Lexova këtë letër të një prijësi fetar musliman në SHBA dhe ndjeva nevojën ta përktheja, e bindur se vlen shumë edhe për realitetin tonë, jo thjesht e vetëm për prijësit fetar, por shumë më gjerë se kaq.
Të dashur anëtarë të komunitetit,
Si prijësit tuaj fetar, edhe ne jemi qenie njerëzore plot të meta, njësoj si ju. Ne bëjmë gabime dhe për këtë duhet të mbajmë përgjegjësi, por gjithashtu meritojmë një mundësi të dytë, ashtu si ju. Mos u ndjeni sikur nevojitet të mbroni gabimet tona. E drejta është e drejtë dhe e gabuara e gabuar. Mbrojtja ndaj nesh dhe mbrojtja e gabimeve tona nuk janë e njëjta gjë. Gjëja më e mirë që mund të bëni është të na ndihmoni të shikojmë gabimet tona, pa mëkatuar në përpjekje për të mbrojtur mëkatat që ne kemi bërë.
Më vjen keq kur nuk jemi në lartësinë e pritshmërive tuaja. Më vjen keq kur shkëputemi nga përditshmëria juaj. Më vjen keq kur axhendat tona personale anashkalojnë interesat tuaja. Kur ne ju lëndojmë, qoftë edhe padashje, dinjiteti dhe nderi juaj nuk janë më pak të shenjta se tonat.
Përkushtimi jonë i pakushtëzuar duhet t’i drejtohet vetëm Njëshit të përkryer, që na krijoi të gjithëve si qenie të papërkryera. Udhëzimi i vetëm pa të meta është udhëzimi profetik. Detyra jonë është të përpiqemi të jetojmë dhe t’ju mësojmë këtë udhëzim në një mënyrë sa më të prekshme dhe reale për ju. Gjatë kësaj rruge, dështimet janë tonat, ndërsa sukseset janë nga Ai që është burimi i çdo të mire.
Sinqerisht,
Omeri
Përktheu Albina Nanaj