Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke qëndruar në Bruksel, ku sot do të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit, Kosovë-BE.
Para fillimit të këtij takimi, Kurti ka zhvilluar takim me komisionarin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Kurti ka përmendur edhe njëherë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
“E vlerësova diskutimin e sotëm me Oliver Varhelyi për progresin e Kosovës në MSA. Kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe besojmë që BE-ja të lëvizë para. Integrimi në BE nuk ka alternativë. Ne jemi të motivuar të vazhdojmë reformat tona transformuese në bashkëpunim të ngushtë me BE-në”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri Kurti në kryeqytetin evropian po shoqërohet nga zëvendësi i tij Besnik Bislimi, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Hekuran Murati, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, Ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala. /Telegrafi/