupi tek taksistët në Beograd, që të heqin dorë nga protestat kundër aplikacionit të transportit “CarGo” (një kompani e lidhur me vëllanë e kryeministres Ana Brnabiq). Natyrisht që nuk dihet se cili saktësisht ka qenë kundërshërbimi i qeverisë për këto shërbime të këtij grupi kriminal, por thuhet se kundërshërbimi mund të ketë qenë mos pengimi i trafikut të drogës, sigurimi i klubeve, bizneset fitimprurëse të tyre me shtetin, mbështetje logjistike e tyre, si dhe mbështetje e tyre nga poilicia dhe gjyqësia në rastet e konflikteve me ligjin.
Ndryshe, Belivuk i ka thënë prokurorit se ai ishte anëtar i partisë SNS (të presidentit Vuçiq) që nga viti 2011. Lista e zyrtarëve qeveritarë të cilët në mënyra të ndryshme kanë qenë të lidhur me mbështetjen e këtij grupi kriminal shkon praktikisht deri në ajkën e pushtetit të partisë SNS, e ata janë: Aleksandar Vulin, ministër i Policisë, Nebojsha Stefanoviq, ministër i Mbrojtjes, Diana Hrkaloviq, ish-sekretare e shtetit në Ministrinë e Brendshme të Serbisë, Darko Glishiq, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të partisë SNS dhe Novak Nediq, sekretar i përgjithshëm i Qeverisë së Serbisë. Por hetuesit zyrtarisht nuk janë marrë me lidhjet e këtij grupi kriminal me politikën dhe policinë.
Bozho Preleviq: „Ky është problem rajonal dhe evropian”
Dëshmitë e dy kriminelëve kanë vënë në lëvizje makinerinë propagandistike të regjimit në Serbi. E gjithë propaganda drejtohet kundër opozitës, njerëzve të pasur në Serbi dhe ambasadave të huaja, të cilët akuzohet se ata gjoja po përpiqen në këtë mënyrë të përmbysnin pushtetin e presidentit Aleksandar Vuçiq në Serbi. Këto qarqe thonë se kriminelët e akuzuar mund të gënjejnë në mbrojtje, që sigurisht mund të jetë e vërtetë, por siç thotë për Deutsche Wellen avokati dhe deputeti Bozho Preleviq, këto pohime nuk kanë kurfarë logjike. “Pse ata do të mbroheshin me pohime të cilat vetëm sa mund të përkeqësojnë situatën e tyre? Ata do kalonin më së miri sikur të thoshin se për të gjitha veprat e tyre kriminale e kanë njoftuar opozitën dhe se kanë marrë detyra nga opozita (e jo pushteti)”, thotë Preleviq, në një deklaratë për DW.