Pas suksesit të madh në zgjedhjet e mbajtura sot në Turqi, liderët botëror kanë uruar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për suksesin në këto zgjedhje
ANKARA (AA) – Pas suksesit të madh në zgjedhjet e mbajtura sot në Turqi, liderët botëror kanë uruar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për suksesin në këto zgjedhje, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shqipëria
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes linjës telefonike ka uruar presidentin Erdoğan për suksesin në zgjedhje.
Sipas burimeve presidenciale, presidenti Erdoğan falënderoi kryeministrin e Shqipërisë për urimin.
Kosova
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për suksesin në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Presidenti Thaçi përmes llogarisë së tij në rrjetet sociale ka shkruar: “Presim që bashkëpunimi i mirë në mes Kosovës dhe Turqisë të vazhdojë. Dy shtetet tona janë aleatë strategjikë në të gjitha sferat”.
Maqedonia
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka uruar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
“Presidenti Ivanov realizoi bisedë telefonike me presidentin e Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e suksesit të arritur në zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe parlamentare në Turqi”, bëhet e ditur në profilin e tij zyrtar të rrjeteve sociale.
Më tej thuhet se presidenti Ivanov uroi Erdoğan për fitoren dhe rezultatet e arritura zgjedhore duke i uruar ushtrimin e suksesshëm të postit presidencial.
“Në bisedën telefonike u shkëmbyen mendime për ndodhitë aktuale politike në të dyja vendet, me ç’rast presidenti Ivanov falënderoi për tërë mbështetjen e deritanishme nga Republika e Turqisë, duke shprehur bindjen se edhe periudhën e ardhshme do të vazhdojë miqësia dhe bashkëpunimi i fuqishëm mes dy vendeve”.
Hungaria
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, u bë lideri i parë i një shteti të Bashkimit Evropian (BE), i cili uroi presidentin Erdoğan për suksesin në zgjedhje. Sipas zyrtarëve, ai uroi presidentin turk përmes linjës telefonike.
Azerbajxhani
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka uruar presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, për suksesin e madh të arritur në zgjedhjet presidenciale.
Sipas një deklarate të lëshuar nga presidenca e Azerbajxhanit mësohet se Aliyev ka telefonuar homologun e tij Erdoğan duke i uruar përgëzimet e tij për “suksesin e madh në zgjedhje”.
Duke bërë të ditur se nën udhëheqjen e Erdoğan Turqia është zhvilluar më shumë, ka arritur suksese të mëdha në fushën e ekonomisë, si dhe ka forcuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare, Aliyev në bisedën telefonike i ka uruar suskese të mëtejshme presidentit Erdoğan.
Ndërkohë edhe Erdoğan i ka shprehur falenderime homologut të tij Aliyev për kujdesin e treguar dhe urimet e bëra
Gjithashtu bëhet e ditur se Aliyev ka ftuar presidentin Erdoğan për një vizitë në zyrtare në Azerbajxhan, i cili e ka pranuar këtë ftesë.
Bosnjë dhe Hercegovina
Kryetari i Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, uroi presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, për suksesin në zgjedhje.
Palestina
Presidenti i Palestinës, Mahmud Abbas, uroi presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për suksesin në zgjedhje.
Katari
Emiri i Katarit, Tamim bin Hamad al Thani, uroi presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për suksesin në zgjedhje.
Sipas të dhënave nga zyrtarët, Al Thani i ka përcjellur presidentit Erdoğan urimet për suksesin e arritur në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mbajtura sot në Turqi.
Serbia
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, uroi presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për suksesin në zgjedhje.
Irani
Në mesazhin me shkrim të publikuar në ueb faqen e Presidencës së Iranit, Hasan Ruhani, uroi presidentin Erdoğan për fitoren e arritur në zgjedhje.
“Shpresojë që në periudhën e re të presidencës suaj të zhvillohen marrëdhëniet miqësore mes Iranit dhe Turqisë në kuadër të fqinjësisë së mirë, respektit të ndërsjellë dhe interesave të përbashkëta, për çështjet bashkëpunimi në rajon dhe në botën islame, zgjidhja e problemeve rajonale, forcimi i stabilitetit dhe paqes”, ka thënë Ruhani në mesazhin e tij
Ukraina
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, uroi presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për suksesin në zgjedhje.
Në deklaratë nga llogaria e tij në Twitter Poroshenko është shprehur: “Përgëzoj presidentin Recep Tayyip Erdoğan për rizgjedhjen e tij si president. Me besimin e popullit dhe forcën e re të pushtetit të ri ai do të hapë rrugë shtesë për zhvillimin e mëtejshëm të Turqisë dhe mirëqenien e popullit turk”.
“Ukraina është e përkushtuar për zhvillimin dhe bashkëpunimin e thelluar të partneriteti strategjik Ukrainë-Turqi”, ka shkruar në gjuhën turke dhe angleze mesazhin e tij presidenti Poroshenko.
Venezuela
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro ka përgëzuar presidentin Recep Tayyip Erdoğan duke e telefonuar, por edhe duke publikuar një mesazh urimi në llogaritë e tij të medias sociale.
“Përgëzoj për fitoren e jashtëzakonshme që ka arritur në zgjedhjet e zhvilluara në Republikën e Turqisë vëllain dhe mikun e Venezuelës, Recep Tayyip Erdoğan”, ka theksuar në mesazhin e tij Maduro.
Ai theksoi vullnetin për thellimin e bashkëpunimit dhe solidarizimit mes dy vendeve.
Rusia
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka uruar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan për suksesin e arritur në zgjedhje.
Në një deklaratë me shkrim nga Kremlini njoftohet se Putin i ka dërguar Erdoğanit një mesazh urimi për rizgjedhjen e tij si president dhe për fitoren e arritur të AK Partisë.
Në mesazhin e tij Putin ka theksuar se rezultatet e zgjedhjeve tregojnë plotësisht autoritetin politik të presidentit Erdoğan.
Po ashtu në mesazhin e tij Putin është shprehur se Erdoğan ka marrë një mbështetje të gjerë për shkak të zgjidhjeve të ofruara në çështjet socio-ekonomike që ndodhen para Turqisë si dhe për qasjen në forcimin e politikës së jashtme të vendit.
Duke vënë në dukje se është i kënaqur nga natyra progresive e zhvillimit të marrëdhënieve të partneritetit ruso-turk, i cili ka arritur në një nivel strategjik, Putin theksoi se është i gatshëm për bashkëpunimin e afërt në agjendën bilaterale, rajonale dhe ndërkombëtare si dhe vazhdimin e një dialogu kuptimplotë.
Ndër të tjera Putin ka bërë të ditur se ky bashkëpunim po përparon drejt sigurimit të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Euroazi, dhe se kjo i përgjigjet interesave themelore të popullit rus dhe turk.
NATO
Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg, njoftoi se ka uruar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për suksesin e tij në zgjedhje.
“Uroj presidentin Erdoğan për rizgjedhjen. Në të njëjtën kohë e uroj popullin turk për pjesëmarrjen e lartë në zgjedhjet”, u tha gazetarëve Stoltenberg para takimit të Këshillit të Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) që mbahet në Luksemburg.
Ai duke tërhequr vëmendjen në atë se Turqia është “një aleat shumë i rëndësishëm” për NATO-n, theksoi se vendi nuk ka rëndësi strategjike vetëm në aspektin gjeografik, por në të njëjtën kohë luan rol të rëndësishëm edhe në luftën kundër terrorizmit.