11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Nëntë shenja të qarta

Më të lexuarat

Biseda e Kuranit rreth Musait dhe popullit të tij është një bisedë e dhimbshme. Musai konsiderohet prej Pejgamberëve që është përmendur më shumë në Kuranin Fisnik.

Ndër ajetet që flasin për të është edhe ky ajet: “Në të vërtetë, Ne i dhamë Musait nëntë shenja të qarta. Pyeti bijtë e Izraelit, kur ai u erdhi të parëve të tyre dhe, kur Faraoni i tha atij: “O Musa, unë besoj se ti je i magjepsur.” (Isra, 101)

Biseda jonë do të përqendrohet tek fjala e Allahut të Lartësuar “nëntë shenja të qarta”.

Së pari: Me shenjat në Kuranin Fisnik nënkuptohen shumë gjëra, prej të cilave përmendim:

a). Shenjat e lexuara në librat e zbritura, si fjala e Allahut të Lartësuar: “…në orët e natës lexojnë vargjet e Librit të Allahut.” (Ali Imran, 113) Gjithashtu, fjala e Allahut: “të cilët ju lexonin shpalljen e Zotit tuaj.” (Zumer, 71),

b). Shenjat kozmike, universale, provat dhe mrekullitë, si fjala e Allahut të Lartësuar: “Edhe në krijimin tuaj dhe të kafshëve të shpërndara nëpër Tokë, ka shenja për besimtarët e bindur.” (Xhathije, 4). Gjithashtu, fjala e Tij: “Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta. Vallë, a nuk të mjafton ty që, Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?! ” (Fussilet, 53) Prandaj, fjala shenjë në këto ajete ka kuptim tjetër nga ai më parë.

Komentuesit e Kuranit, përsa i përket shenjave të qarta që iu janë dhënë Musait përmendin dy komentime.

1). Ato janë mrekullitë dhe provat. Ata theksojnë se këto mrekulli dhe prova janë përmendur në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Prandaj, Ne u dërguam atyre përmbytje, karkaleca, rriqra, bretkosa dhe gjak, si shenja të qarta, por ata madhështoheshin dhe ishin popull keqbërës.” (Araf, 133)

Në këtë ajet janë përmendur pesë shenja të qarta, duke i shtuar edhe katër të tjera si hedhja e shkopit dy herë tek Faraoni, nxjerrja e dorës dhe nyja e cila ishte në gjuhën e tij. Ky qëndrim është përcjellë nga Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, i cili ka thënë: “Nëntë shenja të qarta janë: dora e tij (Musait), shkopi, gjuha e tij, deti, përmbytja, karkalecat, rriqrat, bretkosa dhe gjaku.” Janë transmetuar edhe thënie të ndryshme, të cilat i përcjellin komentuesit e Kuranit rreth nëntë shenjave, por nuk shoh ndonjë dobi të madhe nga përmendja e tyre. Ajo që konsiderohet e rëndësishme këtu, është fakti se komentuesit e Kuranit janë unanim – siç ka thënë ibn Atije- sa i përket pesë shenjave të përmendura në ajetin e sures Araf se ato konsiderohen prej nëntë shenjave të cilat iu janë dhënë Musait, paqja e Zotit qoftë mbi të.

Shenjat e qarta – sipas komentimit të parë- ato janë mrekullitë universale dhe prova të vërteta. Sipas këtij komenti anon Ibn Kethiri dhe ky është qëndrimi i shumicës së komentuesve.

2). Sipas komentimit të dytë, me shenjat e qarta nënkuptohen dispozitat. Ky komentim mbështetet në atë që është përcjellë nga Safvan b. Asal, se dy çifutë njëri prej tyre iu drejtua shokut të vet duke i thënë: Të shkojmë te ky Profet dhe ta pyesim. Ai i tha: “Mos i thuaj atij Profet.” I erdhën Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe e pyetën lidhur me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Në të vërtetë, Ne i dhamë Musait nëntë shenja të qarta.” I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, u tha: “Mos i bëni Allahut shok, mos bëni amoralitet, mos vrisni njeriun vetëm se me të drejtë, mos vidhni, mos bëni magji, mos shkoni me një njeri të pafajshëm te prijësi që ta vrasë atë, mos hani kamatë, mos shpifni ndaj gruas së ndershmes dhe mos ikni nga fronti. Kurse ju çifutë posaçërisht, mos shkelni sabatin.” Të dy e puthën dorën dhe këmbën e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe thanë: “Dëshmojmë se ti je i Dërguari i Allahut.” Ai u tha: “Po çfarë ju pengon të përqafoni Islamin?” Ata thanë: “Davudi iu lut Allahut që në mesin e pasardhësve të tij të ketë profet. Nëse ne e përqafojmë Islamin, frikësohemi se do të na vrasin çifutët.” Tirmidhiu ka thënë hasen sahih. Hakimi, gjithashtu ka thënë se hadithi është sahih. Ibn Kethiri, ka folur rreth vërtetësisë së hadithit. Në këtë qëndrim anon Raziu, i cili pasi përmend thëniet rreth komentimit të këtij ajeti thotë se prej haditheve të sakta që janë transmetuar është hadithi i Safvan b. Assal, që nënkupton se shenjat e qarta të cilat i janë dhënë Musait janë dispozitat dhe legjislacionet dhe nuk janë mrekullitë dhe provat. Disa dijetarë bashkëkohorë përzgjedhin qëndrimin e dytë duke u argumentuar me disa argumente. Sido që të jetë, edhe sipas mendimit të dytë, shenjat e qarta të cilat i janë dhënë Musait nuk janë shenja të cilat Allahu “i tregoi Faraonit dhe popullit të tij” si dënim dhe ndëshkim, por (shenjat e Musait) janë bazat e dispozitave, si ndalimi nga idhujtaria, ndalimi i vrasjes së njeriut pa të drejtë, ndalimi nga amoraliteti, vjedhja, magjia, ndalimi i mizorisë, i kamatës, shpifjes dhe ndalimi i ikjes nga fronti. Me këto dispozita u urdhëruan të gjitha legjislacionet qiellore. Madje, për këtë dëshmojnë shumë ajete kuranore, prej të cilave janë edhe këto: “Ne të frymëzuam ty (o Muhamed) me shpallje, ashtu siç frymëzuam me shpallje Nuhun dhe profetët pas tij.” (Nisa, 163)

Gjithashtu, fjala e Allahut të Lartësuar: “Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed) dhe pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke thënë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!” (Shura, 13)

Këto argumente dhe të ngjashme me to dëshmojnë se bazat e dispozitave janë baza të përbashkëta në mes legjislacioneve qiellore, të cilat emërton me paprekshmëritë esenciale përmes së cilave ruhen pesë domosdoshmëritë: feja, jeta, mendja, nderi dhe pasuria.

Hadithi i cili i përmbledh bazat e dispozitave është ky hadith, të cilin e shënon Buhariu dhe Muslimi: “Largohuni prej shtatë mëkateve shkatërruese (rrënuese).” Shokët e tij i thanë: “O i Dërguar i Allahut, cilat janë këto mëkate?” (Ai) Tha: “Të bërit rival Allahut (shirku), magjia (sihri), mbytja e njeriut që e ka ndaluar Allahu, me përjashtim nëse këtë e kërkon drejtësia (e fesë), keqpërdorimi (ngrënia) i pasurisë së jetimit, ngrënia e kamatës, ikja nga fushëbeteja dhe shpifja ndaj grave të ndershme besimtare.”
Almedin Ejupi
3.5.2009

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit