Protagonistët e mëdhenj në arenën politike e kanë tejet të qartë se nuk mund t’i sigurojnë interesat e tyre strategjike dhe nuk mund të kenë influencë ndërkombëtare përveçse nëse arrijnë të zbusin predikimet e gjalla fetare, të injektojnë në të njëjtën kohë virusin e gjunjëzimit përballë palës dominuese dhe të vrasin mundësinë për të bërë rezistencë. Kështu do të arrijnë që në fund të ekzistojë një përputhje e plotë me kërkesat e palës dominuese perëndimore. Për këtë arsye imperializmi perëndimor bashkëkohor shpenzon me një bujari të tejskajshme në drejtim të qendrave kërkimore e studimore në mënyrë që të ketë një vëzhgim permanent e të pandalshëm në çdo kënd përgjithësisht e në mënyrë më specifike në drejtim të mekanizmit të fesë islame.
Nga studimet më interesante që janë publikuar nga observatori amerikan, është ai i cili dokumenton predikimet fetare islame me qëllim që të bëjë krahasim mes tyre, për të përcaktuar më pas predikimet që harmonizohen më së tepërmi me frymën dominuese perëndimore, pra ato predikimet që nuk kontestohen nga ajo e nuk përplasen me të.
Ndërsa për sa i përket mjeteve më të njohura të përdorura nga politika imperialiste perëndimore në drejtim të këtij qëllimi, është presioni i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë mbi sistemet politike arabe në mënyrë që të arrihet instalimi i ideologjive të përcaktuara dhe paqëndrueshmëria e shumëkërkuar.
Liberalizmi, kjo ideologji perëndimore, ka arritur ta pushtojë të gjithë sistemin mediatik të shteteve inferiore e të pafuqishme. Liberalizmi është ajo arenë e gjerë që ofron pandalur poltrona të pasurisë e famës për ata personazhe të predikimit fetar liberal që financohen në mënyrë që të ndikojnë në çrrënjosjen e koncepteve doktrinore, konceptit të krenarisë dhe atij të prevalimit të fesë mbi botëkuptimin perëndimor. Pa anashkaluar këtu injektimin e ndjenjës së dobësisë dhe inferioritet përballë dominimit perëndimor te spektatori i hipnotizuar. Dominimi perëndimor propagandohet si madhështor, i jashtëzakonshëm, kreativ dhe i qytetëruar në të gjithë drejtimet e jetës, duke mbyllur kështu sytë përballë degradimit të perëndimit në raport me nevojën më kulmore, atë të njohjes së Zotit. Duke i shtuar kësaj imoralitetin, shthurjen, kriminalitetin, materializmin e egër dhe jetën me karakteristika kafshërore. Allahu i Madhëruar e cilëson këtë stil jetesë në Kuran si: “E ata që nuk besuan, përjetojnë kënaqësi (në këtë jetë) dhe ushqehen ashtu siç hanë kafshët.” (Muhamed, 12)
Metoda që ndjekin sot Shtetet e Bashkuara në mbështetjen e tyre drejtuar predikimeve fetare liberale, siç e përcakton dhe teoria e njohur e politikanit amerikan Leonard Binder në librin e tij të botuar në vitin 1988 me titull Liberalizmi islam”, nuk është një risi e papritur. Shtetet kolonizatore evropiane e kanë aplikuar edhe më herët metodën e liberalizimit të strukturave sheriatike, siç thotë dhe vetë historiani i krishterë Albert Hourani: “Përfaqësuesit e banorëve evropianë këmbëngulnin mbi edukimin e banorëve të Afrikës Veriore nën një kulturë të strukturuar mbi të ashtuquajturin “interpretimi liberal i Kuranit”. Për të realizuar këtë ata do t’i mëshonin pretekstit të detyrimit të edukimit të rinisë vendase duke iu referuar qytetërimit të pakicës (evropiane në vendet e tyre).”2
Ato figura të njohura fetare që u bënë pjesë e procesit të liberalizimit të ligjërimit fetar në mënyrë që ai të përqafojë dhe të shkrihet me kulturën dominuese perëndimore, duke qenë edhe të financuara nga media liberale, arritën t’i keqinterpretonin ato norma fetare që binin ndesh me interesat, vlerat dhe perspektivat perëndimore. Disa prej tyre tregoheshin naivë duke u prononcuar me interpretime të papjekura që më pas do të bëheshin shkak për mënjanimin e ndonjë norme apo vlere të caktuar. Disa të tjerë, tejet dinakë, i qaseshin procesit të liberalizimit të ligjërimit fetar gradualisht e me një gjuhë elokuente. Rezultati i tyre mbi shtresën e synuar ishte i sigurt! Imam Ibn Tejmije e përshkruan këtë metodë të të dhënëve pas egos e nefsit duke thënë: “Kjo është qasja e atyre që synojnë të prononcojnë mendime të përkundërta me ato të vërteta, në bazë të së cilave zhvillohet një umet i caktuar!
Fillimisht trajtojnë çeshtje të lehta, pa peshë e të pèrafërta me mendimet e tyre. Shejtanët prej xhindëve dhe njerëzve nuk qasen fillimisht duke kontestuar bazat e mëdha e të qarta pasi kështu nuk do të mundnin kurrë… Qëllimi i këtij shkrimi është ndërgjegjësimi se predikuesit e së kotës, asaj që konteston metodologjinë e profetëve, vijojnë përpara gradualisht duke trajtuar çështje dytësore në mënyrë që masa e njerëzve ta ketë më të lehtë për ta pranuar këtë frymë, derisa të arrijnë në hapin e fundit që konsiston në shkatërrimin e vetë fesë.”1
Disa të rinj të magjepsur pas kulturës në fjalë jetojnë nën një iluzion se zotërojnë një mendësi të hapur e prirje për modernizim, ndërkohë që pjesa tjetër e shoqërisë jeton i ngërthyer në një mendësi të mbyllur. Këta janë viktimë e një komploti politik të mirë organizuar që ka për qëllim rrënimin e Islamit nëpërmjet portave të ndryshme, duke e bërë atë të përputhshëm me interesat e protagonistëve të mëdhenj të kulturës dominuese.
Gjëja më qesharake është se një pjesë e këtyre të rinjve kritikojnë e fajësojnë dijetarët dhe thirrësit e Ehli Sunetit për mangësi në të kuptuarin e natyrës së politikave, duke mos e ditur se janë pikërisht këta lodrat e politikës dhe ushqimi që gatuhet në tenxheren e dominimit perëndimor, duke mos qenë aspak të vetëdijshëm.
Burimi: Shejh Ibrahim Sekran
“Pushteti i kulturës dominuese”