8.5 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Liberalizimi një “mundësi” për ikje te reja nga Kosova

Më të lexuarat

Heqja e vizave nga Bashkimi Evropian mund të keqpërdoret nga qytetarë të Kosovës për të qëndruar në vendet e BE-së, kurse një pjesë e shoqërisë do të zhgënjehet nga ky proces, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Ata përmendin eksperiencat e shteteve tjera që kishin në fillim të zbatimit të këtij procesi, të cilat kanë dëshmuar se ka pasur fluks të emigrimit.

Komisioni Evropian i ka propozuar të mërkurën Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se mundësia ekziston që qytetarët e Kosovës t’i keqpërdorin kufizimet e liberalizimit të vizave.

Megjithatë, ai shprehet se qytetarët e Kosovës duhet ta respektojnë lirinë e lëvizjes, në kuadër të zonës Schengen.

Në rast të keqpërdorimit, thotë Ujkani, Bashkimi Evropian ka mekanizma që mund të penalizojnë Kosovën.

“Por, e them se gjendja ekonomike dhe sociale që ekziston për momentin në Kosovë, janë predispozita të mjaftueshme për dyshuar se ka mundësi që gjendja të devijojë në atë formë”, ka thënë Ujkani.

Por, drejtori ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se do të ketë raste kur ky proces do të mund të keqpërdoret nga qytetarët.

“Do të ketë një tendencë edhe nga kosovarët, por nuk pritet që të jetë shumë e madhe, duke marrë parasysh eksodin që ka ndodhur në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015, kur shumica e qytetarëve që kanë dashur të largohen e kanë bërë një gjë të tillë.”

“Por, do të ekzistojë që në momentin e parë të lëvizjes së lirë një eksod i qytetarëve, siç ka ndodhur edhe në vendet tjera, të cilët do të provojnë të qëndrojnë tre muaj dhe të gjejnë punë “në të zezë” tek familjarët e tyre në vendet e BE-së”, ka thënë Demi.

Edhe disa qytetarë shprehen se menjëherë pas fillimit të zbatimit në praktikë të këtij procesi, do të shfrytëzojnë rastin për ta braktisur Kosovën.

Ermal Hasani, student në Fakultetin Ekonomik, thotë se nuk ka mjete financiare për të vizituar vendet e BE-së, por tregon se do të mundohet që të braktisë Kosovën për një perspektivë më të mirë.

“Në Kosovë nuk ka punë, e përfundon fakultetin dhe prapë mbetesh pa punë. Kështu që, mundësia e parë që më jepet do të dal jashtë Kosove dhe nuk do të kthehem më”, thotë Ermal Hasani.

Në anën tjetër, Agron Demi nga Instituti GAP shprehet se një pjesë e qytetarëve, për shkak të kushteve të vështira sociale dhe ekonomike, nuk do të kenë mundësi që ta shfrytëzojnë lëvizjen e lirë pa viza në shtetet e Evropës.

Ai kujton të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku thuhet se 72 për qind e familjeve në Kosovë nuk kanë mundësi financiare që të përballojnë një pushim jashtë shtëpisë, qoftë edhe brenda Kosovës, kurse 40 për qind e qytetarëve nuk kanë qenë kurrë në pushim.

“Aplikimi për viza ka pasur një kosto financiare. Por, pas liberalizmit, blerja e biletës, rezervimi i hoteleve apo udhëtimi në vendet e BE-së e kanë një kosto shumë më të madhe, andaj të dhënat e tregojnë se shumica e kosovarëve nuk do të arrijnë që të bëjnë një udhëtim turistik”, ka thënë Demi për Radion Evropa e Lirë.

Liberalizimi i vizave në asnjë rast nuk mundëson punësim apo ndonjë veprimtari ekonomike në shtetet e zonës Schengen. Udhëtimin pa vizë mund ta bëjë çdo qytetar, shtetas i Republikës së Kosovës, që posedon pasaportë biometrike.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit