4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Lidhja Shqiptare e Prizrenit sipas revistës “Al-Xhinan” të Bejrutit 1878-1881

Më të lexuarat

Jehona e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk u ndie vetëm Brenda kufijve të Evropës, por ajo kishte marrë dhenë. Trimëritë e popullit shqiptar, qëndresa dhe sakrifica e tij për tokën e të parëve kishin zënë faqe të tëra në lajmet dhe komentet e shtypit arab të asaj kohe.

Në mesin e gazetave dhe revistave, që kishin përcjellë ngjarjet e kësaj ndodhie, gjatë viteve të bujshme 1878-1881, ishte edhe revista “Alxhinan”(1), e cila botohej në Bejrut të Libanit, nga dijetari libanez, Butrus Al-Bustani. Në këtë kohë guvernator i Libanit ishte rilindësi ynë i mirënjohur, Vaso Pashë Shkodrani, njëri prej kreatorëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ashtu siç shihet nga libri i tij “E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët” (La verite sur l’Albanie et les Albanais) botuar në Paris, më 1879, përkthyer edhe në disa gjuhë të tjera evropiane, në të cilën krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikon administratën burokratike osmane dhe paraqet kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Vaso Pashë Shkodrani ishte guvernator i Libanit nga viti 1882, derisa vdiq më 1893. Me Traktatin e Shën Stefanit që u nënshkrua më 3 mars 1878, mes Perandorisë Osmane dhe Rusisë, krahina të tëra shqiptare u ishin lënë Bullgarisë dhe shteteve fqinje.

Vlen të përmendet se revista “Al-xhinan” në numrin e saj të 5 prill 1878, shkruan se shqiptarët janë shumë të mllefosur nga kjo padrejtësi e madhe që po u bëhet. Të gjendur para një situate të këtillë ata kishin protestuar kundër kësaj padrejtësie të fuqive të mëdha si dhe ndaj fqinjëve lakmitarë të cilët tentonin që të zgjeronin kufijtë e tyre në dëm të shqiptarëve. Kështu në faqet e revistës “Al-xhinan”, të Bejrutit, hasim protesta të tilla dërguar konsujve të shteteve të mëdha nga krahinat e ndryshme shqiptare. Populli i Dibrës proteston tek ambasadorët e Austro-Hungarisë dhe Anglisë kur merr vesh se do të mbesin në sundimin bullgar, duke vënë në pah ndër të tjera se: “Nuk gjendet në ato anë asnjë bullgar. I gjithë populli janë myslimanë e të krishterë të kombësisë shqiptare”.

Protesta të tilla kishin ardhur edhe nga viset tjera shqiptare si nga Shkodra, Gucia, Plava, Malet e Shqipërisë Veriore, Prizreni, Prishtina, Manastiri etj. Po ashtu aty hasim protestën e dërguar nga Shqipëria Perëndimore, Kongresit të Berlinit, ku përveç tjerash thuhet: “Afër një milion shqiptar, gjysma prej tyre myslimanë dhe gjysma të krishterë kërkojnë më shumë të drejta se Traktati i Shën Stefanit, pasi që populli shqiptar është popull shumë i vjetër dhe meriton t’i gëzojë të njëjtat të drejta sikur bullgarët”.

Humbjet e Perandorisë Osmane

Revista “Al-xhinan”, në numrin e saj, të tetë, të datës 15 prill 1878, u bën një rekapitullim humbjeve që kishte pësuar Porta e Lartë, si rezultat i marrëveshjes së Shën Stefanit, ku përfshiheshin edhe tokat shqiptare dhe popullata shqiptare. Serbia kishte fituar 164 mil 2 dhe 216.000 banorë prej tyre 92.000 myslimanë. Mali i zi kishte përfituar 58 mil 2 dhe 45.000 banorë, prej tyre 15.000 të besimit islam. Bullgaria e Re arrinte sipërfaqen prej 3562 mil 2 me një popullatë prej 3.822.000 banorë, prej tyre 1.430.000 të besimit islam. Prej tyre 80.000 turq, çerkezë, kurse të tjerët bullgarë të islamizuar. Kështu, pra me këtë Porta e Lartë kishte humbur një sipërfaqe prej 2.938 mil 2 dhe një popullatë prej 4.457.000 banorë, prej tyre 1.530.00 të besimit islam, 920.000 turq dhe çerkezë, kurse të tjerët shqiptarë, boshnjakë, grekë dhe myslimanë. Shqipëria figuron në një sipërfaqe prej 992 mil 2 me një popullatë prej 1.690.000 banorë, shumica prej tyre të besimit islam(2).

Në këtë aspekt, vlen të përmendet statistika e vitit 1878, për numrin e meshkujve në vilajetet e Perandorisë Osmane, sipas raporteve zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Vilajeti i Kosovës, sipërfaqja 7.000 mil 2, numri i meshkujve 839,822; Vilajeti i Janinës, sipërfaqja 5 mijë 2, numri i meshkujve 368.054; Vilajeti i Shkodrës me numër të banorëve 133.189.

Në këtë statistikë nuk figuron Vilajeti i Manastirit. Revista “Al-xhinan”, një vend të veçantë i kushton Kongresit të Berlinit, protokollin e të cilit e boton në tërësi, në numrin e saj të datës 15 gusht 1878(3), kurse dy javë më vonë, më 15 gusht 1878, redaktori i revistës Selim efendi al-Bustani i bën një analizë marrëveshjes së Shën Stefanit, ku thotë se “përmirësoi disa padrejtësi, por për fat të keq bëri padrejtësi edhe më të mëdha, duke ia dhuruar tokat shqiptare Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Aleanca, sllavo-greke, e përkrahur nga fuqitë e mëdha, po funksionon që të arrijë sa më shumë përfitime në dëm të shqiptarëve.

Kjo gjendje, sipas autorit, nuk mund të çojë deri te qetësimi i gjendjes në Ballkan, por mund të acarojnë gjendjen edhe më shumë. Për këtë, Porta e Lartë nuk duhet të marrë mbi vete obligime, të cilat ajo nuk është në gjendje t’i realizojë, nga rezistenca e popullatës, e cila nuk do të lejojë që tokat e tyre ku ata kanë jetuar shekuj me radhë të këmbehen për interesat e Fuqive të Mëdha”.

Revista “Al-xhinan”e datës 15 shtator 1878, në artikullin e saj me titull “Porta e Lartë dhe Greqia” i bën një vështrim rezistencës së shqiptarëve që kishin filluar kundër Greqisë për mbrojtjen e tokave të tyre, në jug të Shqipërisë, Thesalinë dhe Epirin. Këtë veprimtari të shqiptarëve, revista e quan “rezistenca e fuqishme e myslimanëve shqiptarë në Shqipërinë jugore(4)”.

Po kjo revistë, më 1 tetor 1878, në një artikull të gjatë me titullin “Vrasja e Mehmet Ali Pashës”, ia dedikon vrasjes së gjeneral Mehmet Ali Pashës, të cilin e quan si njëri prej gjeneralëve më të njohur të Perandorisë Osmane, shkruan se është vrarë në tokat shqiptare. “Kur Mehmet Ali Pasha arriti në Prizren, me qëllim për t’i bindë anëtarët e Lidhjes që t’i pranonin pikat e marrëveshjes së Kongresit të Berlinit, duke u shpjeguar anëtarëve të Lidhjes shkaqet që kishin bërë që Porta e Llartë të pranojë që Serbisë dhe Malit të Zi t’ua japë tokat shqiptare. Ai, në praninë e anëtarëve të Lidhjes kishte nxjerrë hartat për t’ua treguar kufijtë e ri me Malin e Zi dhe Serbinë. Ky akt i tij kishte hidhëruar shumë patriotët shqiptarë dhe ata nuk kishin mundur t’i frenonin emocionet e tyre para komandantit të ushtrisë osmane. Me gjithë sugjerimet e anëtarëve të Lidhjes që ai të mos shkojë në Gjakovë, për shkak të tensionimit të gjendjes, për shkak të pranimit nga ana e Portës së Lartë që t’ia dhurojë tokat e shqiptarëve Malit të Zi dhe Serbisë. Ai pasi që kishte dërguar një delegacion për ta vëzhguar situatën vendosi të shkojë, ku u vra nga kryengritësit shqiptarë, përfundon revista artikullin e saj.

Rezistenca e shqiptarëve për t’i mbrojtur tokat e tyre etnike, në të gjitha frontet, kishte zënë vend me rëndësi në faqet e revistës “Al-xhinan” të Bejrutit. Kështu artikujt me tituj si: “Porta e Lartë dhe Greqia”, “Porta e Lartë dhe Mali i Zi”, “Përpjekjet për dorëzimin e Ulqinit”, pothuajse ishin të pashmangshëm në çdo numër. Kjo kishte bërë që lufta e popullit shqiptar të shihej me admirim nga shumë popuj të Lindjes dhe kishte ringjallur ndjenjat e tyre atdhetare. Bota arabe sipas burimeve osmane, shqiptarët i njihte me emrin “arnaut”, kurse vendin e tyre “Arnautlluk”, ndërsa prej ngjarjeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nisi t’i quante “Albanë”(shqiptarë), kurse “çështjen shqiptare” me emrin “El-Meseletu el-Albanijetu”.

Nëse ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 130 vjet më parë kanë tërhequr vëmendjen e medieve të asaj pjese të botës, me të cilën kemi shumë gjëra të përbashkëta. Andaj, pyetja, e cila shtrohet para nesh sot është, se cili duhet të jetë misioni i institucioneve tona politike, kulturore e fetare për ta shtrirë ndikimin tonë në atë pjesë të botës, për interesin e Kosovës si dhe afirmimin e kombit tonë si tërësi.

Përkujtimi me dinjitet i 130-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka për synim riaktualizimin e vlerave dhe mesazheve të asaj nga këndvështrimi aktual. Andaj, përkujtimi i ngjarjeve dhe datave të historisë, siç veprohet tani, nuk duhet të kuptohet si rutinë, ose vetëm si një nderim formal. E kaluara nuk mund të kuptohet e shkëputur nga e sotmja. Procesi shoqëror është një dhe i pandarë. Porositë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit duhen analizuar, me këtë rast në funksion të së sotmes dhe perspektives të së nesërmes.

Mr.Qemajl Morina

EdukataIslame 96

Kjo kumtesë, është lexuar në Konferencën shkencore, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Instituti i Historisë në Prishtinë, më 10 qershor 2008, me rastin e 130-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

1 “Al-Xhinan, është revistë politike, shkencore, letrare e historike, të cilën e themeloi dijetari i njohur arabo-libanez, Butrus al-Bustani, (botues I Enciklopedisë së parë arabe), në janar të vitit 1870. I biri i tij, Selim al Bustani e mbante duke përgatitur shumicën e shkrimeve që botoheshin në të. Me vdekjen e themeluesit, më 1883, revista kaloi në pronësinë e të birit, Selim al-Bustanit, kurse pas vdekjes së tij më 1884, kaloi në pronësi të nipit, Nexhip al-Bustanit, deri në ndërprerjen e daljes së saj më 1887. Revista doli një herë në javë dhe gëzonte një reputacion të gjerë në rajonin e Lindjes së Mesme.

2 “Al-xhinan”, al-xhuzu-8, 15 prill 1878, f.350.

3 “Al-xhinan’, al-xhuzu-14, 5 korrik 1878, f.467.

4 “Al-xhinan”, al-xhuzu-14, 15 shtator 1878, f.759.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit