0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

“Lexo! Zoti yt është bujari më i madh”

Më të lexuarat

“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është bujari më i madh.” (Alak, 1-3)

Pesë ajetet e para të sures el Alak konsiderohen prej ajeteve të para të zbritura nga Kurani Famëmadh sipas qëndrimit të shumicës së komentuesve të Kuranit.

Xhibrili, paqja e Zotit qoftë mbi të, ia zbriti këto ajete Pejgamberit të fundit, Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, duke qenë në shpellën Hira.

Megjithëse ky tekst kuranor është formuluar me fjalë të shkurtra, shprehëse, ai përmban shumë kuptime dhe domethënie të mëdha. Në rreshtat vijues do të orvatemi të flasim shkurtimisht rreth kësaj çështjeje.

Buhariu në Sahihun e tij transmeton nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila ka thënë: “Kur Pejgamberi për herë të parë ka filluar ta marrë Shpalljen, ishin ato ëndrra të mira që i përjetonte në gjumë, i erdhi meleku dhe i tha: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është bujari më i madh.” (Alak, 1-3)
Hapja e sures me fjalën “lexo” është paralajmërim se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, do të jetë lexues dhe njëkohësisht mesazh edhe për umetin e tij që të kryejë këtë urdhër, i cili konsiderohet çelës i çdo të mire.

Në ajetet vërehet përsëritja e fjalës “lexo” dy herë. Kjo përsëritje në këtë mesazh ka rolin e saj dhe tregon për dy gjëra:

1- Ndërlidhja e leximit dhe urdhri për të me dhuntinë e krijimit dhe kjo mësohet nga kjo pjesë e ajetit: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku”.

2- Ndërlidhja e leximit me dhuntinë e ndihmës dhe bujarisë, që mësohet nga kjo pjesë: “Lexo! Se Zoti yt është bujari më i madh”.

Kuptimi sipas kësaj ndërlidhjeje qëndron në atë se Ai që e krijoi njeriun, e urdhëron të lexojë, për faktin se konsiderohet e drejtë e Allahut dhe Ai njihet përmes leximit. Praktikimi i leximit konsiderohet formë prej formave të falënderimit ndaj Krijuesit për shkak se është lexim i Emrit të Tij dhe me emrin e Tij “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka)”. Qëllimi i leximit është njohja e Allahut të Lartësuar, ndërsa metoda është në vëzhgimin dhe meditimin mbi argumentet dhe shenjat e Allahut.

Te fjala e Allahut të Lartësuar “Lexo! Se Zoti yt është bujari më i madh” kuptojmë se lexuesi me emrin e Allahut nuk lexon i vetmuar pa ndihmë e pa mbështetje hyjnore, por lexon me ndihmën e Allahut të Madhërishëm.

“Lexo! Se Zoti yt është bujari më i madh”, kuptojmë se Ai është me ty, të ndihmon, të udhëzon, të krijon. Bujaria e Tij është nga mëshira e Allahut dhe mëshira e Tij manifestohet në dhuntinë e të mësuarit pas krijimit. Kësisoj, dija dhe mëshira janë të lidhura që nga fillimi i shpalljes së Kuranit deri te fundi i tij.

Me lexim këtu nënkuptohet lexim përmbledhës i çdo mirësie dhe i çdo gjëje që konsiderohet e dobishme. Gjithashtu është transmetuar se me lexim nënkuptohet leximi i fjalës së Allahut (Kuranit)

Më pas, lexues i nderuar, duhet të kesh parasysh se të lexuarit e Librit të Allahut është i pandashëm edhe me të shkruarit, që është përmendur në ajetet e tjera të Kuranit Fisnik, si fjala e Allahut të Madhërishëm: “Nun. Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë!” (Kalem, 1)

Nëse në ajetet e sures Alek qëndron thirrja për lexim dhe inkurajimi për të zbuluar argumentet e Allahut në gjithësi, në ajetin e sures Kalem qëndron sqarimi dhe madhështia e të shkruarit dhe që të dy proceset konsiderohen mënyrë dhe formë për të njohur Krijuesin e Lartësuar.

Përgatiti: Almedin Ejupi
24.5.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit