4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Letra e politikanëve drejtuar SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe, Kearns: Duam rrugë euroatlantike si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën

Më të lexuarat

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns është në mesin e politikanëve që në një letër drejtuar SHBA-së dhe BE-së dhe Britanisë së Madhe, kanë bërë thirrje që të jenë më kritikë ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Kearns në një postim të bërë në llogarinë e saj zyrtare në Twitter, ka thënë se është e rrallë që kaq shumë Kryetarë të Komiteteve të Punëve të Jashtme të mblidhen bashkë për të ngritur shqetësimet e tyre, transmeton Telegrafi.

“Ne kemi nevojë për diplomaci parandaluese, ku sigurohemi që do të ketë ekuilibër në marrëdhëniet tona dhe të mos përsërisim gabimet e së kaluarës. Është e rrallë që kaq shumë Kryetarë të Komiteteve të Punëve të Jashtme të mblidhen për të ngritur shqetësimet dhe për të shprehur një angazhim të përbashkët për de-përshkallëzimin”, ka thënë ajo.

Tutje, Kearns ka shtuar se ata duan një rrugë euroatlantike si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën.

Ndryshe, politikanë të rëndësishëm të politikës së jashtme nga vende të ndryshme perëndimore i kanë bërë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe që të jenë më kritikë ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në lidhje me zhvillimet në Kosovë.

“Përpjekjet e Serbisë për të prishur zgjedhjet demokratike në Kosovë duhet të denoncohen publikisht si ndërhyrje e huaj dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse,” thuhet në letrën e shkruar nga eksperti i Politikës së Jashtme të Bundestagut, Michael Roth, ai i Senatit të SHBA, Bob Menendez dhe kryetarët e komitetit të punëve të jashtme Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

Në letrën drejtuar SHBA-së dhe BE-së dhe Britanisë së Madhe thuhet se Perëndimi po ndjek politike të butë ndaj Serbisë.

“BE dhe SHBA po ndjekin një politikë të butë në lidhje me Serbinë, kandidate për anëtarësim në BE, nga frika se Beogradi mund të orientohet drejt Rusisë, megjithatë Qeveria e Vuçiqit nuk po merr pjesë në sanksionet kundër Moskës”, thuhet mes tjerash në letër. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit