Është mëkat dhe veprim i pafalshëm për ne dhe fëmijët tanë që vlerat tona fetare sot t`i përziejmë me fraksione dhe lëvizje politike fetare të jashtme të cilat atje ku kanë lindur dhe janë aktive deri më sot historikisht janë treguar dhe dëshmuar si të dëmshme dhe me përmasa katastrofale për besimtarët dhe qytetarët e tyre.
Imami im i dashur shqiptar,
Në pamundësi të bashkimit të të gjithë imamëve në një vend, vendosa t’ju drejtohem publikisht me një letër të tillë; sa qortuese aq edhe këshilluese në të njëjtën kohë.
Në prag të shekullit në të cilin kemi hyrë, shihet qartë se bota njerëzore ka pësuar shumë ndryshime në shumë dimensione të jetës së saj. Si popull dhe si komb jemi të vegjël për të ndikuar në ndryshimet globale, apo në orientimet ideologjike ndaj pjesës së botës së madhe dhe të fuqishme. Fundja, këtë edhe nuk na e kërkon askush si përgjegjësi tonën. Në këtë situatë kaq të koklavitur dhe të bombarduar nga të gjitha anët me informacione nga më të ndryshmet, prej gjithsecilit nga mesi ynë nevojitet që të ketë kujdes të shtuar, në mënyrë që çdonjëri ta ruajë kopenë e vet, me mundësitë dhe kapacitetin që ka në dispozicion.
Imami shqiptar i cili sot i prin një grupi të besimtarëve në rrethin e vet ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ai duhet të jetë vigjilent dhe përgjegjës për fjalën e tij publike, dhe i vetëdijshëm për rrugën të cilën e ndjek në interpretimin e mësimeve fetare. Pozicioni ynë gjeografik dhe gjeopolitik kërkon nga ne një qasje të matur, të balancuar dhe shumë mirë të studiuar. Rreshtimi ynë pas shkollave dhe orientimeve të jashtme, dhe pasimi i tyre sipas modelit copy-paste, është qartë i dëmshëm si për fenë të cilës i takojmë, e njashtu edhe për vendin dhe të ardhmen e qytetarëve tanë.
Përmes një vështrimi të shkurtër përgjatë këtyre dy dekadave të fundit të cilat po i lëmë pas, shihet se krahas sukseseve në misionin tuaj si imam, ju keni bërë edhe disa gabime dhe lëshime të cilat nuk do duhej të ishin pjesë e punës tuaj. Gjatë gati 18 viteve të pasluftës, vërehet se në mes jush nuk ka ekzistuar një unitet i duhur për të pasur qëndrime dhe udhëzime të përbashkëta fetare të mësimeve islame. Prandaj, si rezultat i këtij moskoordinimi kyç, në mesin e besimtarëve tanë të rëndomtë është krijuar një laramani e paqenë më herët. Në shumë faltore- xhami tona sot mund të hasësh në dy e tri forma të ndryshme të rreshtimit në namaz, pastaj të lëvizjeve dhe të pozicionimit të çakorduar të besimtarëve. Këto nuk i shkaktuan të tjerët, por mësimet e juaja.
Kjo si dukuri nuk ka qenë më herët te ne dhe as që është bërë fjalë për të. Si imam, një pjesë e juaja ka marrë guximin që të veprojë krejtësisht i pavarur në mesin e besimtarëve, dhe jo si një trup me një qëndrim unifikues zyrtar. Jeni ndarë në shkolla dhe orientime të ndryshme. Një grup nga radhët tuaja pason shkollën e versionit jo alternativ, një tjetër atë lëvizjeve myslimane me synime politike, kurse një pjesë ka rënë nën ndikimin e grupeve ideologjike fetare dhe doktrinare të vendeve të huaja, të panjohura po ashtu në mesin tonë.
Megjithëkëtë, vlen të thuhet se pjesa më e madhe e juaja vazhdon ta ndjekë vijën e interpretimit tradicional të fesë islame te ne, e cila ishte dhe është bashkuese për të gjitha shtresat e besimtarëve tanë, mirëpo kjo nuk është një garanci për të ardhmen afatgjate, nëse grupet tuaja të reja të mbështetura nga jashtë vazhdojnë të jenë aktive dhe të çakorduara siç edhe kanë qenë deri më sot.
Duket se sikur nuk keni menduar ndonjëherë qartë dhe thellësisht se kjo ndarje më së paku u bënë juve nder ndërsa më së shumti e dëmton unitetin e përbashkët tonë qytetar dhe fetar. Fatkeqësisht, në radhët tuaja ka munguar edhe vigjilenca në kohë se ku mund të përfundojnë këto divergjenca të predikimit fetar dhe se cili mund të jetë epilogu i tyre.
Me dhe pa vetëdije keni rënë nën ndikimin individëve dhe shkollave të jashtme të cilat në asnjë mënyrë nuk përputhen me interesin e besimtarëve dhe qytetarëve tanë. Ne kemi pasur, siç edhe kemi nevojë për ndihmën e të tjerëve siç vazhdimisht edhe do të kemi nevojë për miq të jashtëm, por kuptojeni se asnjëherë nuk do të na bëjë nder një dorë ndihmëse e cila na dëmton dhe na godet në ecjen dhe në orientimin tonë kombëtar, gjeografik dhe gjeopolitik.
Një pjesë nga ju nuk ishte dhe fatkeqësisht ende vazhdon të mbetet e pavetëdijshme për ta ndarë Islamin me traditën dhe kulturën e vendit nga ku një pjesë e juaj jeni edukuar dhe arsimuar. Nga ju ende ka të tillë që besojnë se fetvatë, dekretet fetare të dijetarëve myslimanë mbi rregullimin e jetës sociale të shoqërive myslimane, të nxjerra shekuj më herët, mund të aplikohen plotësisht edhe sot, dhe aq më keq i konsideroni si të pazëvendësueshme. Ju duhet të kuptoni njëherë e përgjithmonë se vetëm teksti i Kuranit-urtexti i tij, është i shenjtë, ndërsa në asnjë mënyrë jo edhe mendimi i cilitdo dijetar mbi të.
Deri më sot nuk keni arritur të bëni as seleksionimin e literaturës fetare e cila u është servuar nga autorët e ndryshëm, e përpiluar dhe shkruar në emër te mësimeve fetare me tendenca dhe ngjyrime politike dhe ideologjike, për t`u shërbyer kauzave lokale dhe gjeopolitike të vendeve ku autorët jetojnë dhe veprojnë. Një literaturë kjo e cila asgjë nuk ka të bëjë me rrethanat tona sociale, politike dhe fetare.
Ne duhet të punojmë që të jemi vetja jonë dhe për asnjë çmim të mos vëmë në rrezik interesin tonë kombëtar duke u ndikuar nga të tjerët në emër të interpretimeve të veçanta të fesë. Orientimi ynë në kohë dhe hapësirë është i rëndësisë së veçantë dhe thelbësor për rrethanat në të cilat po kalojmë. Mësimet fetare duhet t`i marrim vet në dorë duke i mbajtur larg ndikimeve të huaja, duke i orientuar ato në drejtim të bashkimit tonë dhe jo në drejtim të përçarjes dhe të stigmatizimit të radhëve tona.
Është mëkat dhe veprim i pafalshëm për ne dhe fëmijët tanë që vlerat tona fetare sot t`i përziejmë me fraksione dhe lëvizje politike fetare të jashtme të cilat atje ku kanë lindur dhe janë aktive deri më sot historikisht janë treguar dhe dëshmuar si të dëmshme dhe me përmasa katastrofale për besimtarët dhe qytetarët e tyre.
Në vend që të pasoni X ideologun apo X lëvizjen fetare politike, përqendrohuni në vlera fetare mbi etikën dhe moralin, solidaritetin, respektin dhe dashurinë për njëri- tjetrin, mbi elementet të cilat na bashkojnë e na forcojnë si shoqëri, komb dhe shtet. Flakëroni çdo element që zbeh dhe rrezikon unitetin dhe vëllazërinë tonë shqiptare në rend të parë dhe atë gjithënjerëzore në përgjithësi.