1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Liberalizimi i vizave në tryezën e diskutimeve evropiane

Më të lexuarat

Të enjten në Prishtinë, Ambasada e Francës organizoi pritje me rastin e Festës Kombëtare Franceze, ndërsa nuk munguan edhe deklarata për çështjen e liberalizimit të vizave.

Mbajtja e samitit të BE-së në qershor të këtij ndonëse nuk pati lëvizje konkrete, ngjalli shpresa se ka hapa pozitivë drejt liberalizimit të vizave.

Ndonëse Komisioni Evropian ka theksuar dy herë se Kosova ka përmbushur kriteret për liri të lëvizjes, është vendi i vetëm në Evropë qytetarët e së cilës nuk gëzojnë liberalizimin e vizave.

E në pritjen e organizuar nga ambasadorja franceze Marie-Christine Butel nuk u la pa u përmendur kjo çështje.

Diplomatja franceze tha se për Kosovën është bërë përparim i dukshëm në çështjen e liberalizimit të vizave, megjithëse nuk iu dha drita e gjelbër nën presidencën franceze.

“Për Kosovën është bërë përparim i dukshëm në çështjen e liberalizimit të vizave. Në të vërtet diskutimet që u zhvilluan nën presidencën franceze, gjatë takimit të Këshillit Evropian të 23 qershorit kanë vënë themelet për shtyrjen përpara të kësaj teme, gjithmonë duke marrë parasysh shqetësimet tona sa i përket migracionit dhe sigurisë. Në fakt çështja e liberalizimit të vizave është rikthyer qartë në tryezën e diskutimeve evropiane, në kushte më të favorshme se asnjëherë më parë. Është gjithashtu rezultat i punës së bërë nga Kosova për të qenë më proaktive në skenën ndërkombëtare”, tha ajo, transmeton KP.

Pritja me rastin e Festës Kombëtare Franceze

Ambasadorja Butel pati një porosi edhe për dialogun, Kosovë-Serbi, për çka tha se nuk do të ketë integrim të mundshëm për Kosovën dhe Serbinë në BE, derisa ka mosmarrëveshje mes vendeve.

“Lufta në Ukrainë rikujton urgjencën për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve midis dy vendeve. Nuk ka alternativë dialogu. Përderisa kjo mosmarrëveshje vazhdon, nuk do të ketë integrim të mundshëm për Kosovën dhe Serbinë brenda Bashkimit Evropian”, theksoi ajo.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se Dita e Bastiljes është shpërthim i Deklaratës së Lirisë.

“Dita e Bastiljës është në të njëjtën kohë edhe shpërthimi me çdo kusht i Deklaratës së Lirisë, rënia e burgut të Bastiljës, por edhe shpallja popullore e një kryengritje masive të madhe për liri. Prandaj, Republika do të përbënte një marrëdhënie të përhershme midis lirisë dhe popullit. Demokracia duhet të shtrihet dhe do të shtrihet për të përfshirë një Republikë, që përbën një arsye të mjaftueshme për një 14 korrik të dytë atë të Federatës, një vit më vonë”, tha ai.

Sipas njoftimit për media nga Kryeministria, në fjalën e rastit, kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e kremtimit të dy ngjarjeve kryesore në historinë moderne franceze, rënien e Bastiljes dhe bashkimin e popullit francez.

“Pjesa më e madhe që ne e marrim si të mirëqenë në fjalorin e sotëm politik – diskursi i të drejtave të njeriut dhe atyre civile, republikanizmi, sovraniteti popullor, shteti-komb, ndarja e spektrit politik në të djathtë dhe të majtë, është trashëgimi e drejtpërdrejtë e Revolucionit Francez, tha kryeministri”, ka  thënë Kurti.

Ai theksoi se shumë artistë dhe studiues shqiptarë janë frymëzuar nga kultura franceze si: shkrimtari dhe intelektuali Faik Konica, shkrimtari Ismail Kadare, kitaristi Ehat Musa e profesori i filozofisë Muhamedin Kullashi.

Kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që në nivel politik Republika e Kosovës dhe Republika e Francës gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe.

“Jam i lumtur të them se në nivel politik dy republikat tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe. Franca ishte një nga vendet e para që njohu shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës. Që atëherë, ne kemi vazhduar të kultivojmë miqësinë tonë të çmuar, duke u bërë madje degë e të dyjave, Organizatës Ndërkombëtare dhe Asamblesë Parlamentare, të Frankofonisë. Qeveria ime i çmon shumë marrëdhëniet tona dypalëshe dhe është e vendosur t’i promovojë edhe më tej në të ardhmen”, deklaroi Kurti. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit